Autostrada digjitale në ekonominë e Shqipërisë
2024-02-16 11:47:09

Më 5 shkurt qeveria shqiptare dhe kompania hungareze “4iG” nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore që lidh Shqipërinë me Egjiptin. Kjo është linja e parë ndërkontinentale kabllore e Shqipërisë. Ndërtimi i linjës direkte kabllore nënujore me fibra optike Shqipëri- Egjipt parashikohet të sjellë impakt pozitiv për ekonominë tonë, duke hapur vende të reja pune, ulur kostot e shërbimit të internetit dhe krijuar mundësi të reja të digjitalizimit dhe ndërveprimit të ekonomisë sonë me ato të rajonit dhe më gjerë.

Linja direkte kabllore nënujore do të lehtësojë lidhjen e mëtejshme dhe aksesin e operatorëve tanë ekonomikë në destinacione kryesore ekonomike të Evropës Lindore, Azisë dhe Afrikës Lindore. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në nënshkrim, e konsideroi projektin si një “autostradë digjitale” të Mesdheut dhe cilësoi se Linja Shqipëri-Egjipt shënon një gur kilometrik për vizionin e Shqipërisë 2030 dhe për strategjinë e shndërrimit të vendit në vatër gjeneruese të inovacionit në rajon.

Ndërkohë, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe ofrimi i tyre online për qytetarin është një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Ai ka lehtësuar qytetarët nga kostot financiare, barra e radhëve dhe humbja e kohës, me procedurat burokratike të marrjes së vërtetimeve të ndryshme në mënyrë fizike.

Nga 1 Maji i vitit 2022, 95 përqind e të gjitha shërbimeve publike të administratës shtetërore të Shqipërisë kaluan online, përmes portalit e-Albania. Sipas INSTAT, sot kemi online 1227 shërbime që jepen nga 83 institucione shtetërore, përmes 58 regjistrave digjitalë. Në “e-Albania” janë rregjistruar 2.8 milionë përdorues, nga të cilët 220 mijë janë biznese.

Këto përparësi në digjitalizimin e shërbimeve publike, sollën që institucionet ndërkombëtare ta rendisnin Shqipërinë lart në dy vitet e fundit, për nga shërbimet publike online.

 

Shqipëria ka sot një infrastrukturë të mbulimit të shërbimeve online në 99.9 % të territorit, ndërsa prioritet i punës së qeverisë është përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve online, zgjerimi i tyre edhe për shërbimet vendore në të 61 bashkitë e vendit dhe ulja e ekonomisë cash. Në intetvistë për Grupin Mediatik të Kinës Erion Demiri, ekspert i teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit flet gjerësisht për këtë.

 

CMG: Qeveria lidhi këto ditë një marrëveshje me kompaninë hungazere 4iG për linjën nënujore kabllore të fibrave optikë Shqipëri-Egjipt. Kreu i qeverisë foli për autostradë digjitale për Shqipërinë. Ç’do të thotë kjo?

Erion Demiri: Është e rëndësishme të kuptojmë se, kur bëhet fjalë për këtë lidhje kabllore, e cila është nënshkruar, kemi të bëjmë me shtrimin e disa kabllove tejet të rëndesishme, të cilat do të ofrojnë një lidhje direkte të Shqipërisë me Egjiptin. Kjo ka rëndësi, pasi në Egjipt përfundojnë një sasi shumë e madhe e kabllove të tjera nënujore nga Europa. Këto më pas bëjnë lidhjen me Azinë.

Në konceptin e infrastrukturës së internetit, kjo është shumë e rëndësishme, për shkak se ne nuk kemi pasur lidhje të tilla direkte kaq të mëdha. Ne kemi lidhje me disa vende të rajonit tonë, por jo ndërkontinentale. Pikërisht, shpejtësia e këtyre lidhjeve apo varësia ndaj këtyre lidhjeve i sjell direkt efektet tek çmimi që ne sot paguajmë për internetin, tek çmimi për lidhjet e ndryshme  ndërkombëtare, për komunikimin, etj.

Kështu që në aspektin teknik është tejet e rëndësishme. Kompania hungareze “4iG”, e cila po e bën dhe është pjesë e madhe e këtij projekti, sigurisht e bën këtë, për të arritur një lidhje të mëtejshme deri në qëndrën në Hungari.  Shqipëria përfiton, sepse parashikohet që ne do të kemi lidhje më të shpejta direkte me ato që ne i themi backbone-t(shtyllat kurrizore) të internetit në Europë.

CMG: Pra, një lloj TAP-i digjital?

Erion Demiri: Është pikërisht kështu. Në rast se ne do të imagjinojmë si rasti i TAP-it, gazsjellësit, që ne ishim vend kalues dhe na jepte mundësi me akses në mënyra të ndryshme, unë mendoj se në këtë rast do të kemi akses direkt, pasi bëhet fjalë për linja të shpejta direkte dhe që na japin lidhje të shpejta me pjesën tjetër të botës, ku futet  Europa dhe Azia.

Linjat kryesore sot kalojnë nga Italia nëpërmjet Egjyptit dhe pastaj lidhen me pjesën tjetër të Azisë.

CMG: Mund të nënkuptohet kjo rritje e fluksit të të dhënave digjitale dhe shpjetësisë së internetit si ulje e kostos për qytetarët?

Erion Demiri: Sigurisht, pasi do të kemi një shpejtësi më të madhe. Jo pa arsye është zgjedhur termi “autostradë digjitale”, sepse është tamam si një investim i një rruge të re më të gjerë. Ne e dimë çfarë zhvillimi sjell një rrugë e re për vendin.

Ajo lidh dhe çdo autostradë që ne ndërtojmë. Dimë të mirat që sjell, pra shpejtësinë tonë të lëvizjes, shpejtësinë e lëvizjes së mallrave, shpejtësinë e lëvizjes së gjithshkaje.

Edhe në rastin e infrastrukturës së komunikimit, të tilla lidhje janë tamam si autostradat. Ato na japin një rrugë shumë më të shpejtë për kalimin e informacioneve dhe sot informacioni dhe shpejtësia e informacionit  janë një nga asetet kryesore të vendeve.

CMG: Në një nga bisedat më të fundit të kryeministrit dhe ministrave për ekonominë, në kuadër të nismës së qeverisë për themelimin e Shtëpisë së Biznesit, ka qenë ajo me përfaqësues të një industrie të re për vendin tonë, start up-et e quajtura FinTech, për teknologjinë e informacionit. Në këndvështrimin tuaj, ka ecur kjo industri e re tek ne?

Erion Demiri: Ka dy gjëra tek pyetja. E para, start up-et janë kompani të cilat krijohen dhe u jepet ndihmë nga institucionet e ndryshme, nga vetë qeveria. Kjo, ngaqë bëhet fjalë për kompani që krijohen nga persona të rinj, deri inovatorë.

Këto sipërmarrje, në ditët që ne jetojmë, janë shumë të vlefshme. Të gjitha vendet e botës po investojnë shumë në këtë fushë, sepse idetë mungojnë.  Në këtë moment, kompanitë start up Fintech, të cilat ofrojnë  shërbime financiare, duke u bazuar në Hi Tech, pra në teknologjinë e informacionit, janë direkt kompani që prekin sidomos sektorin finaciar.

Ne, në Shqipëri, në vitet e fundit kemi patur ndryshime të mëdha, por Shqipëria ka qënë gjithmonë mbrapa në këtë fushë. Ne e dimë që penetrimi i teknologjisë në sektorin financiar ka qënë tejet i ulët dhe vazhdon të jetë në shifra të ulta, që nga çasti që ne shikojmë radhë të gjata nëpër banka, gjë që në pjesën e zhvilluar të Europës nuk ndodh.

Kjo tregon që njerëzit vazhdojnë të kenë besim tek shërbimet në tavolinë, aty  tek dega e bankës dhe kështu me radhë.

Lindja dhe zhvillimi i start up-eve që prek Fintech-un, hapja e bankave ndaj kësaj fushe te re, sigurisht është e mirëpritur, sepse parashikohet që do të shtojë një sasi të madhe shërbimesh dhe njëkohësisht, do të sjellë uljen e kohës, që ne na duhet sot, për t’i marrë këto shërbime.

CMG: Ndërkohë, platforma e shërbimeve qeveritare e-Albania ka mundësuar që 95 përqind të shërbimeve të shtetit t’i ofrojë online për qytetarët. A mendoni se kjo platformë po i ndihmon ata të shpenzojnë më pak para dhe kohë për sigurimin e këtyre shërbimeve, apo kemi ende vështirësi?

Erion Demiri: Sigurisht, nuk mund të diskutohet shpejtësia, lehtësia që ka sjellë për marrjen e shërbimeve, në momentin që ne nuk kemi më sportele dhe ato radhët e gjata për të marrë një çertifikatë krejt të thjeshtë.

Unë jam nga një qytet që është pranë qytetit ku jetoj dhe më duhet të shkoja, të humbisja gjysëm dite, për të marrë një çertifikatë.

Kjo nuk diskutohet, që sot cilësia e këtyre shërbimeve është shumë e lartë, efektiviteti është rritur dhe mendoj që kostot, duke patur parasysh kostot e të gjithë  personave apo zyrave që shërbenin më parë, deri tek letrat e printuara, janë ulur.

Në momentin e kalimit të gjithshkaje në infrastrukturë digjitale, sigurisht që persona të caktuar, të cilët nuk janë mësuar, do të hasin vështirësi.

Vështirësi të cilat po kalohen dalëngadalë. Kemi patur, kur kaluan të gjitha shërbimet online, patëm hapjen e disa zyrave ndihmëse, shërbime asistence që nuk i shoh më.

Kjo tregon se kërkesa për të tilla shërbime nuk vazhdon të jetë më në ato nivele që u pa në fillim. Pra, njerëzit  janë mësuar, si edhe të kenë ndonjë person të afërm të familjes për t’i ndihmuar dhe gjërat po ecin ashtu siç duhet.

CMG: Ju përmendët prapambetjen relative të vendit tonë në fushën financiare dhe sidomos në atë të shërbimeve bankare online. Në fillim të shkurtit, në një takim në Shtëpinë e Biznesit, kryeministri u shpreh se është momenti për aplikimin e protokolleve të Open Banking. Kryetari i Shoqatës së Bankave u shpreh se bankat janë gati, por nuk janë gati kompanitë Fin Tech. Si e gjykoni këtë proces? 

Erion Demiri: Unë nuk mendoj, ndoshta kryetari i shoqatës së bankave ka më shumë informacion, por unë, me ato informacione që kam nga banka të ndryshme, nuk mendoj që bankat janë tërësisht gati për Open Banking.

Open banking  është në diskutim në shumë vende të botës, jo vetëm në Shqipëri. Pra, bëhet fjalë që bankat të jenë më të hapura, që bankat të ofrojnë ato që quhen  protokolle, ku  kompani të ndryshme të Fin Tech të ofrojnë shërbime të caktuara tek këto banka, të kenë mundësi aksesi dhe me këtë akses, të kenë mundësi për ofrimin e shërbimeve.

Bankat, nga vetë mënyra që janë ndërtuar prej shekujsh tashmë, janë shumë skeptike. Ato nuk janë institucione, të cilat presin me krahë hapur gjëra të tilla. Kanë qënë gjithmonë drejt vetëpërmbajtjes, pasi astetet që ato kanë, janë të lakmueshme nga personat rreth e rrotull.

Kështu që nuk merret si e gabuar, pse banka mund të ofrojnë një lloj rezistence ndaj këtyre hapjeve. Ndërkohë, sigurisht, teknologjia ecën përpara, zhvillimi do të vijë.

Gjërat nuk mund të mbeten ashtu siç ishin, asnjëherë, dhe sigurisht kemi diskutime të vazhdueshme. Kompanitë Fin Tech, për shkak të shumë faktorëve, kanë qenë në pritje.  Një faktor themelor ka qënë edhe  ligji për to, që ishte shumë i paplotë. Kjo, ngaqë një ligj, pasi të miratohet, duhet kohë që ai të vihet në zbatim.  Pra, nuk është se ndryshimi dhe reagimi vjen në sekondë.  Është e vërtetë që kompanitë tona Fin Tech kanë qënë tejet të ngadalësuara, të vogla. Prandaj bëhet gjithë ky investim te start up-et.

Por sigurisht, nga të dyja krahët, nuk mund të mendojmë se bankat janë plotësisht të hapura dhe vetm kompanit Fin Tech janë mbrapa. Të dyja këto kërkojnë kohë dhe punë për t’u bashkuar dhe ofruar zgjidhje.

 

CMG: Sa e ndihmon digjitalizimi financiar dhe bankar uljen e parasë cash, parasë kartmonedhë në ekonomi?

Erion Demiri: Sigurisht ashtu siç po thonim, Shqipëria, në krahasim me vende të tjera të rajonit, ka qenë mbrapa në fushën e teknologjisë.

Pra, në fushën e transaksioneve, të standarteve. Ne jemi mësuar që paranë ta prekim me dorë, të kemi portofole të fryra me para letër.

Po të shikosh, në vende të tjera të Europës, nuk ka as karta fizike, por vetëm karta fizike, të bazuar në pajisje mobile, në celular, etj.

Zhvillimi do të vijë, sepse përdorimi i këtyre teknologjive të avancuara sjell lehtësira për të gjithë ne. Sjell rritje të sigurisë, në momentin që ne nuk kemi më tufa parash nëpër xhepa dhe jemi të mbrojtur nga keqbërësit e ndryshëm.  Pra, automatikisht, siguria rritet, rritet shpejtësia e një transaksioni , mbajtja e informacioneve se ku shpenzohen dhe si shpenzohen, që është shumë e thjeshtë për secilin nga ne.

Nuk kemi më nevojë të mbajmë mend, ose të shënojmë shpenzimet që bëjmë. Në çastin që ti fillon paguan në forma të tilla, e ke shumë më të thjeshtë të kërkosh një ekstrakt nga banka dhe të shikosh se si je tarifuar, e kështu me radhë.

Në këtë aspekt, priten ndryshime. Këto dy-tre vitet e fundit ka ndryshim të madh. Përpara dy-tre viteve, shumica e personave nuk kishin as karta debiti, as llogari bankare.

Por, megjithë rezistencën e fillimit, mendoj që çdo qytetar i ka parë të mirat e këtij transformimi. Dhe sigurisht, duke parë vendet e Europës së zhvilluar, ku duam të shkojmë, unë pres që shpejt, për pak kohë, që paranë letër ta kemi më pak të përdorur në jetën tonë të përditshme.