Në veprimtarinë përkujtimore të 100-vjetorit të lindjes së aktorit dhe dramaturgut të shquar të skenës dhe ekranit Sulejman Pitarkës ministri Blendi Gonxhe e kujtoi me fjalët: “Ne sot, kujtojmë dhe nderojmë një figurë të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, aktorin e mirënjohur, Sulejman Pitarka”.
Sulejman Pitarka lindi në Dibër më 2 shkurt 1924, por në vogëli familja e tij u detyrua të shpërngulej drejt shtetit shqiptar ku u vendosën në Durrës në vitin 1927 kur ai ishte në moshën tre-vjeçare. Sulejman Pitarka ka luajtur me sukses shumë role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai filloi punë në bankë. Libri i tij “Trimi i mirë me shokë shumë” është një dramë për fëmijë ku flitet për Skënderbeun. Një nga aktorët më të spikatur shqiptarë, “Artist i Popullit”, me interpretimet e jashtëzakonshme të dhjetëra roleve, Pitarka përcolli te publiku karaktere të ndryshme, duke i realizuar këto role të paharruara për kujtesën e artdashësve shqiptarë.
Sulejman Pitarka, është nderuar në teatër dhe kinematografi me çmimin për “Karrierën”, Medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”, “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Dibrës. Ai ka patur disa përvoja skenike, pothuajse rastësore, gjatë shërbimit ushtarak në vitet (1945 – 1947) që e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit.
Në vitin 1951 u përzgjodh për t’iu bashkëngjitur trupës ende në formim të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku interpretoi rreth 50 role, duke shkëlqyer si në dramë, ashtu edhe në komedi. Sulejman Pitarka ndërroi jetë më 24 mars 2007.
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së dramaturgut dhe aktorit të dashur të skenës dhe ekranit shqiptar, Sulejman Pitarka, “Nderi i Kombit”, “Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit” i ka dedikuar muajin shkurt veprimtarisë së tij artistike në kinematografi, duke shfaqur çdo javë nga një film ku artisti ka aktruar. Filmat janë projektuar në kinemanë @KINOjonë si dhe streaming online.
Në kujtim të tij kanë filluar të shfaqen filmat që më 2 shkurt, duke nisur me filmin “Vdekja e burrit” me regji nga Lisenko Malaj, 1991, më 9 shkurt me “Larg barbarëve” me regji nga Liri Begeja, 1994, më 16 shkurt filmi “Pas gjurmëve” me regji nga Xhanfise Keko, 1978, si dhe më 23 shkurt do të shfaqet filmi “Rrethimi i vogël” me regji nga Saimir Kumbaro, 1986.
Vitet ecin, por figuara e tij lartësohet gjithmonë. Skena e teatrit shqiptar ku ai u rrit e ndjen mungesën e tij, ekrani i kinemasë e ndjen madhështinë e kolosit të filmit shqiptar. Ai hyri në historinë e dramës shqipe si autor në dramën e njohur "Familja e Peshkatarit" dhe që nga ajo ditë ai do të ngjiste shkallët e suksesit. Janë të shumta rolet që Pitarka krijoji në teatër ndër të cilat “Familja e peshkatarit” ,”Shtatë shaljanët” , “Borgjezi fisnik”,”Vajza nga fshati”,”Doktor Aleksi”, “Trimi i mirë me shokë shumë”,”Besa e madhe” ,”Epoka para gjyqit”. “Prefekti” ,”Pjata e drurit” etj. Edhe pse Sulejman Pitarka përpara se të ndahej nga jeta ka qenë i sëmurë dhe në moshë të madhe, ai nuk ju nda skenës, por do të shkëlqente deri në vitet e fundit të jetës në dramën "Pjata e drurit".
Mbeten të paharruara rolet që ai gdhendi me aq dashuri në filmat: “Historiani dhe kameleonët” i vitit (1989), “Rrethimi i vogël” (1986) , “Nata e parë e lirisë” (1984), “Në prag të lirisë” (1981), “Shtëpia jonë e përbashkët” (1981) , “Goditja” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978) , “Pas gjurmëve” (1978), “Gunat mbi tela” (1977), “Tinguj lufte” (1976), “Horizonte të hapura” (1968), “Debatik” (1961). Në 100 vjetorin e lindjes së tij, Sulejman Pitarka ky kolos i skenës dhe kinemasë shqiptare, do të mbetet një shkollë e teatrit dhe e kinemasë shqiptare për brezat që do të vijnë.