Linja kabllore nënujore Shqipëri-Egjipt, lidhja e parë ndërkontinentale e vendit
2024-02-13 15:34:14


Grupi 4iG (Foto nga Business Magazine Albania)

Më 5 shkurt u nënshkrua marrëveshja mes qeverisë së Shqipërise dhe kompanisë hungareze 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore që lidh Shqipërinë me Egjiptin.

Ndërtimi i linjës direkte kabllore nënujore Shqipëri – Egjipt parashikohet të sjellë impakt pozitiv për ekonominë shqiptare, duke përfshirë hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mundësive të reja të digjitalizimit dhe ndërveprimit të ekonomisë sonë me ato të rajonit dhe më gjerë.

Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së informacionit dhe komunikimit 4iG, me qendër në Budapest, e cila ka investuar dukshën në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, vjen pas arritjes së dakordësisë së kësaj të fundit me kompaninë Telekom Egypt në tetor të vitit 2023.

Në atë kohë, të dyja kompanitë njoftuan detajet e dakordësimit, duke bërë me dije se sistemi ndërlidhës do të jetë me fibra optike me kapacitet të lartë, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga portat dhe pikat kryesore të hyrjes së autostradës digjitale në Evropën Lindore.

Kryeministri Edi Rama gjatë nënshkrimit të marrëveshjes (Foto nga ATSH)

I mbështetur nga një infrastrukturë tokësore e siguruar ndërkufitare, projekti do të lehtësojë lidhjen e mëtejshme dhe aksesin në destinacione të ndryshme kryesore ekonomike të Evropës Lindore, Azisë dhe Afrikës Lindore.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, e konsideroi projektin si një “autostradë digjitale” të Mesdheut dhe cilësoi se Linja kabllore nënujore Shqipëri-Egjipt shënon një gur kilometrik për vizionin e “Shqipërisë 2030” dhe për strategjine e shndërrimit të vendit në vatër gjeneruese të inovacionit në rajon.

Ai cilësoi se “Dua të falenderoj nga zemra kompaninë 4iG, e cila është kompania që në Shqipëri zotëron dhe administron kompaninë e telefonisë celulare “One”. Ajo sot vjen si një partnere e qeverisë shqiptare, për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë. Kjo lidhje do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurtë të të dhënave, përmes një fibre optike lidhëse mes Egjyptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendit tonë që të garantojë një akses në këtë autostradë të re digjitale të

Linja kabllore (Foto nga Vox News Albania)

Mesdheut, për një sërë vendesh të Evropës Qendrore.

Mendoj se ky është një projekt i mirëseradhur, sepse rrit në mënyrë domethenëëse masën e mozaikut të projekteve që po bëjmë, për të transformuar Shqipërinë në një vend kampion në rajon për inovacionin.

Është një projekt i rëndësishëm edhe për besimin e sipërmarrjes në tërësi, që rritet vit pas viti dhe gjen shprehje në këtë rast, përmes kompanisë 4iG, që zgjodhi Shqipërinë si pikë referimi për këtë projekt ambicioz.

Marrëveshja Shqipëri-Egjipt (Foto nga ATSH)

Në pamje të parë, projekti nuk ka shifra marramandëse, por në thelbin e vet është një projekt marramendës, për nga impakti dhe vlera që do të krijojë.

Duke e falenderuar edhe njëherë të gjithë skuadrën e kompanisë dhe duke patur besim të plotë se pala jonë do jetë në lartësinë e duhur në gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe më pas të vënies në funksion të kësaj autostrade, jam i bindur se ky projekt shënon një gur kilometrik në Shqipërinë e vitit 2030 dhe padyshim do të shoqërohet me projekte të tjera të këtyre përmasave”.

Pritshmëritë për përdorimin e kësaj linje nga investitorët vendas dhe të huaj janë të mëdha, pasi sipërmarrësit në Evropën Qendrore, Lindore dhe më tej, synojnë të fitojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe me rritje të shpejtë të trafikut të të dhënave midis Evropës dhe Azisë, si dhe midis Evropës dhe Afrikës Lindore.

Përveç pikave të shumta potenciale në Evropën Lindore, me një model të hapur aksesi dhe njësi me degëzime të shumta, sistemi do të ngrejë një pikë të re hyrëse kabllore evropiane, me një kalim tranziti të ndryshëm, krahasuar me rrugët tashmë ekzistuese mesdhetare drejt pikës kryesore të internetit, të ngjashme me ato në qytetin Frankfurt të Gjermanisë.

Zv. kryeministrja Balluku (Foto nga CNA.al)

Investimi vlerësohet në nivelet 100-115 milione euro. Investimi, përveç përfitimeve ekonomike, shkon në linjë me politikat qeveritare për zhvillimin e teknologjisë dhe digjitalizimin e ekonomisë në Shqipëri.

Projekti për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit përfaqëson një tjetër nismë strategjike dhe inovativ që e kthen Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale. Rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit digjital sot në botë. 

Fatos Çoçoli