Valin Qerimaj violinist në orkestrat kineze
2024-02-12 14:48:38


Valin Qerimaj pas nje aktiviteti 

Violinisti Valin Qerimaj muzikën e ka të trashëguar, duke rrjedhur nga një familje artistësh të njohur në botën e muzikës. Ai që i vogël ka studiuar në violinë, për të vijuar studimet e larta në Vjenë të Austrisë. Valini prej një viti jeton dhe punon si violinist me orkestra të ndryshme në Kinë, një eksperiencë unike në fushën e muzikës. Në një intervistë për Radio Ejani Valin Qerimaj tregon për fillimet e tij në muzikë, eksperiencën në Kinë si dhe planet për të ardhmen.

Valin Qerimaj 

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën dhe instrumentin e violinës?

Valin Qerimaj: Unë violinën e kam nisur në moshën 6 vjeçare dhe  ka qenë babai ai që më shtyu të studioja violinë. Nuk e kam zgjedhur unë si instrument, por ishte dëshira e tij.

CMG: Cilin instrument kishe dëshirë të studioje?

Valin Qerimaj: Nuk e di se çfarë do të zgjidhja sepse atë instrument më dhanë. Besoj se duhet të pyesim Fatosin sepse më dha violinën, ngaqë e di më mirë se unë.

CMG: Babai juaj Fatos Qerimaj është një klarinetist i njohur dhe pedagog prej shumë vitesh. Pse nuk të propozoi të studioje për klarinetë?

Valin Qerimaj: Fatosi ka studiuar violinë tetë vitet e para dhe pastaj kaloi te klarineta. Ndoshta meqë ai nuk ja doli për violinë, ka menduar të ma japë mua.

CMG: Ti rrjedh nga një familje artistësh të njohur, por suksesi yt është dhe produkt i një pune të madhe gjatë këtyre viteve

Valin Qerimaj: Patjetër që po, sepse nuk është vetëm talenti, por dhe shumë punë. Është eksperienca, dëgjim muzike, studimet dhe shumë gjëra të tjera që ndikojnë në të rriturit me muzikën, me violinën dhe suksesin.

CMG: Sa ka ndikuar familja në formimin tuaj profesional, përveç punës së palodhur me instrumentin?

Valin Qerimaj: Unë nuk kam një karrierë të madhe, por kam studiuar dhe pak inteligjencë gjithashtu. Mendoj se fillimi në këtë rrugëtim ka pasur dhe ndikimin e familjes, sepse ata më kanë mësuar sesi të ushtrohesha, sesi ishte tingulli, intonacioni, si vendosen duart, muzikaliteti dhe shumë gjëra të tjera. Pastaj vazhdova shkollën, që më mësoi gjërat më profesionale.

Valin Qerimaj me nje artiste kineze

CMG: Si i kujton vitet e studimeve në Vjenë ?

Valin Qerimaj: Vjena është kryeqyteti i botës për muzikën. Koha e studimeve në Vjenë ka qenë me pak sakrificë dhe lodhje. Kujtoj shumë orkestra ku kam punuar, kujtoj dhe mësuesen, shkollën, mbrëmjet dhe shoqërinë. Pra janë shumë gjëra që më sjellin në këto kujtime të bukura.

CMG: Ke nostalgji për vitet kur ke jetuar në Vjenë?

Valin Qerimaj: Nuk kam shumë nostalgji, sepse kam qenë shumë i zënë me projekte dhe koncerte. Mendoj se në Vjenë mund të shkoj prapë ta vizitoj si turist.

CMG: Në Tiranë ke  lujatur me violinë nëpër ambjente të ndryshme për publikun. Si je pritur në këto evente?

Valin Qerimaj: Mendoj se publiku në Shqipëri është më shumë i dhënë pas muzikës pop dhe popullore tradicionale shqiptare. Ai nuk ndjek shumë muzikë klasike dhe e pret më mirë gjithmonë një muzikë moderne.

CMG: Prej një viti gjendesh në Kinë, ku punon si violinist me orkestra të ndryshme atje. Si ka qenë kjo eksperiencë për ty  në Kinë në lidhje me muzikën?

Valin Qerimaj: Kina është e bukur dhe interesante dhe unë jam munduar që të punoj jo vetëm me orkestra këtu, por bashkë me disa kolegë kemi bërë dhe muzikë moderne nëpër aktivitete të ndryshme. Duke qenë se Pekini është pothuajse 30 milion banorë, ke mundësi të eksperimentosh çdo lloj rryme që dëshiron.

CMG: Si u ambjentove me jetën në Pekin?

Valin Qerimaj: Problemi më i madh janë aplikacionet e celularit deri në momentin që mëson si të porositësh ushqim dhe taksi, si të paguash nëpërmjet celularit, apo të gjesh restorantin ose vendin ku do të punosh. Kjo është gjëja më e vështirë për t’u ambjentuar. Pekini është si çdo qytet tjetër i botës dhe nuk është problem ambjentimi.

CMG: Përveç Pekinit ke vizituar apo punuar si violinist në ndonjë qytet tjetër të Kinës?

Valin Qerimaj: Kam qenë tre muaj në Zhanggjiajie, është një qytet i famshëm në Kinë, ku kishim një projekt me një orkestër në fundivit. Tani jemi në prag të vitit të ri kinez.

CMG: Je përpjekur të mësosh kinezisht?

Valin Qerimaj: Kam mësuar të them nuk dua dhe është ok.

CMG: Çfarë do të veçoje ndonjë gjë interesante që të ka pëlqyer në Kinë?

Valin Qerimaj: Më ka pëlqyer shumë publiku kinez, i cili është shumë i dhënë pas violinave, violinës elektrike dhe orkestrës. Publiku kinez e dashuron muzikën dhe dëgjojnë me vëmendje. Kam shumë fansa që vijnë dy-tre herë në javë për të na dëgjuar në koncert. Në Kinë është jetë tjetër, muzikë tjetër dhe me të vërtetë është një eksperiencë shumë e bukur dhe interesante.

Valin Qerimaj pas nje koncerti ne Kine

CMG: Do ua sugjeroje miqve dhe kolegëve një eksperiencë të tillë në Kinë?

Valin Qerimaj: Patjetër që po, sepse Kina është e hapur për çdo person, si violinë klasike, elektrike dhe moderne. Kështu që kushdo ka dëshirë ta provojë, sepse do të ndjehet shumë herë më mirë sesa në Shqipëri.

CMG: Çfarë të ka munguar më tepër nga Shqipëria?

Valin Qerimaj: Më mungon shumë koha dhe temeratuarat, sepse Pekini shkon në dimër minus 20 gradë dhe në verë gati 40 gradë. Gjithashtu më mungon shoqëria, kur dilnim dhe kalonim kohë së bashku. Këtu është pak më ndryshe sesa në Shqipëri.  

CMG: Ke menduar të kthehesh së shpejti në Shqipëri, për të vijuar këtu karrierën muzikore?

Valin Qerimaj: Këtë vit do të shkoj diku tjetër, por Shqipërinë e shoh si një opsion pas një ose dy vitesh për t’u kthyer. Unë për momentin po mendoj të punoj jashtë Shqipërisë dhe jashtë Europës. Këto eksperienca më kanë bërë mirë dhe ekonomikisht, por që është vërtetë shumë bukur të kesh një eksperiencë në Azi dhe në çdo vend tjetër të botës, sepse shijon muzikën dhe botën bashkë.

CMG: Përveç muzikës ke pasione të tjera në jetë?

Valin Qerimaj: Më pëlqejnë udhëtimet dhe hiking, të eci nëpër male kur kam kohë.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Valin Qerimaj: I ftoj ta dëgjojnë më shumë radion, dhe shpresoj që të keni personazhe sa më interesante në programin tuaj.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim.

Valin Qerimaj: Faleminderit shumë. Shihemi në Tiranë ose Kinë.


Intervistoi: Gazmend Agaj