Borana (Foto nga instagrami)
Borana në X-Factor
Në edicionin e fundit të “X-Factor Albania”, spektakël që promovon talentet e reja, ishin 16 talentë që u përzgjodhën mes 2 mijë konkurrentëve, duke sjellë për publikun zërat më të bukur shqiptarë. Një nga vajzat që spikati në natën e parë të spektaklit ishte Borana simpatike, me një vokal mjaft të veçantë dhe performancë artistike të niveleve të larta. E dashuruar që e vogël me muzikën, ajo e ka kultivuar atë në mënyrë profesionale në moshën 20 vjeçare. Kërcimi dhe moda janë pasionet e tjera të Boranës, e cila ka lindur në qytetin e Korçës është rritur dhe shkolluar në Greqi, por studimet e larta i ka përfunduar në Tiranë, në degën Administrim Biznesi dhe Marketing. Pas eleminimit nga “X-Factor” ajo është duke punuar për të sjellë së shpejti videoklipin e këngës së saj të re “S’je”. Për Radio Ejani Borana rrëfen objektivat që i ka vënë vetes, projektet e shumta që e presin në jetën e saj artistike, etj.
CMG: Përshëndetje Borana!
Borana: Përshëndetje të gjithëve! Është kënaqësi që të jem me ju sot. Kënga që pritet të dalë është e frymëzuar nga shumë gjëra që unë kam parë në shoqërinë time,por kam dhënë edhe pak nga vetja. Kryesisht kënga është e kompozuar nga unë, si vija melodike, por edhe teksti. Kam rreth një vit që po punoj për këtë këngë në studio.
CMG: Për çfarë flet kënga?
Borana: Mesazhi kryesor i këngës janë premtimet boshe që njerëzit i japin ndonjëherë njëri-tjetrit dhe më pas largohen e i harrojnë. Ata rigjejnë dashuri tjetër dhe vazhdojnë jetën e tyre, duke i lënë pas premtimet që i kanë dhënë dikujt.
CMG: Kënga dhe videoklipi janë realizuar përpara se të hyje në “X-Factor”?
Borana: Po, është e vërtetë. Si realizimi i këngës ashtu edhe videoklipi janë bërë më përpara se të merrja pjesë ne “X-Factor”. Kënga është punuar një vit më parë, por videoklipi është realizuar para 5 muajve. Po prisja që pas afirmimit tim në “X-Factor”, të sillja tek publiku edhe këngën time më të re me titullin “S’je”. Shumë i rëndësishëm për t’u përmendur është edhe fakti që unë kam punuar shumë me producentin Aleksandër Gjonpalaj, i cili ka punuar për anën teknike të këngës. Tekstin dhe muzikën e kam realizuar vetë, ndërsa orkestrimin e ka bërë Aleksandri që është edhe producenti im prej tre vjetësh.
CMG: Si ishte eksperienca jote më e re në “X-Factor”?
Borana: Për mua ka qenë një ndër gjërat që kam patur dëshirë që e vogël. Kisha shumë dëshirë që të merrja pjesë në “X-Factor” dhe fakti që unë e bëra realitet këtë ëndërr ishte një arritje shumë e madhe. Ka qenë privilegj që të hapja edicionin e këtij viti në atë spektakël madhështor. Fakti që unë performova me kërcimtarë në atë skenë aq të madhe, më dha mundësinë që të kuptoj, se sa potencial kam unë si artiste për të mbajtur një peshë aq të madhe të skenës, duke u munduar të kordinohesha me kërcimtarët në mënyrë perfekte duke kënduar. Arrita ta provoja se këtë gjë unë mund ta bëja dhe kisha kapacitetin si artiste që mund ta bëja. Mendoj se ishte një realizim për mua, duke më përgatitur për të ardhmen, kur të mbaj koncertin tim, pse jo.
CMG: Kur u përzgjodhe mes qindra talentëve të rinj dhe u pranove në audicionin e “X-Factor” ishte ditëlindja jote. Si ishte a për ty kjo eksperiencë?
Borana: Unë kam dhënë audicionet tek Liceu Artistik në Tiranë dhe ka qenë një ditë shumë e lodhshme, sepse duhet të prisnim që të hynim të gjithë konkurrentët të provonin të këndonin. Unë herën e parë kam kënduar tre këngë, një në anglisht, një në greqisht dhe një këngë në spanjisht. Mendoj se i kam lënë shumë përshtypje jurisë atë ditë. Unë u kënaqa pafund dhe e dija se do ja dilja tek audicionet.
Kur vijoi spektakli gara u bë edhe më e ngushtë, konkurrentët sa vinin dhe bëheshin edhe më të fuqishëm, sepse zgjidheshin zëra shumë të mirë dhe seleksionimi ka qenë shumë i vështirë, deri kur kaluam tek audicionet tek Klani. Aty i kam marrë të katërta përgjigjet “Po” nga mentored dhe për mua ishin të gjithë shumë pozitiv. Aty kam përjetuar emocione të paharrueshme, ku kalova çdo lloj audiocioni, që dikur e shihja në televizor. Por më në fund mbërrita deri tek netët live, që ishte edhe ëndrra ime që e vogël, të prekja skenën e live-t, të përjetoja ato emocione të bukura. Kisha frikë të madhe në atody minutat e fundit para se të dilja në skenë, por ishte edhe gjë shumë e bukur njëkohësisht.
Borana në intervistë për Radio Ejani
CMG: Të përzgjidhesh mes 2000 konkurentëve nuk është pak, si dhe të jesh pjesë e netëve live mes 15 talentëve nga e gjithë Shqipëria. Mendoj se është një arritje e madhe për ty. Si e prite skualifikimin?
Borana: Kur po bëhesha gati për të dalë në skenë, më kapi një frikë që nuk po e përcaktoja dot se pse po më vinte. Ishte emocion sikur do skualifikohesha, gjë që më ka ndjekur gjatë gjithë përgatitjes time për të dalë në skenë. Dhe u realizua se intuita nuk më gabon. Unë në përgjithësi nuk mërzitem dhe i marr gjërat me shumë sportivitet, por atë natë u mërzita dhe më erdhi shumë keq për largimin tim, për faktin se kisha shumë për t’i dhuruar atij spektakli.
CMG: Çfarë të ka mbetur ty pa dhënë në këtë spektakël?
Borana: Më kanë mbetur pa dhënë shumë performanca të fuqishme që i kisha përgatitur. Kisha zgjedhur të sillja në skenë këngë të Jennifer Lopez apo të Beyonce, ku do këndoja e do kërceja duke dhuruar një spektakël të vërtetë. Baladat nuk janë pika ime më e fortë, prandaj më vjen keq që nuk munda të shfaqja performancat e tjera që kisha zgjedhur apo këngët latine.
CMG: Kush është artisti yt i preferuar?
Borana: Këngëtarja ime e preferuar është Rosalia, me të cilën më kanë krahasuar edhe tek audicionet e para. Nuk më pëlqen shumë kjo gjë, sepse nuk dua të kopjoj dike tjetër, por thjesht ajo më pëlqen për mënyrën se si shfaqet në tregun muzikor.
CMG: Borana, si ka nisur dashuria për muzikën tek ti?
Borana: Muzika tek unë ka lindur që në moshë të vogël, por e kam zhvilluar në mënyrë profesionale kur kam qenë 20 vjeç. Në atë moment kompozova këngën time të parë dhe që nga ai moment kam kërkuar për të bashkëpunuar me një studio muzikore. Jam munduar për të gjetur ndonjë mbështjetje për të investuar në muzikë, por pa sukses. Kjo ka qenë arsyeja pse kam qëndruar larg tregut muzikor. Deri sa arrita të takoj producentin Aleksandër Gjonpalaj, që sot është edhe miku im shumë i mire, por njëkohësisht edhe producenti im. Me atë kam punuar disa projekte shumë të mira deri tani. Kam shumë këngë, të cilat i kemi punuar në studio, këngë të cilat do i publikoj një e nga një. Do shihni së shpejti shumë projekte prej meje.
CMG: Gjithashtu kërcimi është një armë e fortë e jotja në skenë. Na trego për dashurinë tënde për kërcimin.
Borana: Dashuria ime për kërcimin ka nisur që fëmijë, por më seriozisht jam angazhuar në moshën e adoleshëncës, ku u regjistrova në një klasë kërcimi në Greqi, kur isha në klasën e shtatë. Më kanë mbetur në mendje shumë leksione që kam marrë në kërcim. E kam patur edhe të natyrshme, por aty provova që të kërceja me një grup kërcimi. Mund t’i kërcej të gjitha rrymat muzikore, gjithashtu mund të këndoj edhe të gjitha këngët. Kërcimi ka ardhur gjithmonë në shërbim të këndimit.
CMG: Ti këndon, kërcen dhe performon shumë bukur. Çfarë pret në të ardhmen?
Borana: Pres që në të ardhmen të bëhem një artiste e kompletuar. T’i vë në punë të gjitha aftësitë e mia artistike, si të këndimit, ashtu edhe të performimit në skenë, kompozimit, etj. Pra të jem një këngëtare e veçantë. Dua të shquhem si një performuese në skenë, që ka edhe një potencial shumë të madh vokal. E di që kjo gjë kërkon një punë shumë të madhe, por do punoj e do ia dal të arrij, aty ku unë kam synuar që fëmijë.
Borana (Foto personale)
CMG: Ti ke studiuar për Administrim -Biznesi dhe Marketing. Çfarë lidhje kanë me muzikën? A mendon të ecësh paralelisht me artin?
Borana: Patjetër që shkolla është shumë e rëndësishme në jetën e njeriut dhe në asnjë moment nuk duhet anashkaluar. Më pëlqen që artistët të kenë një formim të mirë, përveç muzikës. Una zgjodha të studioja për Administrim -Biznesi dhe Marketing, sepse të aftëson edhe për jetën. Pavarësisht se mund të jem këngëtare, por aftësitë e mira në menaxhimin e artit tim, do më hyjnë shumë në punë, për mënyrën si do e menaxhoj veten time. Edhe pse është një degë larg muzikës, kjo hyn në funksion të muzikës dhe imazhit tim. Një këngëtar duhet të ketë një plan të mirë marketingu kur hyn në tregun muzikor.
CMG: Ti ke lindur në Korçë, ke jetuar dhe ndjekur shkollën në Greqi, por prej shumë vitesh jeton në Tiranë. Ku ke vendosur të jetosh në vazhdim?
Borana: Dua të zbuloj se çfarë mundësish do më ofrohen në Tiranë, pasi është një vend ku unë mund të jap shumë. Ngelet për t’u zbuluar. Mua më pëlqen shumë kjo pjesa emigmatike e së ardhmes, se çfarë do ndodhë në vazhdim. Kam përshtypjen se një njeri ka ambicie kudo që të jetë, do ketë gjithmonë një mundësi për t’ja dalë që të realizojë ëndërrat e tij. Mendoj se në Shqipëri ka një vend dhe për mua si artiste.
CMG: Cilat janë planet e tua për vitin 2024?
Borana: Kam dëshirë shumë që të marr pjesë në konkurime, si “Kënga Magjike”, apo Festivali i Këngës. Kam shumë dëshirë që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Unë nuk e di a do të ndodhë, por dëshira është e madhe. Do të publikoj vazhdimisht këngë të reja me videoklipe, gjithashtu kam dëshirë që të merrem edhe me “social-media”, do të shihni shumë gjëra të bukura nga unë në vazhdim.
CMG: Një tjetër pasion i yti është edhe moda?
Borana: Është e vërtetë. Unë jam rritur me mamin, e cila kishte në shtëpi një makinë qepëse të cilën ja kishin trashëguar dhe ma trashëgoi mua. Në fillim dizenjoja veshje për kukullat e mia, e më pas fillova të krijoja për vete. I vizatoja në fletë veshjet e mia e më pas i qepja. Këtë gjë e bëj edhe sot, më pëlqen që të realizoj vetë veshjet e mia skenike. Madje edhe në performancën time të parë në “X-Factor”, veshja ime ishte e ideuar dhe dizenjuar prej meje, të cilën e qepi një rrobaqepëse shumë e besuar e imja. Dhe nëse e keni parë dorezën e kuqe me gurë, atë e realizova të gjithën vetë. Kam qëndruar një natë të tërë për ta punuar dhe të nesërmen dola në skenë. Mendoj se është një nga gjërat më të bukura që kam bërë, ku kam realizuar përveç këndimit, veshjen time, kërcimin, e gjithçka vetë në hapjen e “X-Factor”. Erdhi e gjitha shumë bukur tek unë.
Intervistoi: Sava Lena