Mesazhi i 6 vjeçares Aria Kananaj për të gjithë fëmijët e botës
2024-02-16 11:50:06

Aria Kananaj është  një 6-vjeçare nga qyteti i Vlorës, e cila vitin e kaluar ishte pjesëmarrëse në spektaklin televiziv  për fëmijë “Në Kurthin e Piter Pan”, në televizionin Klan. Këtë ëndërr Arias ia ka plotësuar familja, me të cilët ka një marrëdhënie të bukur. Për Radio Ejani vogëlushja Aria dhe nëna e saj Ira shprehin emocionet dhe lidhjen e tyre të magjishme

CMG: Si ka qenë momenti kur duhet të përzgjidhnit emrin e vajzës suaj Aria ?

Ira Kananaj: Kemi parë shumë emra dhe jemi përpjekur qe të gjejmë një emër unik. Në vitin 2017  kur Aria lindi ishte një vit ku sapo kishte dalë emri dhe për mua kuptimi i emrit, që do të thotë ajër është shumë i rëndësishëm sepse tregon se pa ajrin nuk jetohet. Aria simbolizon thelbin e jetës, duke na kujtuar se pa ajrin, jeta humbet kuptimin. Emri "Aria" nuk është thjesht një fjalë, por një pikënisje e një historie unike, e lidhur me rëndësinë e ajrit për jetën.

CMG: A jeni si motra apo përpiqeni të luani vetëm rolin e nënës?

Ira Kananaj: Si për çdo vazjë unë jam motra dhe shoqja e saj më e mirë. Mos harrojmë që si vajzë lidhja më e veçantë është me babain dhe kjo e bën edhe më të bukur jetën. Aria është një fëmijë që nuk mjaftohet me pak, por kërkon gjithmonë më shume. Ajo është një fëmijë hiperaktiv dhe unë përpiqem që të jem çdo sekondë të ditës me të. Koha që kaloj me Arian nuk është thjesht një kohë e kaluar; por një eksperiencë e pasuruar me biseda të pafundme, lojra të çuditshme dhe emocione të pastra. Çdo ditë është një aventurë e re, që ne kemi përgatitur së bashku, duke hedhur themelet e një kujtimi të paharrueshëm.

Në këtë vallëzim të përbashkët të jetës, unë ndihem e privilegjuar që kam rolin e motrës dhe shoqes më të mirë për Arian

CMG: A është shtatëzania për  gruan një përgjegjësi?

Ira Kananaj:  Shtatëzania është ngjarje shumë e rëndësishme për çdo grua dhe të jep ndjesi të ndryshme. Mëmësia të ofron  kënaqësi, por edhe stres. Kjo periudhë të jep ndjesi që askush nuk i ka përjetuar më parë. Ndjenja e të qenit nënë është një eksperiencë unike, e cila nuk ka krahasim me asgjë tjetër në jetë. Por sot, prindërimi përballet me sfida të reja, përfshirë marrëdhënien e fëmijëve me teknologjinë. Lufta për t'u përshtatur me këtë realitet të ri, ku fëmijët janë të lidhur ngushtë me teknologjinë, sjell ndjesinë e një varësie të re, e cila kërkon një balancë të kujdesshme.

Në këtë epokë të teknologjisë, prindërit janë në kërkim të rrugëve për të ndihmuar fëmijët e tyre të zhvillojnë aftësitë, pa humbur lidhjen e bukur prind-fëmijë. Kështu, shtatëzania dhe prindërimi janë jo vetëm një udhë e çuditshme e kënaqësisë, por edhe një rrugëtim i vështirë dhe emocionues, ku prindërit përpiqen për të gjetur ekuilibrin midis traditës së vjetër të prindërimit dhe realitetit të teknologjisë së sotme.

CMG: Si u bë Aria pjesë e  spektaklit ‘Në Kurthin e Piter Pan’?

Ira Kananaj:  Krejt rastësisht dëgjova për audicionet. Aria është fëmijë që nuk ka emocione dhe ishte format që  ju përshtat shumë. Aria aty ka gjetur miq të mirë dhe mbi të gjitha vajza shfaqi një pasion që nuk e njihnim më parë.

CMG: Ku e shihni të ardhmen e vajzës suaj?

Ira Kananaj:  E ardhmja e vajzës sime është në dorën e saj. Nuk dua të përcaktoj asgjë, por do t’ia lëmë kohës se çfarë do vendosë ajo vetë për jetën e saj.

CMG: Cila është kërkesa e saj më e çuditshme?

Ira Kananaj:  Aria na kërkon shpesh një motër  dhe është një nga ëndrrat e saj. Një sekret të vogël po e ndaj në këtë bisedë, vajza ime lutet çdo natë që kjo dëshirë t’i plotësohet.

CMG: Çfarë do të sakrifikonit për fëmijën?

Ira Kananaj:  Për fëmijën tim do bëja çdo gjë si çdo prind.

CMG: A keni ju një mesazh për të gjithë fëmijët?

Ira Kananaj: Mesazhi më i mirë që mund të jap është që të gjithë prindërit duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre, duke shmangur në formë kategorike ekranin e telefonit dhe duke i dhënë shpresë, motivim dhe çdo gjë tjetër që atyre iu duhet për të pasur një fëmijëri të lumtur.

Në këtë bisedë të ngrohtë plot ngjyra dhe emocione na është bashkuar edhe Aria, e cila tregon pjesë nga jeta e saj fëminore

CMG: Aria, cilat janë ëndrrat e tua?

Aria Kananaj: Unë ëndërr kam mediat dhe dua që të angazhohem në to. Dua që të më angazhojnë dhe të më japin mundësi të tregoj veten sepse e dua botën e televizionit.

CMG: Si u ndjeve qe ishe pjesë e spektaklit "Në kurthin e Piter Pan"?

Aria Kananaj: Unë aty gjeta shumë shokë dhe shoqe, që më ndihmuan dhe u argëtuam të gjithë bashkë.

CMG: A ndihesh e lumtur që mami dhe babi ta plotësuan këtë ëndërr ?

Aria Kanaj: Unë ndihem shumë e lumtur dhe për këtë më kanë mbështetur edhe nëna edhe gjyshi im.

CMG: Cila është dëshira më e madhe e jotja ?

Aria Kanaj: Të ndihmoj të gjithë fëmijët që nuk kanë ushqim në botë.