Foto nga Velvetmag
Ky është buletini i librave të rinj nga letërsia, biografia dhe autobiografia që erdhën në librari gjatë këtyre ditëve.
“Vepra e plotë”, nga Ndre Mjeda – Poeti kombëtar vjen me këtë botim të plotë pas një mungese të gjatë. E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe aty ku është parë e nevojshme është bërë shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë. Janë sjellë për herë të parë edhe strofa, që për shkak të rrethanave censuruese të kohës, nuk gjinden në asnjërin prej botimeve të mëparshme dhe ato shënohen në footnote përkatëse. Sikundërse është ruajtur forma Mjedja e mbiemrit të tij, duke marrë për shembull botimet e bëra në gjallje të autorit
“Mirëmëngjes, shpresë”. Ky roman autobiografik bën fjalë për historinë e motrave binjake Argita dhe Detina Zalli të lindura në një Shqipëri tejet të skamur, të cilat gjithnjë kishin ëndërruar të bëheshin mjeke, por kur qeveria ra, duke e zhytur vendin në anarki dhe në luftë civile, ëndrra e binjakeve u shpërbë njësoj si dhe atdheu.
“Gruaja brenda meje”, Britney Spears – Është një histori e guximshme dhe çuditërisht prekëse për lirinë, famën, amësinë, mbijetesën, besimin dhe shpresën. Në qershor të vitit 2021, e gjithë bota e dëgjoi kur Britney Spears foli hapur në gjykatë. Ndikimi që pati ndarja e të vërtetës së saj, me zërin e saj ishte i pamohueshëm dhe ndryshoi rrjedhën e jetës së saj dhe të shumë të tjerëve.
“Gruaja brenda meje” zbulon për herë të parë udhëtimin e jashtëzakonshëm dhe forcën që ka brenda saj njëra prej interpretuesve më të mëdha në historinë e muzikës pop. Shkruar me çiltërsi dhe humor të jashtëzakonshëm, kujtimet revolucionare të Spears hedhin dritë mbi forcën e qëndrueshme të muzikës dhe dashurisë dhe rëndësinë që ka një grua e cila, më në fund, e tregon historinë e saj, me fjalët e veta.
“Paranoja” nga Rina katselli- Shtëpia Botuese “OMBRA GVG” sjell në shqip romanin e një shkrimtareje dhe politikaneje të njohur qipriote, Rina Katselli, i cili trajton temën e pandemisë dhe pasojat traumatike që shkaktoi në jetën e çdo individi dhe shoqërive tona.
Ky është një roman të cilin mund ta lexosh brenda pak orësh. I lehtë për t’u lexuar, temë bashkëkohore, e frymëzuar nga kushtet e vështira të pandemisë të cilën ne vazhdojmë ta përjetojmë në të gjitha nivelet, ku bashkekzistojnë në mënyrë harmonike të gjitha ato veçori të veçanta të stilit, e bëjnë shkrimin unik. Romani “Paranoja” është sipërmarrja e fundit e autores. Fatkeqësisht ajo nuk arriti që ta shihte librin të publikuar, pasi vdiq para se libri të dilte nga shtypshkronja. Tashmë ky libër, vjen edhe në shqip.
"Shqiponja dhe Oktapodi” nga Carlo Lucarelli, përkthyer nga Ajsela Koka. Ndonëse është shkruar nga një shkrimtar italian, ngjarja e rrëfyer lidh Italinë me Shqipërinë. Pasi përmbyll misionin e asgjësimit të Brigadave të Kuqe të Reja, polici Gianni Palagonia caktohet për të punuar në Shqipëri. Rrugëtimi i tij nga Italia e pasur në Shqipërinë e varfër e përball me plot surpriza e realitete tashmë të harruara në jetën e përditshme, që e kthejnë pas në Sicilinë e fëmijërisë së tij, por edhe me fenomene të zhdukura me kohë në botën perëndimore, si Kanuni. Natyrisht që puna e lidhur me grupet kriminale do ta përballë me sfida e probleme të tjera sociale. Por vendi i shqiponjave do t’i hyjë aq thellë në zemër, sa një pjesë të tij e merr me vete përgjithmonë. Me këtë libër Gianni Palagonia na i rikthen me forcën stilin, pasionin e një dashurie të madhe dhe strukturën joshëse të një romani të jashtëzakonshëm.
Foto nga Shtepia e librit
“Histori njerëzish të zakonshëm”, nga Ylljet Aliçka. Një roman që vjen nga shtëpia botuese Dituria. Shazivari, një mësues i punës me dru në klubin e fshatit tek rreket të “tretë” hallet e tij të koklavitura. Kjo është ‘skena’ e parë që hap romanin “Histori njerëzish të zakonshëm”, ku autori Ylljet Aliçka e zbulon që në titull objektin që zgjedh kësaj here për letërsisë e tij. Një lloj ‘Sharli Bovari’ shqiptar, që për më tepër ngjet të jetë me një ekonomi të varfër pavarësisht dypunësimit në sistemin e edukimit e madje edhe si rrobaqepës. Në historinë e jetës së Shazivarit degëzohen, disa personazhe gra dhe një fëmijë. Sfondi kohor, bëhet thuajse i parëndësishëm, rrëfimi hera-herës me një ironi të pamëshirshme, shpërfaq pamundësinë e një njeriu për të marrë frerët e jetës në dorë.
“Porosia e njëmbëdhjetë”, nga Egli Goce. Shtëpia botuese Mediaprint sjell këtë libër të ri për fëmijët. Pasionin për leximin e ka ushqyer që fëmijë, ndërsa “Porosia e njëmbëdhjetë” është sprova e tij e parë e botuar letrare. Egli Goce i sjell lexuesit një histori ‘thrilleri’ dhe ‘misteri’ që zhvillohet në Tiranën e viteve të fundit, të mbuluar nga betoni dhe aferat e dyshimta. Gjithçka nis në një konferencë arkitekture dhe përfundon në Prokurori, ku Goce sfidon edhe lexuesin, për të gjetur vrasësin e Adrianit, dhe autorin e vdekjes që pason. Në një jetë plot me mëkate dhe dritëhije, të pronarit të agjencisë imobilare “Adrian Real Estate”, të dyshuarit janë shumë, por shkelja e “Porosisë së njëmbëdhjetë” , e vendos lexuesin përball një të vërtete të befasishme.
Neritana Kraja