Tradita është një vektor i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore që na tregon rrënjët, lidhjet kulturore dhe shpirtërore me botën. Kthimi i këtyre motiveve në vepra arti është një vlerë e shtuar e kësaj tradite. Kreshnikët, zanat, orët, heronjtë legjendarë kanë mbushur jetën shekullore të shqiptarëve, janë kënduar me lahutë, janë rrëfyer nga shkrimtarë, apo pikturuar nga piktorë. Cilët janë disa nga piktorët që u frymëzuan dhe nxorën në dritë portretet dhe bëmat e heronjve legjendarë dhe zanave të pyllit?
Agim Faja
Piktori Agim Faja njihet si ilustrues i “Tregimeve të moçme Shqiptare”. “Muji dhe Halili”, Zana e Bjeshkët e Namuna për herë të parë erdhën nga mjeshtëria rrëfyese e Mitrush Kutelit, por imazhi i tyre viziv u plotësua me portrete nga dora e autorit të ilustrimeve, piktorit Agim Faja. Në vitin 1966 Agim Faja mori përsipër të ilustrojë “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve dhe të rinjve. Janë 35 ilustrime origjinale të realizuara nga piktori për librin i cili ka njohur disa riprodhime.
Gazmend Leka
Është piktori tjetër që ka ilustruar “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, në botimin e dytë të kësaj vepre. Ilustrimet e Gazmend Lekës, janë të realizuara në bardh e zi dhe sikundër me botimin e parë, edhe në të dytin, për çdo rrëfenjë ka një ilustrim, domethënë janë 35 imazhe të tjera ilustruese, unike në llojin e tyre.
Pas njohjes së disa ribotimeve, duke u renditur si një nga librat më të lexuar të të gjithë kohërave, nga gjithë gurpmoshat, kishte ardhur koha që rrëfenjat e Kutelit të përmblidheshin në një botimt tjetër, ilustrimet e të cilit iu besuan piktorit Gazmend Leka. Vepra u ribotua me ilustrimet e Gazmend Lekes në vitin 1986. Pastaj njohu një ribotim luksoz në vitin 2017. Me këto ilustrime, piktori fitoi Çmimin e Madh të Veprës më të mirë të vitit.
Ismail Lulani
Ismail Lulani është një ndër piktoret më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar. Ai lëvroi disa gjini të pikturës dhe tematika nga më të ndryshmet, ku zë një vend të veçantë tema e kreshnikëve. Temat e tablove të Lulanit u inspiruan nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili), Gjergj Elez Alia, nga baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), etj. Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë. Ai ka krijuar personazhe (figurat e malësorëve) që vizatohen në mënyrë të stilizuar. Piktori Ismail Lulani ishte një artist që tërhiqej nga jeta e njerëzve të thjeshtë të veriut të Shqipërisë.
Sali Shijaku
Sali Shijaku njihet si piktor i kompozimeve masive dhe portreteve të ndezura, plot ngjyra shprehëse. Ai ka sjellë përmes krijimtarisë së tij edhe tematikën e kreshnikëve shqiptarë, të cilat i ka realizuar në pikturë dhe qeramikë
Tabloja “Muji” është identifikuese për këtë tematikë. Është një pikturë epiko-mitike, ku ndihet ekspresiviteti emocional i gjestit piktorik dhe i pozicionit të Mujit, kreshnikut të maleve. Subjekti u përket vargjeve të legjendës, ku i këndohet burrit, fuqia e të cilit varej nga qumështi magjik i hyjnive mitologjike të Zanave të maleve. Kompozimi paraqet Mujin në çastin e provës së shkuljes me rrënjë të një peme të madhe, e ngritjes dhe mbajtjes së saj pezull, pasi ka pirë nga qumështi i zanave.
Në vazhdën e realizimive mitologjike të Sali Shijakut, vlen të permëndim edhe tablonë “Zana”, një kompozim që ka në qendër një trajtë gjeometrike të rrumbullakët, e cila figuron një fytyrë vajze. Portreti qëndron në qetësi, por shprehja dhe ngjyrat tregojnë emocion shkaktuar nga përfytyrimi që piktori ka për simbolikën dhe metaforën e këtij personazhi. Zana është personazhi që vjen nga këngët e eposit. Në kompozim duket si një kokë që jeton në valët e trajtave me ngjyra.
Azem Kuçana
Bjeshkët e Namuna, heronjtë mitologjikë, si dhe e gjithë natyra dhe zakonet e veriut të Shqipërisë vijnë të pasqyruara në telajot e piktorit Azem Kuçana. I rritur mes atyre trojeve, i pasionuar pas Alpeve dhe Valbonës mbresëlënëse e mbi të gjitha me këngët kushtuar kreshnikëve e zanave, piktori i sjell nëpërmjet penelit me shumë dashuri.
Historitë e Tropojës, vendit ku ka lindur, historitë e gjyshes e të nënës për Eposin, për Mujin e Halilin, ai është përpjekur që t’i kthejë në pikturë. Veprat e tij marrin jetë nga tradita teksa artisti i ka kthyer në art vlerat e trashëgimisë kulturore.