Një sërë treguesish në rritje, duke përfshirë numrat rekord të udhëtimeve dhe të ardhurat nga shitjet e biletave në kinema gjatë pushimeve të gjata të Festës së Pranverës (Vitit të Ri Kinez), që përfunduan të shtunën, dëshmuan një kulm të konsumit në Kinë, duke vijuar një bum turistik që nga fillimi i vitit 2024 dhe duke ngritur pritshmëritë për rimëkëmbjen ekonomike të Kinës.
Turistë kinezë në Pekin gjatë Festës së Pranverës(Foto:VCG)
Sipas ekspertëve, fluksi i udhëtimeve gjatë Festës - i njohur si "chunyun" në kinezishte e që përshkruhet shpesh si lëvizja më e madhe periodike njerëzore në botë - dhe rritja e fuqishme e shpenzimeve, nga fluturimet deri te biletat e kinemave, rikonfirmojnë gjallërinë e ekonomisë kineze dhe krijojnë një bazë të shëndoshë për rimëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike të Kinës këtë vit.
Vetëm të shtunën - ditën e fundit të pushimeve të Festës së Pranverës të këtij viti - rrjeti hekurudhor i Kinës vlerësohet të ketë transportuar 16.2 milionë udhëtarë, me 2256 trena shtesë për të përmbushur kërkesën në rritje, duke e ngritur kapacitetin total gjatë chunyun-it në një nivel të ri rekord.
Të premten e kaluar rreth 15.29 milionë udhëtime u bënë me tren, duke vendosur një rekord të ri për vëllimin ditor të udhëtarëve gjatë chunyun-it për të tretën ditë radhazi, sipas operatorit shtetëror hekurudhor.
Gjithsej, nga 10 deri më 17 shkurt, më shumë se 2.31 miliardë udhëtime përllogaritet se janë kryer në sistemet e transportit të Kinës, duke përfshirë më shumë se 2.18 miliardë me automjete, sipas të dhënave zyrtare. Gjatë periudhës 40-ditore të chunyun-it, vlerësohet të jenë kryer rreth 9 miliardë udhëtime individuale, duke vendosur gjithashtu rekord.
Para transportit të vrullshëm, provinca Hainan e Kinës Jugore, një destinacion i nxehtë tradicional turistik, u detyrua të shtonte fluturimet për t'i çuar turistët në shtëpi, pasi çmimet e biletave u rritën dhe shumë nuk ishin në gjendje të siguronin bileta kthimi.
Turistë kinezë në Sanya gjatë Festës së Pranverës, provincë Hainan, Kinë Jugore(Foto:VCG)
Megjithëse të shtunën ende nuk ishin publikuar të dhënat statistikore përfundimtare të konsumit gjatë pushimeve, shumë organe të pushtetit vendorë dhe dikastere qendrore kanë raportuar shifra të larta. Ndër to, të ardhurat e shitjes së biletave të kinemave gjatë festës i kaluan 8 miliardë juanët, duke shënuar rekord, sipas platformës elektronike të shitjes së biletave "Maoyan".
Ndërkohë, shpenzimet në kryeqytetin Pekin gjatë pushimeve janë mbresëlënëse. Qendrat kryesore tregtare, supermarketet, dyqanet e dhuratave, restorantet dhe firmat e tregtisë elektronike kanë realizuar një vëllim 7.74 miliardë juanë, përkatësisht 36.8% dhe 64.1 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe të vitit 2019, deklaroi të shtunën Zyra e Tregtisë e Bashkisë së Pekinit.
Në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore, e cila gjithashtu është bërë gjithnjë e më e popullarizuar, pikat kryesore turistike pritën rreth 5.38 milionë vizitorë dhe siguruan 62.53 milionë juanë të ardhura nga shitja e biletave, shifra që janë përkatësisht 25.74 % dhe 32.63 % më të larta në krahasim me nivelin e vitit 2023.
Mëkëmbja e shpenzimeve të konsumit ka rëndësi jetike për rigjallërimin e përgjithshëm të ekonomisë kineze, pasi konsumi është bërë shtytësi më i madh i rritjes. Në vitin 2023, për shembull, sipas të dhënave zyrtare, konsumi kontribuoi për 82.5 % të rritjes së përgjithshme të PBB-së. Për sa i përket kontributit të konsumit në shpejtësinë e rritjes së përgjithshme ekonomike, shifra është 4.3 %, 3.1 pikë përqindjeje më e lartë se në vitin 2022.
Turistë në Luoyang gjatë Festës së Pranverës, provincë Henan(Foto:VCG)
Në vitin 2023, shitjet me pakicë, një tjetër tregues kryesor i konsumit, u shtuan me 7.2 %, duke arritur në 47.15 trilionë juanë, sipas të dhënave zyrtare. Vetëm në dhjetorin e kaluar shitjet me pakicë u rritën me 7.4%.
Kina do të vendosë një sërë objektivash zhvillimi, duke përfshirë normën e rritjes së PBB-së, gjatë dy sesioneve të ardhshme vjetore, të cilat janë planifikuar të nisin në fillim të marsit. Pavarësisht sfidave të ndryshme, duke përfshirë rënien ekonomike globale, disa ekonomistë argumentojnë se ekonomia kineze mund të rritet 5 % ose më shumë.