Skema favorite e sigurimit për fermerët
2024-02-15 13:09:46

Sigurimi bujqësor në Shqipëri vijon të mbetet i pazhvilluar, kjo edhe për shkak të kostove të larta të cilat nuk përballohen nga fermerët. Për këtë arsye Ministria e Bujqësisë po shikon mundësinë e subvencionimit të fermerëve, duke mbuluar një pjesë të faturës. Një gjë e tillë është pohuar për mediat nga zëvendësministri i Bujqësisë Arjan Jaupllari, i cili tha se kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur fermerët, ndërsa shtoi se është e ende herët për të thënë se në ç’masë do të mbulohet prima e sigurimit. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë thotë se shpesh është folur nëpër tryeza të tilla me qeverinë për nisma nxitëse të sigurimit, por nuk është bërë asgjë për ta finalizuar. Shqipëria, sipas saj është shumë mbrapa me sigurimet krahasuar me vendet e tjera.

“Në fakt Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë në emër të tregut të sigurimeve shpesh herë është përfshirë në tryeza të tilla diskutimi. Ka pasur tentativa, iniciativa për të filluar për ta eksperimentuar edhe këtë lloj sigurimi që është në nivele pothuajse të papërfillshme. Është e pafalshme në kushtet kur ne po përmendim katastrofat natyrore. Shqipëria nuk ka ndonjë industri tjetër nëse nuk nxisim fermerët, produktet vendore nëse nuk përdorim politika për t’i fuqizuar sadopak ata dhe ky është roli dhe misioni i qeverisë para se të kalojmë tek përgjegjësitë e biznesit. Jemi bërë pjesë të tryezave, për të diskutuar sesi shtetet e tjera e kanë zgjidhur këtë problem, dhe pa ndihmën e qeverisë nuk është e mundur që të zgjidhet.” - tha Hajdarmataj.

Shumica e fermerëve janë të vegjël, krijojnë aktivitet prodhimi të pakët sa për të mbuluar nevojat e tyre dhe as që flitet për sigurim. Ndërkohë sipas përllogaritjeve, Primi për sigurimin në bujqësi, del i lartë.

“Për nevojat e tyre, por dalin dhe në treg sa për të siguruar jetesën, por nuk janë regjistruar apo nuk janë formalizuar dhe ato që kanë më shumë produkt të shtuar nuk e kanë të formalizuar me nipt.  Duke qenë kështu ka shumë pastaj që përdorin skema mikrofinanciare për të marrë dhe për t’i investuar, por imagjinoni nëse një fermer i tillë ka marrë 5 mijë euro apo 6 mijë euro në mikrofinancat për një lloj aktiviteti të tij dhe t’i thuash nga kjo vlerë duhet 1 mijë e sa euro që duhet t’i paguash për sigurimin e produktit. Ky është raporti, duke qenë se në konceptin e sigurimeve kalkulimi i primit është sa ka kontribuues në atë skemë, sa ka qenë përqindja e dëmeve dhe ashtu llogaritet primi. Primi për sigurimin në bujqësi del jashtëzakonisht i lartë.Tani kalon 1 mijë euro.”  

Hajdarmataj jep shembuj që janë aplikuar, por nuk kanë funksionuar për të nxitur sigurimin. Ndërkohë ajo thekson rastin e Maqedonisë së Veriut.

“ U aplikua një herë me idenë që do merreshin sigurim kundrejt një primi të arsyeshëm me idenë që do futej si kulturë e fermerëve dhe do vazhdonim pastaj. U  ofrua nga një program falas që do ndërgjegjësoheshin dhe do ta vazhdonin vetë, por nuk funksionoi dhe nuk është faji i atyre, sepse është momenti që shteti të ndërhyjë me skema të tilla subvencionuese. Kam parasysh Maqedoninë e Veriut, pse aty është i suksesshëm si produkt? Sepse shteti është  bërë pjesë në mbulimin e një pjese diku 70 me 30%. 70% të primit ta mbulon shteti dhe 30 e mbulon fermeri dhe bëhet më e kollajtë që të ketë më shumë kontributues, duke zbritur   përqindjen e primit”, u shpreh ajo.

Nëse kjo kosto ndahet me shtetin, barra mbi fermerin bie më e vogël. Kjo indicje, sipas përfaqësuesve të kompanive të sigurimit është  e domosdoshme për të paktën 4 vite.

“Nëse do siguroheshin 3 mijë fermerë njëherësh nuk do ishte 1 mijë euro, por do zbriste tek 500 apo 600 euro. Në këtë 500 euro qeveria do thonte që 400 do i paguaj unë dhe 100 fermeri, atëherë dhe këtu do nxiteshin të tjerë dhe do shtoheshin kontributuesit. Menjëherë pastaj shkojmë drejt kultivimit të kulturës kur ti garantohesh kundrejt një skeme sigurimi dhe nëse ndodh me një sëmundje tek bagëtitë ose tek produktet bujqësore të të mbjellave ose prona jote, stallat apo bagëtia të sigurohen nga humbjet dhe në vitin e dytë tretë apo pasardhës fillojnë dhe destinohen fonde. Pra, kur rritet ekonomia patjetër do fillosh të vetëmbulohesh, pra vitet e para janë të domosdoshme dhe kemi propozuar si skemë dhe të paktën 2, 3 vjet, apo 4 vjet duhet të jetë qeveria. Mendojmë që është e lehtë për ta bërë dhe qeveria.”

Ndarja e primit me qeverinë, apo skemat e ndryshme të mbështetjes në bujqësi do të jenë një ndihmë e madhe për të ndarë kostot në këtë sektor që sipas Hajdarmatajt përkthehet në zbutjen e fatkeqësive apo dëmeve në bujqësi.