Wang Yi: Kina mbetet një shtyllë stabiliteti në një botë të trazuar
2024-02-18 14:15:40

CFP

CFP

Kina do të ruajë gjithmonë vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e politikave të saj kryesore dhe do të qëndrojë e palëkundur si një shtyllë stabiliteti në një botë të trazuar, pavarësisht se si mund të ndryshojë peizazhi ndërkombëtar, tha të shtunën ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi.

Wang, gjithashtu një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i bëri vërejtjet në një fjalim kryesor të titulluar "Duke vepruar në mënyrë të vendosur si një forcë për stabilitet në një botë të trazuar" gjatë sesionit "Kina në botë" në Konferencën e 60-të të Sigurisë në Mynih. Kina do të jetë një forcë për stabilitet në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të mëdha, tha Wang.

Ai tha se Kina do të punojë me Shtetet e Bashkuara për të zbatuar mirëkuptimet e përbashkëta të arritura nga krerët e të dy shteteve për të çuar përpara lidhjet dypalëshe në rrugën e duhur të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitim reciprok.

Wang tha se Kina do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve me Rusinë dhe do të promovojë stabilitetin strategjik në rajonin e Azi-Paqësorit dhe në botë në përgjithësi, ndërsa në të njëjtën kohë do t'i përmbahet edhe partneritetit Kinë-BE dhe do të injektojë energji pozitive në përpjekjet për të adresuar turbulencat globale, ai shtoi.

Kina vepron sipas Iniciativës së Sigurisë Globale dhe është e përkushtuar të ndjekë një qasje kineze për të zgjidhur çështjet e nxehta, tha Wang. Ai shtoi se Kina këmbëngul për mosndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe kundërshton imponimin e pikëpamjeve të saj ndaj të tjerëve. Kina u përmbahet qasjeve të drejta dhe objektive në vend që të kërkojë përfitime egoiste, zgjidhjeve politike në vend të përdorimit të forcës, tha mes të tjerash ai. Sipas kryediplomatit kinez, Kina ka insistuar gjithmonë në menaxhimin e dallimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe konsultimit.

CFP

CFP

Wang vuri në dukje se Kina është e gatshme të punojë me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore për të çuar përpara konsultimet mbi Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore me një ritëm më të shpejtë dhe për të promovuar bashkëpunimin detar dhe zhvillimin e përbashkët.

Kina do të jetë një forcë për stabilitet në rritjen të qeverisjes globale, tha Wang, duke shtuar se Kina mbështet autoritetin dhe statusin thelbësor të Kombeve të Bashkuara, si dhe rolin kryesor të Këshillit të Sigurimit në çështjet e paqes dhe sigurisë.

Kina ka forcuar solidaritetin dhe bashkëpunimin në Jugun Global dhe po përpiqet të rrisë përfaqësimin dhe zërin e vendeve në zhvillim në çështjet globale, shtoi Wang. Kina gjithashtu i ka ofruar botës më shumë të mira publike dhe ka dhënë kontributin e saj në trajtimin e sfidave ndërkombëtare, tha ai. Wang tha se Kina do të jetë një forcë për stabilitet në promovimin e rritjes globale.

Ekonomia e Kinës ka qenë e gjallë dhe elastike, tha Wang, duke vënë në dukje se momenti i saj pozitiv afatgjatë është bërë më i dukshëm. Në të ardhmen, ekonomia kineze do të sjellë përfitime edhe më të mëdha për botën, theksoi ai.