Fjorza Mullahaj, vajza e kristaleve
2024-02-13 15:29:02


Fjorza Mullahaj

Fjorza Mullahaj edhe pse  ka përfunduar studimet në dy fakultete tërësisht jashtë profilit të saj të punës, zgjodhitë ndjekë ëndrrën e saj për kristalet. Ajo ka sjellë në tregun shqiptar qindra kristale, të cilët sipas saj ndikojnë në gjendjen emocionale dhe përmirësimin e shpirtit të njeriut.

Ajo shprehet për Radio Ejani, se nga njëri vit në tjetrin sheh një rritje të interesit ndaj kristaleve dhe njerëzit me kalimin e kohës fillojnë t’i afrohen natyrës dhe të ndikohen. Nga një dëshirë e kahershme, e cila zuri fill kur ajo vetë preku një kristal, sot Fjorza ka dy dyqane dhe një rrjet të gjerë klientësh, të cilët i adhurojnë punimet e kristaleve. Sapo afron festa e të dashuruarve, apo edhe festa të tjera Fjorza tregon se si rriten shitjet dhe çfare i bën ato produkte kaq të veçanta për blerësit.


CMG: Fjorza, kur e keni marrë këtë iniciativë kaq unike?

Fjorza Mullahaj: Më ka tërhequr artizanati, jo gurët në thelb si fillim. Kujtoj vitet kur unë dhe babai im në dashurinë e pandalur që kishim për të bukurën dhe estetikën kemi rregulluar çdo mobilje që na dilte përpara. Sapo shihnim një mobilje të përdorur gjenim forcën dhe dëshirën për ta ribërë atë nga e para. Madje kemi bërë edhe një program duke rregulluar mobilje. Por, asnjëherë nuk kam ndaluar së bëri aksesorë me gurë, fillimisht me gurë të zakonshëm pastaj u bëra selektive.

CMG: Kur u bëre selektive për të përzgjedhur gurët e dëshiruar?

Fjorza Mullahaj: Kjo botë të thërret. Ne marrim çdo ditë mesazhe nga universi për të qenë të udhëzuar në jetën tonë. Herën e parë që unë preka një gur ka qenë momenti më i bukur i jetës sime dhe i kam pohuar vetes në heshtje se kjo është në fakt ajo që unë dua të bëj. Unë nuk flija më që prej atij momenti. Nëse një gjë është e destinuar që ti duhet ta bësh, ajo gjë të ka folur edhe unë e dëgjova por nuk kisha para për të blerë kristale.

Nga ai moment vendosa të punoj shumë fort, kam bërë edhe punë të dytë që të krijoja një fond të caktuar për të blerë kristale.

CMG: Kush të ka mbështetur në  këtë rrugëtim të vështirë?

Fjorza Mullahaj:Babai im ka qenë aty për mua në çdo çast. Bën pjesë tek njerëzit që të suporton edhe nëse nuk ka mundësi apo nëse nuk sheh një dritë në fund të tunelit. Ai ka ndihmuar çdo ide timen që të rritej. Ndoshta nuk kishte mundësi financiare, por kishte fuqi shpirtërore dhe  më jepte besim përmes fjalës. Po ashtu kam një bashkëshort me tiparet e babait tim, ai më ndjek në veprimtarinë time dhe më shtyn të bëj ëndrrat realitet.

CMG: Vendose që përmes kristaleve të ndihmosh njerëz për t'iu rritur atyre vetëvlerësimin?

Fjorza Mullahaj:Në këtë botë që jetojmë kuptojmë që në disa momente ka njerëz aty jashtë, që ju vjen e natyrshme të të ndihmojnë. Brenda meje kultivohet dëshira për të ndihmuar të tjerët dhe këtë e bëj pa asnjë interes. Mendoj që kjo ka qenë arsyeja e përfshirjes sime emocionale në këtë punë. Kam një emocion që dua të suportoj këdo që nuk ndihet mirë dhe me kalimin e kohës njerëzit kanë filluar të vijnë tek unë. Çfarë më shqetson më shumë është që vijnë njerëzit me idenë se kanë një problem brenda vetes, por në fakt nuk është e vërtetë. Ata janë thjesht objekt i bindjeve të tyre emocionale. Ka pasur raste që njerëzit janë shëruar vetëm përmes fjalës dhe menyrës se si i kanë parë gjërat. Në jetë duhet të ndryshosh perceptimin që ke për ngjarjet dhe më pas çdo gjë ndryshon.

CMG: Arrijnë njerëzit të jenë më të lumtur përmes kristaleve?

Fjorza Mullahaj: Po! Ne kemi nevojë për ngacmime apo vibracione. Është luks që të kuptosh që fati, jeta dhe çdo gjë tjeter është në dorën tënde. Nuk janë koleget e tu ata të cilët janë kundra teje, por jemi ne që kemi probleme me veten. Ndaj, le të ndryshojmë! Çdo gjë dhe çdo hap që kam hedhur në jetë është si rezultat i një ëndrre të madhe dhe këto ëndrra nxiten apo forcohen përmes kristaleve, ato thjesht të fusin në një botë tjetër atë të natyrës së pashtershme.

CMG: Ke përfunduar dy fakultete por nuk vazhdove asnjërin prej tyre

Fjorza Mullahaj: Unë kam mbaruar studimet për përkthim dhe interpretim të gjuhës greke dhe shkenca politike, por asnjëherë nuk shkova të marr një diplomë në universitet.  Mua më pëlqen të di çdo gjë nga të gjitha fushat. Këto dy fakultete unë thjesht i kam mbyllur në sirtar.

CMG: Si i stilon gurët dhe si e bën përzgjedhjen e tyre?

Fjorza Mullahaj: Së fundmi unë kam qenë në Brazil dhe kam gjetur atje gurë të jashtëzakonshëm. Nëse e dua diçka mjafton ta mendoj dhe ajo ndodh. Unë gjithmonë kam dëshiruar një dyqan të ri dhe  e realizova atë. Në Brazil kam bërë përzgjedhje vetë në minierë dhe jam mrekulluar. Një nga vendet që dua të shkoj tani është Kina, atje janë fabrikat më të mira të prerjes së mineraleve. Kina ka cilësinë më të lartë të prerjes së kristaleve dhe është vendi që duhet të shkoj patjetër sepse është unik. Çfarë prodhon Kina është e jashtëzakonshme!

CMG: Me afrimin e festës së Shën Valentinit, a rriten shitjet?

Fjorza Mullahaj: Po rriten shitjet dhe për këtë festë gjithmonë mendojmë të vijmë ndryshe dhe të sjellim afër festën. Duke nisur që tek dekori dhe tek përzgjedhja e gurëve që janë më afër dashurisë.

CMG: Cilët janë kristalet më të shitur dhe me çfarë lidhen?

Fjorza Mullahaj: Kristalet më të shitura janë ato që lidhen me paratë. Të gjitha kristalet që fokus kanë rritjen e parave. Pas këtyre vijnë kristalet që nxitin më shumë dashuri mes njerëzve. Në fakt unë do të doja të shiteshin më shumë kristale që lidhen me dashurinë se paranë. Në jëtë fillimisht ka rëndësi dashuria pastaj paraja

Intervistoi:Megi Latifi