Foto nga VCG
Udhëheqësit e huaj kanë dërguar urimet e tyre më të mira për popullin kinez dhe kinezët në vende të ndryshme në mbarë botën për Vitin e Ri Kinez, të njohur gjithashtu si Festa e Pranverës.
Kina hyri të shtunën në Vitin e Loong-ut. Festa e Pranverës, që vlerësohet si festa më e madhe tradicionale e kombit kinez, është një kohë e bashkimit të gëzuar familjar dhe e zhvillimit të një sërë veprimtarish kulturore.
Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu urimet e tij për Vitin e Ri Kinez në gjuhën kineze në mediat sociale të shtunën.
Ai tha se u uron miqve në mbarë botën që festojnë Vitin e Ri Kinez një vit të ri të lumtur, shëndet dhe mbarësi.
Viti i Loong-ut simbolizon risinë e kreativitetin, dhe veprimtari emocionuese janë përgatitur në kuadër të tij në Francë, theksoi Macron-i.
Kryeministri i Tajlandës Srettha Thavisin u uroi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tajlandezëve dhe shtetasve kinezë një Vit të Ri të lumtur dhe të begatë.
“Uroj që viti 2024 të jetë viti i begatisë dhe lulëzimit, ndërsa ju të gjithë të gëzoni një rrjedhë të pafund pasurie dhe fati të mirë”, tha Srettha.
Ai shprehu shpresën se tregtia dhe investimet ndërmjet Tajlandës e Kinës do të zgjerohen më tej dhe se politika e heqjes së vizave do të ndihmojë në promovimin e turizmit ndërmjet dy vendeve.
Tajlanda i mirëpret gjithmonë vizitorët kinezë, tha Srettha, duke shpresuar që marrëdhëniet tajlandezo-kineze do të mbeten gjithmonë të forta. "Tailandët dhe kinezët nuk janë të huaj, por janë në thelb vëllezër e motra," theksoi ai.
Foto nga VCG
Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa shprehu të shtunën urimet e tij më të ngrohta për qeverinë e popullin kinez, si edhe për komunitetin kinez në Afrikën e Jugut, sipas një deklarate në uebsajtin e Presidencës së Afrikës së Jugut.
Ai gjithashtu i uroi Kinës një vit me begati, risi dhe përparim të paqes dhe zhvillimit global.
Kryeministri japonez Fumio Kishida publikoi një mesazh për Vitin e Ri Kinez në uebsajtin e vet zyrtar, duke përshëndetur komunitetin kinez që jeton e punon në Japoni dhe të gjithë njerëzit në mbarë botën që kremtojnë Festën e Pranverës.
Presidenti austriak Alexander Van der Bellen u uroi nëpërmjet rrjeteve sociale fat dhe shëndet në Vitin e Loongut komunitetit kinez në vend dhe të gjithë atyre që festojnë Vitin e Ri Kinez.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë, Kooperativave, Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme dhe Komunikacionit i Fixhit, Manoa Kamikamica, ndoqën të dielën një veprimtari për kremtimin e Vitit të Ri kinez në Suva, duke theksuar rëndësinë e Vitit të Loong-ut dhe lidhjet e qëndrueshme ndërmjet Fixhit dhe Kinës.
Ai nënvizoi rëndësinë e të mësuarit nga përpjekjet e modernizimit të Kinës dhe shprehu besimin se marrëdhëniet dypalëshe do të çohen "në një nivel tjetër" në Vitin e Loong-ut.
Në mesazhin e tij për Vitin e Ri Kinez për popullin kinez dhe kinezët në Danimarkë, ministri i Punëve të Jashtme i Danimarkës Lars Lokke Rasmussen vuri në dukje se loong-u simbolizon aftësinë udhëheqëse dhe begatinë.
"Pres me padurim përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve danezo-kineze të frymëzuara nga fryma e Vitit të Loong-ut. Uroj që Viti i Loong-ut të sjellë lumturi dhe fat të mirë për të gjithë. Gëzuar Vitin e Loong-ut", tha Rasmussen.
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO) Zurab Pololikashvili në postimin e tij në rrjetet sociale bëri thirrje për të përqafuar frymën e përtëritjes dhe vendosmërisë në Vitin e Loong-ut. "Viti i Ri Hënor na fton të reflektojmë mbi udhëtimin tonë përpara, duke i kthyer sfidat në mundësi për një sektor të lulëzuar turistik," theksoi ai. (Çang Çuo)