Kina dhe Spanja bien dakord të thellojnë bashkëpunimin praktik
2024-02-19 20:07:55

Kina dhe Spanja ranë dakord të hënën të thellojnë bashkëpunimin praktik dhe të promovojnë tregtinë e lirë, në takimin që ministri i Jashtëm kinez Wang Yi pati gjatë vizitës së tij në Spanjë me kryediplomatin e këtij vendi Jose Manuel Albares Bueno.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Wang tha se të dy palët duhet të forcojnë komunikimin strategjik, të kenë shkëmbime më të ngushta të nivelit të lartë e të thellojnë bashkëpunimin praktik, për të nxitur zhvillimin më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe në 50 vitet e ardhshme.

Pala kineze e vlerëson palën spanjolle për ndjekjen e parimit të "Një Kine" dhe mbështet Spanjën në ruajtjen e integritetit territoral dhe bashkimit kombëtar.

Kina dhe Spanja janë partnere të gjithanshme strategjike dhe mbështetëse të multilateralizmit, shtoi ministri kinez.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Kryediplomati spanjoll vuri në dukje nga ana e tij se Spanja mbështet tregtinë e hapur dhe të lirë, mirëpret investimet kineze dhe do të ofrojë mjedis të favorshëm e të barabartë biznesi për sipërmarrjet nga të gjitha vendet.

Të dy palët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si telekomunikacioni, shëndetësia, automjetet elektrike dhe energjia e gjelbër.

Ato pranuan të vijojnë ndikimet pozitive të Vitit Kulturor e Turistik Kinë-Spanjë dhe të forcojnë miqësinë midis popujve.

Bueno u shpreh se pala spanjolle e vlerëson heqjen nga ana e Kinës të vizave për shtetasit spanjollë, e falënderon Kinën për besimin e miqësinë dhe zotohet të promovojë thjeshtimin  e procedurave për turistët kinezë.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështje ndërkombëtare dhe rajonale. (Li Huailiang/Artan)