Jurgen Çika ka nisur të merret me sport që në moshë të vogël kur jetonte në Gjermani. Aktualisht vijon studimet e larta në degën e inxhinierisë elektronike. Ai fillimisht ka nisur të merret me Kung Fu, dhe më pas është aktivizur me Mixed Martial Arts (MMA). Jurgeni ka fituar titullin Kampion Europe në kategorinë profesionale MMA. Gjithashtu ai në ndeshjen e zhvilluar në Athinë të Greqisë ka përfaqësuar Shqipërinë mes 40 shteteve të tjera.
Çika veç titujve europianë mban dhe tituj ballkanikë profesionalë dhe botërorë Junior pro amator. Përveç angazhimit me sportin dhe titujve të fituar në garat ndërkombëtare, Jurgeni dallohet dhe për aktivizimin e tij me shoqërinë civile në ndihmë të komunitetit vullnetarisht. Ai ka kryer mjaft trajnime nga organizata ndërkombëtare, ku ka marrë dhe certifikatat përkatëse në këto trajnime. Në një intervistë për Radio Ejani Jurgen Çika tregon për rrugën e tij sportive, titujt e fituar dhe synimet për të ardhmen.
CMG: Si lindi dëshira për t’u marrë me sportin dhe në veçanti MMA?
Jurgen Çika: Unë këtë sport e kam nisur që në moshën 10 vjeçare. Këtë lloj sporti e kam traditë nga babai im, që ka qenë mundës. E kam nisur në Gjermani sepse në moshën 10 vjeçare kam emigruar drejt shtetit gjerman. Atje fillimisht jam marrë me Kung Fu, një sport shumë i disiplinuar dhe po ashtu ka të bëjë me shumë teknika dhe është shumë i ngjashëm me sportin që bëj tani, thjesht i mungon pak mundja. Pastaj kam filluar të merrem me artet marciale MMA, ku dhe vazhdoj këtë sport aktualisht. Është një sport që ka një disiplinë shumë të madhe dhe që përfshin gjithë llojshmërinë e sporteve si mundje, boks, kickbox dhe xhudo. Pra është një grupim artesh marciale.
CMG: Mendon se është mirë ta nisësh këtë lloj sporti në një moshë të vogël, siç e ke nisur dhe ti?
Jurgen Çika: Mendoj se gjëja më e mirë është ta fillosh në moshë të vogël, sepse fillon të marrësh disiplinën. Kjo për mua ka qenë një gjë shumë e mirë, sepse në fillim të karrierës e kam parë me një sy tjetër sportin dhe ka një dallim shumë të madh nëse e nis në një moshë më të madhe. Kur je në një moshë të vogël arrin t’i shohësh më mirë majat e suksesit. Besoj se ka qenë mirë që unë e kam nisur në moshë të vogël këtë sport.
CMG: Ke fituar titullin kampion Europe në MMA. Si je ndjerë për këtë arritje ndërkombëtare?
Jurgen Çika: Sinqerisht jam ndjerë shumë i emocionuar dhe sa herë që e përmend këtë gjë emocionohem shumë, sepse arrita të ngre flamurin shqiptar në Kampionatin Europian, ku ishin pjesëmarrës afërsisht 40 shtete dhe të konkurrosh e të ngresh flamurin tënd është një ndjenjë e paprëshkruar. Emocioni më i madh ishte kur kundërshtari u dorëzua dhe direkt mendoja të ngre flamurin. Në momentin që mbaroi ndeshja i thashë trajnerit që të më jepte flamurin sepse doja të bëja rreth kafazit falenderimet me flamurin tim. Ajo ishte ndjenja më e papërshkrueshme që më ka ndodhur në gjithë karrierën time.
CMG: Gjithmonë ke patur synimin të garosh për Shqipërinë, duke refuzuar shtete si Gjermania dhe Greqia?
Jurgen Çika: Unë në të kaluarën kam qenë me kombëtaren gjermane si amator dhe jam shpallur një herë kampion i Gjermanisë në Federatën Gjermane, por me kalimin e kohës nuk kisha shumë dëshirë për të bërë për shtetin gjerman. Unë i jam mirënjohës shtetit gjerman sepse më ka ofruar shumë të mira, si sponsorizime dhe gjëra të tjera, por kisha patriotizmin përbrenda dhe doja të kthehesha në Shqipëri dhe të bëja për shtetin tim.
CMG: Ke shkuar në Gjermani në moshën 10 vjeçare dhe ke qëndruar shtatë vite atje. Si ka qenë emigrimi për ty?
Jurgen Çika: Më kujtohen ditët e para që kam arritur atje, ku isha i huaj sepse mendoja sesi do të mësoja gjuhën apo do përshtatem me kulturën gjermane. Pra ishin ato ngurtësimet që kisha përbrenda, por pastaj e pashë se ishte një kulturë tjetër me rregulla dhe disiplinë. Kështu që fillova të ambientohem dhe pata përkrahjen e shumë miqve.
CMG: Ka qenë i lehtë vendimi që more për t’u kthyer në Shqipëri?
Jurgen Çika: Vendimi për t’u kthyer në Shqipëri nuk ishte fare i lehtë, por këtë gjë e kam menduar prej kohësh shumë gjatë. Unë garoja për Gjermaninë nëpër kompeticione ndërkombëtare, por nuk përfaqësoja shtetin tim, por shtetin gjerman. Mendova se është më mirë të vija këtu dhe të bëja për vendin tim, të kontribuoj për shtetin tim sepse jemi një vend që kemi shumë sportistë të mirë. Doja që dhe unë të jem pjesë e kësaj kategorie sportistësh, që të jap për vendin tim për të ngritur lart flamurin shqiptar.
CMG: Kush të ka mbështetur më shumë në rrugën e sportit?
Jurgen Çika: Së pari dua të falenderoj shumë familjen, e cila ka qenë e para që më ka mbështetur për çdo gjë. Babai ka qenë pika motivuese që më ka thënë se nëse e kisha me qejf këtë gjë, kurrë mos t’u dorëzoja dhe pse mund të kisha humbje apo dëmtime. Pastaj më kanë mbështetur dhe rrethi im shoqëror, duke më shtyrë që të vazhdoja përpara dhe për mua fjalët e tyre ishin shumë motivuese. Ndërsa nga ana e financimit kam pasur disa sponsora gjatë gjithë kohës, që më kanë mbështetur. Kohët e fundit më kanë mbështetur disa kompani, njëra prej tyre ka qenë ALBSIG, dhe më vonë më ka mëbshtetur dhe Swisscontakt. Pra këto dy kompani më kanë mbështetur në kompeticionin e fundit që zhvillova në Athinë.
CMG: Shteti shqiptar të ka mbështetur?
Jurgen Çika: Kam patur një përkrahje dhe nga shteti shqiptar, por jo përkrahje të plotë. Uroj që në vazhdim të kem mbështetje më të madhe, sepse e shoh që federatat kanë filluar të zhvillohen, dhe sporti ka filluar të marrë emër.
CMG: Përveç angazhimeve tuaja në sport dhe garat ndërkombëtare, një fushë tjetër ka qenë dhe angazhimi me shoqërinë civile, ku je certifikuar nga disa organizata ndërkombëtare.
Jurgen Çika: Unë ndoshta nuk kam patur mundësi që të ndihmoj komunitetin tim financiarisht, por kam mundur që ta ndihmoj vullnetarisht. Kam qenë vullnetar në shumë organizata dhe kohët e fundit kam kryer dhe një trajnim me UNICEF, duke qenë trajner në një trajnim për personat me aftësi të kufizuara. Ky ka qenë një nga trajnimet më të veçanta që kam marrë pjesë deri sot. Ka qenë një kënaqësi e madhe të rrish me ata njerëz, të bisedosh dhe të krijosh plane. Sinqerisht ishte një ndjesi shumë e veçantë.
CMG: Çfarë janë vlerësimet për ty?
Jurgen Çika: Për mua çdo çertifikatë apo vlerësim i marrë më jep një lloj kënaqësie. Unë çdo moment që shoh certifikatën kthej gjithë kohën mbrapa, duke menduar se kam kaluar një kohë shumë të mire dhe e vlerësoj shumë shpenzimin e kohës që kam bërë për të fituar ato certifikata. Kjo për mua është një kohë mbresëlënëse.
CMG: Aktualisht vazhdon studimet e larta në degën e inxhinierisë elektronike. Sa i përmbushur je me gjithë këto angazhime dhe arritje?
Jurgen Çika: Mendoj se është e vështirë të kesh angazhime në shoqërinë civile, por dhe me sportin që e kam objektivin kryesor. Gjithashtu dhe shkolla është objektivi im kryesor, sepse dua ta përfundoj me sukses. Dega që kam zgjedhur është një degë që ka treg të mirë pune. Është degë e vështirë, por nëse nuk sakrifikon për diçka që duhet të arrish është e pamundur të arrish. Unë kam arritur që t’ia dal, me gjithë vështirësitë e hasura.
CMG: Si i menaxhon me kohën të gjitha këto angazhime?
Jurgen Çika: Unë i ndaj objektivat dhe në mëngjes pikësynimi im është vrapi. Pas vrapit përgatitem për shkollë dhe pasi kthehem bëhem gati për palestër. Pastaj duhet të studioj dhe nëse kam ndonjë aktivitet me shoqërinë civile duhet ta menaxhoj mirë kohën, duke lënë disa gjëra dhe të plotësoj disa të tjera. Koha është shumë e vlefshme dhe duhet ta vlerësojmë shumë, por kam arritur të eci përpara dhe t’i menaxhoj secilën nga pak.
CMG: Je i kënaqur me kaq sa ke arritur?
Jurgen Çika: Jam i kënaqur, por pres shumë nga vetja.
CMG: A e shikon Kinën si një mundësi për perfeksionimin e arteve marciale?
Jurgen Çika: Sinqerisht kam shumë dëshirë që të shkoj në Kinë, sepse atje artet marciale janë shumë të zhvilluara dhe ka trajnerë shumë cilësorë. Kam shumë dëshirë që ta vizitoj Kinën, dhe të kem mundësi të zhvilloj trajnime atje në palestra të ndryshme. Do jetë një kënaqësi shumë e madhe dhe e veçantë, që unë e kam si ëndërr të arrij të bëj trajnime në Kinë.
CMG: Sa kohë në ditë i kushton stërvitjes në palestër?
Jurgen Çika: Stërvitjes i kushtoj tre-katër orë në ditë, por ka raste kur kam përgatitje për ndeshje që shkon deri në pesë orë stërvitje. Palestra është një disiplinë, dhe çdo sport unë e konsideroj disiplinë.
CMG: Cilat janë synimet tuaja në lidhje me sportin në vazhdim?
Jurgen Çika: Kam synime të larta, por së pari dua të falenderoj Zotin që më ka sjellë këtu ku jam dhe kam arritur të korr këto sukese. Synimi im është Ultimate Fight Champioship (UFC). Kam dhe një ndeshje tjetër që do të zhvillohet në 7 prill në Oktagonin Europian në Athinë. Kjo për mua do të jetë një ndeshje shumë e mirë, ku do të jenë sportistët më të mirë nga gjithë Europa. Unë do jem pjesë e këtij oktagoni. Është një ndjenjë e veçantë, që me gjithë zemër uroj dhe kam besim ta fitoj këtë garë, që të ngrej flamurin shqiptar.
CMG: Mesazhi juaj për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Jurgen Çika: I falenderoj shumë të gjithë, në veçanti ju falenderoj ju për ftesën në Radio Ejani. Gjithashtu falenderoj rrethin tim shoqëror, familjen dhe mbështetësit.