Kalendar i pasur artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
2024-02-13 15:48:02

Shfaqja Elektra (Foto nga TKE)

Pas suksesit të vitit të kaluar me 21 premiera që u vunë në skenë, me 267 repriza, dhe me 12 pjesëmarrje në festivale dhe skenën ndërkombëtare, këtë vit  Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” planifikon shumë premiera si për të rritur ashtu edhe për fëmijë.

Muaji shkurt gjithashtu është i pasur me shfaqje nga trupa e këtij teatri

Nga shfaqja Nëna (Foto nga TKE)

Është vënë në skenë shfaqja “Nëna”, që në fillim të muajit shkurt dhe do të vazhdojë të shfaqet dhe më 22,23,24,25 shkurt.

“Nëna”, me regji të Mehmet Xhelilit dhe një kast të mrekullueshëm aktorësh është një farsë e zezë e cila na ofron me një mprehtësi të jashtëzakonshme dhe na ballafaqon jo vetëm më një histori, por edhe me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj. Në qendër të shfaqjes drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë edhe vetë viktima e saj. Vepra trajton mesazhe të fuqishme të cilat ngrejnë pyetjen ekzistenciale të klithur nga nëna në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte keshtu?

Shfaqja për fëmijë “Bëhu trim puinguin i vogël”, pas suksesit  pas premierës, vijon do të rivihet në skenë për fëmijët e kopshteve dhe shkollave në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”  çdo ditë të muajit shkurt nga data  8-29 në orën 10.30. “Bëhu trim pinguin i vogël”  ka në qendër të shfaqjes pinguinin Pip- Pip, i cili ka frikë nga uji. Të gjithë pinguinët kënaqen duke luajtur në det, përveç pinguinit të vogël Pip -Pip. “Bëhu trim pinguin i vogël” pas suksesit gjatë premierës në dhjetor vijon të vihet në skenë.

(Foto nga TKE )

Gjatë muajit shkurt në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të vihet në skenë shfaqja “E kuqe”, e cila premierën e kishte fundvitin që shkoi.  Në datat  15,16,17 dhe 18 shkurt ora 19.00, “E kuqe”, vepër nga autori John Logan, me regji nga Altin Basha ngjit në skenë aktorët Gentian Zenelaj ,Urim Aliaj. Skena dhe Kostumet janë realizuar nga Iliriana Loxha Basha, kompozitor Endri Sina. Në skenat teatrore regjisori Basha ka sjellë për publikun vepra të autorëve shqiptarë, por dhe të huaj.

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të vihet në skenë në  shkurt 2024 shfaqja “Elektra”  nga trupa e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, sipas tekstit te Sofokliut. Pjesa do të shfaqet për publikun t edhe në Tiranë, ku ka nisur që prej 12 shkurtit dhe do të vijojë të shfaqet edhe më 13 dhe 14 shkurt në ora 19.00. Shfaqja na rrëfen historinë e Elektrës, fëmijë i etur dhe paduruar, e cila kërkon hakmarrje për vrasjen e babait të saj. Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja eksploron pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e faljes. Trupa e aktoreve sjellin një magji te konsiderueshme dhe elektrizuese. Në skenë do të jenë Laura Nezha, Alert Çeloaliaj, Gladiola Harizaj, Denisa Demaj, Engëll Hoxha, Gert Ferra, Kevin Rrapaj, Medi Gurra, Asiana Koka, Melisa Manuka, Suela Prendi, Greta Baci.

Këto janë shfaqjet që publiku kryeqytetas do të mund t’i ndjekë gjatë muajit shkurt në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimentalit “Kujtim Spahivogli”

Sava Lena