Sipas zodiakut kinez, sivjet është Viti i Dragoit, simbol i forcës, begatisë dhe paqes. Kalendari tradicional kinez bujqësor tregon se sipas rrotullimeve të Hënës rreth Tokës, në natën e 9 shkurtit duke u gdhirë 10 shkurt bota hyri në Vitin e Dragoit të Drurit (10 shkurt 2024/28 janar 2025), një shenjë zodiaku që shpreh aftësinë për të ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera ndërpersonale, por edhe një shenjë e orientuar drejt familjes. Të gjithë personat që këtë vit mbushin 12, 24, 36, 48, 60 dhe 72 vjeç i përkasin vitit të Dragoit. Cilët nga këngëtarët e njohur të muzikës shqiptare i përkasin Vitit të Dragoit ?
Ermal Fejzullahu
Këngëtar kosovar Ermal Fejzullahu këtë vit mbush 36 vjeç dhe i përket shenjës së Dragoit në zodiakun kinez. I biri i këngëtarit të mirënjohur Sabri Fejzullahu, Ermali ka lindur dhe jeton në Prishtinë. Si një bir artisti, Ermali e ka nisur rrugën e muzikës që në moshën 6 vjeçare, duke kënduar në festivale dhe veprimtari të shumta muzikore. Pjesëmarrës në shumë festivale për të rinj, Ermali u bë mjaft i dashur për artdashësit shqiptarë me këngën "Një Buzëqeshje", me të cilën mori pjesë në ‘Nota Fest’ 2003, si edhe në Top Fest 1 në vitin 2004. Këngë të tjera të suksesshme të këngëtarit janë dhe "Mike", "Për një dashuri” nga e cila mori titullin albumi i tij muzikor, i publikur gjatë vitit 2004. Në vitin 2009 Ermal Fejzullahu publikoi albumin "Krejt po sillet", duke vijuar karrierën e tij me bashkëpunime me emra të njohur të muzikës së lehtë në Kosovë si Nora Istrefi, Sinan Vllasaliu, Sabri Fejzullahu, Tingulli 3nt, Lumi B & Ledri Vula, Samanta Karavella, Fifi etj.
Këngët e Ermal Fejzullahut pëlqehen nga fansat dhe disa prej tyre janë hite. Vitet e fundit ai ka publikuar videoklipin "Më e mira", në bashkëpunim me Romeo, si dhe me Elgit Dodën videoklipin "Sot". Në vitin 2008 ai kurorëzoi me martesë dashurinë e tij me Arianën, duke krijuar një familje të bukur me 4 fëmijë. Ermal Fejzullahu është aktiv në muzikën shqiptare, duke sjellë çdo vit këngë të reja për publikun që e ka mbështetur që në hapat e parë të karrierës së tij në muzikë.
Elgit Doda
Një tjetër personzh artistik që i përket zodiakut kinez të Dragoit dhe këtë vit mbush 36 vjeç është kantautori Elgit Doda.
Elgit Doda është këngëtar, autor këngësh dhe producent i njohur shqiptar. Shpërthimin e tij në muzikë ai e ka patur tek “Kënga Magjike”, ku ka sjellë këngë të bukura, balada dhe muzikë ritmike. Në vitin 2013 Ronela Hajati publikoi videoklipin "Mala Gata" në bashkëpunim me Elgit Dodën dhe me këtë këngë Ronela u paraqit në festivalet ‘Netët e klipit shqiptar’ dhe ‘Zhurma Show’.
Më vitin 2013 Adelina Tahiri publikoi videoklipin "Mjaft" në bashkëpunim me artistin Elgit Doda. Në të njëjtin vit, Xhensila publikoi videoklipin "Liar" në bashkëpunim me Elgit Dodën. Ai ka marrë pjesë disa herë në festivalin “Kënga Magjike”, si dhe ka realizuar shumë këngë që janë bërë hite si, "Ajër", "Ajo iku", në bashkëpunim me Alar Band, "Asaj", "A ma fal", "Dhuratë prej saj", në bashkëpunim me Killua, etj. Në qershor të vitit 2020, Elgit Doda dhe këngëtari Alban Skënderaj surprizuan publikun me një bashkëpunim të suksesshëm, këngën "Parajsa ime". Ndërsa në vitin 2021 Elgit Doda publikoi videoklipin "Tharë", ku ishte dhe tekstshkrues me këngëtarin Alban Kondi. Në të njejtin vit Elgiti vjen në bashkëpunim me Noizyn me videoklipin e këngës "Ti, ti".
Viti 2021 shënoi dhe një tjetër sukses për Elgitin dhe Alban Skënderaj, me këngën "Parajsa Ime 2 (Per Sempre)". Në muajin dhjetor të po këtij viti ai publikoi videoklipin e këngës "Ku je?". Një vit më pas Elgit Doda dhe vëllezërit binjakë Donald dhe Romeo publikuan videoklipin "Picasso". Një tjetër sukses erdhi në muajin maj 2022, kur Elgit Doda publikoi videoklipin e këngës "A e din" në bashkëpunim me Xhensilën. Në gusht 2023 Dafina Zeqiri publikoi videoklipin "Si mua", në bashkëpunim me Elgit Dodën, duke shënuar një rritje të repertorit dhe sukseseve të tij muzikore.
Rea Nuhu
Këngëtarja e re dhe e talentuar Rea Nuhu sivjet festoon 24 vjetorin e lindjes dhe i përket shenjës së Dragoit, sipas zodiakut kinez.
Rea është bërë e njohur për publikun në moshën 10 vjeçare, kur ka marrë pjesë në “The Voice Kids”, por edhe në talent-show-n “Gjeniu i vogël 6” ku ka qenë finaliste. Në vitin 2017 Rea këndoi në duet me artistin e mirënjohur Kastro Zizo në këngën "Pa faj" në Festivalin “Kënga Magjike”, duke u vlerësuar me çmim në finale. Një tjetër duet i Reas një vit më pas përsëri me Kastro Zizon ishte videoklipi "Dita ditës".
Në të njëjtin vit ajo konkurroi në “Kënga Magjike” me këngën "S'mjafton", për të vijuar edhe në vitin 2019 me këngën "Për mua". Tashmë e rritur, Rea konkurroi në një event muzikor në Maqedoninë e Veriut në 2020 me këngën ritmike "Na dy", ku u nderua me dy çmime. Vitin që shkoi Rea publikoi këngën me videoklip “A jam rrit?”.
Rea Nuhu vazhdon të ecë drejt rrugës së suksesit. Ajo ka qenë prezente në mjaft koncerte muzikore, si edhe vazhdon të interpretojë ‘live’ për publikun e gjerë.
Për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe CMG, ajo uron Vitin e Ri Kinez:
Përshëndetje Radio Ejani! Unë jam këngëtarja Rea Nuhu. Duke qenë se i përkas vitit të Dragoit në horoskopin kinez, ju uroj të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri Kinez!
Sava Lena