Botohet artikulli i Xi Jinping-ut mbi ruajtjen dhe përmirësimin e sistemit të asambleve popullore
2024-02-16 14:19:45

Një artikull nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping mbi ruajtjen dhe përmirësimin e sistemit të asambleve popullore, duke siguruar që populli të drejtojë vendin, u botua të premten.

Artikulli nga Xi, gjithashtu president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, u botua në numrin e katërt të këtij viti të revistës “Qiushi”, organ qendror i Komitetit Qendror të PKK-së.

Sistemi i asambleve popullore është një sistem politik themelor për ruajtjen e unitetit midis udhëheqjes nga Partia, drejtimin e vendit nga populli dhe qeverisjen bazuar në ligj, vihet në dukje në artikull.

Ky sistem, sipas artikullit, është krijuar nga populli nën udhëheqjen e Partisë dhe është një shpikje e madhe në historinë e institucioneve politike dhe një sistem krejtësisht i ri politik me rëndësi të madhe në historinë e zhvillimit politik të Kinës, e madje edhe të botës.

Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së, Komiteti Qendror i PKK-së ka vazhduar risitë teorike dhe praktike në sistemin e asambleve popullore.

Demokracia popullore në gjithë procesin u shpall si një koncept kyç mbi bazën e një kuptimi më të thellë të rregullave që drejtojnë zhvillimin e demokracisë, vihet në dukje në artikull.

Aty shtohet se demokracia popullore në gjithë procesin në Kinë ka jo vetëm një tërësi institucionesh e procedurash, por edhe një pjesëmarrje civile të plotë.

Ajo është një demokraci që përfshin të gjitha aspektet e procesit demokratik e të gjithë sektorët e shoqërisë, si edhe është demokracia socialiste më e gjerë e më e vërtetë dhe me efektin më të madh të mundshëm, sipas artikullit.

Më tej vihet në dukje se është e nevojshme të vazhdojë përparimi i demokracisë popullore në gjithë procesin dhe sistemi i asambleve popullore është një mjet institucional i rëndësishëm për ta realizuar këtë.

Artikulli thekson gjithashtu rëndësinë e forcimit të institucioneve nëpërmjet të cilave populli drejton vendin.

Artikulli është një përmbledhje pjesësh nga fjalimet e rëndësishme të Xi Jinping-ut mbi temat përkatëse nga dhjetori 2012 deri më qershor 2023.