Egzon Dida është këngëtar i muzikës popullore të veriut të Shqipërisë. Ai rrjedh nga një familje me tradita të muzikës dhe folklorit, ku xhaxhi i tij Hysen Dida është një nga interpretuesit e njohur të muzikës folklorike. Egzoni ka nisur të këndojë që në moshë të vogël, për të vijuar më pas me realizimin e disa këngëve popullore të cilat janë pritur mjaft mirë nga artdashësit. Jeton prej 10 vitesh në Angli, ku është i pranishëm në aktivitetet që organizohen nga komuniteti shqiptar. Së shpejti do të publikojë pesë këngë të mirëfillta popullore të tevës së veriut. Në një intervistë për Radio Ejani Egzon Dida tregon për fillimet e tij me këngën, aktivitetet muzikore në diasporë dhe projektet në vazhdim.
CMG: Si lindi dëshira për të interpretuar këngën popullore tradicionale?
Egzon Dida: Ne e kemi traditë si familje muzikën, sidomos folklorin. Jam nipi i këngëtarit të njohur të muzikës folklorike Hysen Dida. Unë që i vogël e kam patur pasion muzikën popullore dhe jam përpjekur që gjithmonë të shkoj në hapat e folklorit. Prandaj që në moshën shtatë vjeçare kam vazhduar të merrem me muzikën rapsodike dhe folklorin dhe sot jam shumë krenar që jam në familjen e muzikës.
CMG: Cila ka qenë kënga e parë që je prezantuar në publik?
Egzon Dida: Unë qëkur isha i vogël pashë se kisha dhunti muzikën dhe isha në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Has në moshën 7-8 vjeçare. Mbaj mend që profesori im Latif Gjeçi, që e përshëndes shumë, më ka thurur një këngë që nuk do ta harroj kurrë. Kjo ka qenë kënga e parë që kam kënduar në një koncert në Fushë-Arrëz, duke fituar çmimin e parë si instrumentist dhe rapsod për fëmijë.
CMG: Krijimtaria juaj muzikore është e re apo ke dhe materiale muzkore të bazuara në këngët e vjetra popullore?
Egzon Dida: Kam dhe këngë të bazuara në këngët e vjetra popullore, por kohët e fundit kam pasur disa këngë të reja nga krijimtaria ime personale. Dsa prej tyre i kam publikuar dhe disa të tjera i kam në projekt.
CMG: Me kë ke bashkëpunuar për realizimin e materialeve muzikore?
Egzon Dida: Dua të falenderoj bashkëpunëtorët e mi. Unë punoj me Dritan Fazlliu dhe Muhamet Selimin në Kosovë që kanë studion e tyre muzikore,. Ata më kanë ndihmuar shumë në realizimin e këngëve dhe akoma po punoj aty për projektet e mia. Gjitashtu falenderoj shumë tekstshkruesit Milaim Islami, një krijues shumë i mirë nga Kosova, por dhe xhaxhain tim Hysen Dida, i cili më ka mbështetur gjithmonë me tekstet dhe meloditë e këngëve.
CMG: Ke realizuar ndonjë duet me xhaxhain, këngëtarin e njohur Hysen Dida?
Egzon Dida: Ka qenë gjithmonë ëndërr të bëja një këngë me xhaxhain tim. Këtë ëndërr e kam bërë realitet para dy vitesh dhe kënga titullohet “Këtë dhuratë e ke nga Zoti”, ku tesktin e ka bërë xhaxhai dhe unë jam tepër i emocionuar sa herë e dëgjoj atë këngë.
CMG: Cilën nga këngët do ta veçoje si më të dashurën për ty dhe publikun?
Egzon Dida: Padyshim që është kënga në duet me xhaxhain, sepse në të gjitha aktivitetet ku marr pjesë më komplimentojnë për këtë këngë. Ka shumë njerëz që më kanë thënë se kur e kanë dëgjuar atë këngë për herë të parë kanë qarë.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore ku ke marrë pjesë?
Egzon Dida: Unë kam gati 10 vjet që jetoj në Londër dhe dua të falenderoj të gjithë shqiptarët në diasporë, kryesisht këtu në Angli sepse më kanë mbështetur dhe më kanë thirrur në dasmat dhe gëzimet e tyre familjare. Jam shunë krenar dhe falenderues ndaj tyre. Unë dhe pse jetoj në emigrim nuk e kam ndalur këngën, duke u marrë vetëm me muzikë folklorike dhe rapsodike në Londër.
CMG: Ke nostalgji për vendlindjen tani që jeton larg?
Egzon Dida: Fatmirësisht ka pesë vjet që kam bërë dokumentat dhe sinqerisht nostalgjia është e madhe. Të them të drejtën ne emigrantët jemi të huaj këtu, prandaj kam shumë nostalgji për vendlindjen. Shpresoj që shumë shpejt të kthehem, sepse atje e kemi nisur këngën dhe atje do të vdesim.
CMG: Ke realizuar duete me të tjerë këngëtarë popullorë?
Egzon Dida: Kam realizuar disa duete, ku këngën e parë e kam patur me rapsodin nga Kosova Sabit Bilali. Gjithashtu kam patur shumë ekperiencë pune me këngëtarin nga Kukësi, Nexhip Dida në Londër, ku kemi krijuar një bashkëpunim “Hasi dhe Kukësi gjithmonë bashkë”. Kam patur kënën me xhaxhanin tim Hysen Dida, dhe me rapsodin Hamit Kastrati kam bërë një këngë kurbeti. Kam bërë dhe një këngë për kurbetin me djalin e të njohurit Sherif Dervshi, Fatjonin i cili është një këngëtar shumë i mire dhe kohët e fundit punojmë bashkë. Tani kam një duet me këngëtaren nga Kosova Merita Gashi, që titullohet “Vëlla e motër”.
CMG: Sa e rëndësishme është për ty ruajtja e traditës së muzikës popullore dhe asaj folklorike?
Egzon Dida: Fatmirësisht deri tani po e mbaj mjaft mirë folklorin, sepse kohët e fundit folklori është ringjallur pak. Këtë gjë e shoh dhe këtu në Angli, që e duan folklorin. Shpresoj që dhe brezat e tjerë që do vijnë ta duan këtë traditë sepse është historia e kombit tonë.
CMG: Ke ndonjë instrument popullor që luan?
Egzon Dida: Unë luaj me çifteli dhe sharki dhe jam shumë mirë me këto dy instrumenta sepse këndoj me çifteli.
CMG: Si je pritur nga publiku gjatë aktiviteteve ku ke marrë pjesë?
Egzon Dida: Kam shumë mbështetje nga rinia dhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli, sepse gjithmonë kam qenë pjesë e gëzimeve të tyre familjare, shoqërore, nëpër martesa, fejesa dhe ditëlindje. Publiku më ka pritur mjaft mirë dhe unë gjithmonë jam ndjerë shumë mirë në këto aktivitete.
CMG: Sa domethënës është për këngën popullore kostumi tradicional kur e vishni gjatë interpretimit?
Egzon Dida: Kostumi kombëtar tregon vlerat dhe të kthen në origjinën tënde. Unë e kam përdorur shumë herë kostumin popullor kur shkoj nëpër aktivitete muzikore. Kostumi tradicional është diçka shumë mbresëlënëse për mua.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Egzon Dida: Kam pesë projekte të reja që akoma nuk i kam nxjerrë. Kam një këngë kurbeti në duet me Merita Gashin, por kam dhe dy-tre këngë të reja të miat që tekstetet i ka bërë Milaim Islami dhe Hamit Kastrati. Shpresoj që brenda një muaj këto këngë të publikohen.