Mësuesit e nxënësit e shkollës amerikane: Kartolina për Vitin e Ri Kinez nga presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij na emocionuan
2024-02-13 14:36:23


Foto nga CMG

Ditët e fundit, presidenti Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan u dërguan një kartolinë përgjigjeje urimi për Vitin e Ri Kinez mësuesve dhe nxënësve të shkollës së mesme “Lincoln” në ShBA, duke i mirëpritur ata që të vijnë në Kinë për shkëmbime e studim dhe të kontribuojnë për forcimin e miqësisë mes popujve të dy vendeve. Të hënën, shkolla e mesme “Lincoln” i falënderoi presidentin Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij Peng Liyuan përmes CMG-së, duke shprehur pritshmëritë e tyre të mëdha për aktivitetet e ardhshme të shkëmbimeve në Kinë.

Carl Hoseth, drejtori i shkollës së mesme “Lincoln”, i tha gazetarit të CMG-së se mësuesit dhe nxënësit ishin shumë të emocionuar kur morën kartolinën e urimit të Vitit të Ri Kinez nga presidenti Xi Jinping dhe znj. Peng Liyuan. Shkolla e mesme “Lincoln” është e gatshme të bëhet një urë për shkëmbimet njerëzore mes Kinës dhe ShBA-së.

 “U emocionuam kur mësuam se presidenti Xi dhe zonja Peng e morën kartolinën e Vitit të Ri nga shkolla e mesme ‘Lincoln’. Po ashtu u emocionuam shumë që presidenti Xi dhe zonja Peng na dërguan kartolinë urimi për Vitin e Ri Kinez, duke treguar se ata kujdesen për shkollën ‘Lincoln’. Kjo është gjithashtu një dëshmi e qartë e miqësisë së vërtetë mes shkollës ‘Lincoln’ dhe Kinës gjatë viteve të fundit,” tha Carl Hoseth.

Nëntorin e kaluar, presidenti Xi Jinping shpalli në San-Francisko se pala kineze është e gatshme të ftojë 50 000 adoleshentë amerikanë që të shkojnë në Kinë për shkëmbime dhe studim në pesë vitet e ardhshme. Shkolla e mesme “Lincoln” është një nga shkollat e para amerikane që merr pjesë në këtë projekt. Grupi i parë i mësuesve dhe nxënësve do të udhëtojë në disa qytete të Kinës në mars dhe do të shkojë në CMG për të kryer aktivitete shkëmbimi.

Linn Eisenhower, mësuese e korit në shkollën e mesme “Lincoln”, tha se ajo, drejtori Carl Hoseth dhe 10 nxënësit që morën pjesë në aktivitetet e shkëmbimeve miqësore në San-Francisko vitin e kaluar do të shkojnë në Kinë në mes të marsit të këtij viti për një veprimtari shkëmbimesh 10-ditore. Ata do të vizitojnë shumë qytete kineze dhe nxënësit do të zgjerojnë horizontin e tyre e do të vazhdojnë të thellojnë lidhjet mes popujve të dy vendeve.

Nxënësit janë jashtëzakonisht të emocionuar për udhëtimin e ardhshëm në Kinë. Nxënësja Marta i tha gazetarit se kur mësoi se kishte mundësinë të shkonte në Kinë për shkëmbime, ajo u gëzua shumë. Udhëtimi në Kinë do të jetë një kulm gjatë periudhës së shkollës së mesme dhe një nga përvojat më të vlefshme në jetën e saj.

Nxënësja Aisa nuk e fsheh dot emocionin, duke thënë se do ta shfrytëzonte plotësisht këtë rast për të njohur kulturën kineze dhe popullin kinez. Zbatimi i projektit të shkëmbimeve ka krijuar gjithashtu një valë të re entuziazmi për të njohur kulturën e gjuhën kineze mes mësuesve dhe nxënësve të shkollës së mesme “Lincoln”.

Foto nga CMG

Mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme “Lincoln” ndoqën gjithashtu versionin në gjuhën angleze të Galasë së Festës së Pranverës të Vitit të Loong-ut, të prodhuar nga CMG-ja. Një përgjegjës i degës së CMG-së në Amerikën e Veriut foli mbi zakonet dhe kulturën e Festës së Pranverës dhe iu përgjigj pyetjeve të nxënësve. Në fund, CMG-ja u bëri dhurata mësuesve e nxënësve të shkollës së mesme “Lincoln”.

Foto nga CMG

Nxënësit e shkollës së mesme “Lincoln” u urojnë të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri dhe suksese në Vitin e Loong-ut. (Çang Çuo)