Ekspozita në Londër, me rastin e Vitit të Ri Kinez, celebron artistet femra
2024-02-14 14:52:50

Për të kremtuar Vitin e Ri Kinez, në dyqanin kryesor të stilistit Paul Smith në Londër, është hapur një ekspozitë, e cila do të zgjasë deri më 3 mars, ku do të shfaqen punimet e artisteve femra bashkëkohore që ndajnë trashëgiminë kineze. E kuruar nga Gemma Williams, autore e “Fashion China”, ekspozita nxjerr në pah punimet e pesë artisteve të talentuara nga pjesë të ndryshme të botës.

 

Nëpërmjet artit të tyre, ato ofrojnë një perspektivë unike dhe nxitëse për feminilitetin dhe identitetin kinez në epokën moderne, të titulluar “Gruaja dhe Hëna”, si një shenjë për perëndeshën e pavdekshme kineze të Hënës, Cháng'é

Këto artiste janë të shpërndara në të gjithë globin, nga Chengdu në San Francisko, Tajvan e Londër. Arti i tyre i kapërcen kufijtë tradicionalë të kulturës, si dhe perspektivat kombëtare dhe globale, dhe krijon rrjete fuqizimi duke vënë në pikëpyetje normat e vendosura.

 

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Puna e tyre merr frymëzim nga aspektet e zakonshme të jetës së përditshme, duke i veshur me elemente poetike. Krijimet e tyre artistike mund të zbulohen në punime, të lidhura me marka të njohura dhe të ekspozohen në galeri, duke kapërcyer kufijtë e angazhimit të artit me shoqërinë, kulturën popullore dhe modën.

 

Li Chenxi, nga Chengdu  përdor linjat me bojëra uji për të theksuar formën femërore, duke i ftuar shikuesit të gërmojnë në jetët dhe narrativat pas punimeve të saj artistike përmes hollësive të personazheve të saj.  Charlotte Mei bashkëpunon në Londër me marka të njohura si “Hermès”, “Nike” dhe “Lego” me një estetikë lozonjare por të përzemërt.

 

Tang Wenching, nga Tajvani, krijon kompozime të pastra dhe të thjeshta, duke përdorur linja grafike dhe ngjyra të larmishme, duke marrë frymëzim nga aspektet e zakonshme të jetës së përditshme.  Yimiao Shih, po ashtu nga Tajvani, por që aktualisht banon në Londër, eksploron narrativat ndërkulturore në tekstile përmes teknikave novatore të qëndisjes me makinë.

 

Li Jiayue, e cila jeton mes San Franciskos dhe Nju Jorkut, ka marrë vlerësime të konsiderueshme për veprat e saj që paraqesin momente nga jeta e përditshme.  Li Chenxi tha se në qendër të vëmendjes së punimeve të saj artistike është figura femërore. “Ngjyrat, emocionet, gjestet dhe veçantia e çdo fytyre magjepsin shqisat e mia. Përpiqem të kap jo vetëm bukurinë e tyre të jashtme, por edhe melodinë e tyre të brendshme”,- tha ajo.

 

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Ndërsa Viti i Ri Kinez ka një rëndësi të madhe kulturore në Kinë dhe vazhdon të fitojë njohje ndërkombëtare, duke simbolizuar kalimin nga e vjetra në të renë dhe duke mbartur shpresa të reja për të ardhmen, Li shprehu kënaqësinë për prezantimin e punimeve të saj në këtë ditë të mbarë dhe të rëndësishme.

 

Li Jiayue u shpreh e emocionuar dhe e nderuar që ishte pjesë e ekspozitës dhe që e festonte festën e saj të preferuar në Londër. “Puna ime pasqyron emocionet dhe vëzhgimet e mia nga jeta e përditshme, e portretizuar në një mënyrë surrealiste dhe ëndërrimtare, duke theksuar përvojat dhe identitetet e shumanshme të femrës. Shpresoj që shikuesit të mund të ndjejnë dhe përjetojnë kulturën autentike kineze dhe të marrin frymëzim dhe gëzim nga veprat e artit”,- tha ajo.

 

Kuratorja, Williams, e cila ka promovuar në mënyrë aktive krijuesit kinezë që nga viti 2015, ndau këndvështrimin e saj, duke thënë: “Gjatë kësaj periudhe, kam dëshmuar një rikuperim të heshtur të asaj që do të thotë të jesh grua dhe hapësirave që gratë zënë në Kinë sot. Ekspozita “Gruaja dhe Hëna” ka një ndjenjë përkatësie të rrënjosur në praktika dhe jo në vendndodhje gjeografike, duke u shtrirë nga Tajvani në Nju Jork. Në vend të gjesteve madhështore, ajo feston bukurinë që gjendet në gjërat e vogla dhe në aspektet e përditshme të jetës. Ajo rivendos shprehjet tradicionale të feminilitetit dhe kulturës kineze, duke kapërcyer perspektivat mashkullore dhe perëndimore”,- tha Williams.