Suveniret kreative të muzeut pëlqehen nga të rinjtë kinezë
2024-02-15 13:21:37

Një lodër prej pelushi e quajtur “Happy Loong” ka pushtuar së fundmi zemrat e vizitorëve në Muzeun Provincial në Gansu të Kinës veriperëndimore. Modeluar sipas një objekti të dinastisë Ming (1368-1644) në formën e një dragoi kinez, mbi 1000 nga këto lodra topolake dhe të qeshura u shitën në javën e parë pasi ajo bëri debutimin e saj në fillim të këtij viti.

Wu Xiaoyu, projektuesja e lodrës, tha se ekipi krijues i dizajnit të produkteve kulturore të muzeut synonte të krijonte një version më të adhurueshëm dhe më të gëzuar të Loong-ut tradicional, për t'iu afruar më shumë shijeve të të rinjve. I krijuar në vitin 2015, ekipi përbëhet nga 12 dizajnues të rinj, ku më i riu prej tyre është 24 vjeç. Kjo qasje inovative ndaj suvenireve të muzeut pasqyron një prirje më të gjerë për t'i bërë produktet kulturore më tërheqëse për vizitorët e rinj kinezë të muzeut, duke rritur dhe të ardhurat nëpër muze të ndryshëm.

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Dyqani në internet i Muzeut të Pallatit, për shembull, ofron suvenire interesante që shfaqin figura të historisë kineze. Këto suvenire variojnë nga buzëkuqët tek erashkat, ngjitëset e kuletat dhe kanë marrë vlerësime të mira nga klientët. Në mënyrë të ngjashme, Muzeu Provincial i qytetit Liaoning ka zhvilluar rreth 300 lloje të produkteve kulturore, duke gjeneruar të ardhura prej 14 milionë juanë (rreth 2 milionë dollarë amerikanë) në vitin 2023.

Cui Youxin, drejtuesja e Qendrës së Produkteve Kulturore Krijuese në Muzeun Provincial të Gansu-së, deklaroi se suksesi i këtyre suvenireve novatore qëndron në aftësinë e tyre për të përmbushur kërkesat e të rinjve që kërkojnë argëtim dhe individualitet. Megjithatë, Cui theksoi se krijimi i produkteve kulturore vërtet gjeniale kërkon një njohuri personale të relikteve kulturore dhe sfondit të tyre historik.

“Vetëm ato që janë çimentuar thellë në historinë dhe kulturën kineze mund t'i qëndrojnë provës së kohës”,- tha ajo.

Përveç “Happy Loong”, Muzeu Provincial në Gansu ofron lodra të frymëzuara nga apsarat fluturuese të Shpellave Mogao dhe kali galopant prej bronzi nga dinastia Han lindore (25-220), të cilat kombinojnë historinë e pasur me kërkesat e Gjeneratës Z.

Gao Yafang, kreu i Kolegjit të Turizmit në Universitetin e Arteve dhe Shkencës në Lanzhou tha se suvenire të tilla kanë potencialin të nxisin interesin e të rinjve për trashëgiminë kulturore dhe t'i inkurajojnë ata të ruajnë kulturën tradicionale. Tregu i suvenireve muzeale në Kinë pritet të vazhdojë të rritet edhe më tej.

Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike në Kinë, në dhjetor 2023, propozoi që në vitin 2024 vendi të zhvillojë në mënyrë aktive pika të reja të rritjes së konsumit, siç janë mallrat e stilit kinez. Kjo paraqet mundësi të mira për projektues si Wu.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për të zhvilluar produkte novatore dhe të kënaqshme. Dhe këtë do ta bëjmë me dashuri dhe entuziazëm”,- tha ajo.