Olsi Ballta, rikthimi pas 25 vjetësh në Festivalin e RTSH-së
2024-02-11 13:54:21


Olsi Ballta  në Fest 62

Olsi Ballta është një artist shumëdimensional. Ai ka studiuar në Akademinë e Lartë të Arteve për pikturë, duke vijuar më pas specializimin për “graphic designer”, profesion të cilin e ushtron aktualisht. Muzika ka qenë gjithmonë bashkëshoqëruese në jetën e tij. Në vitin 1996 ai u bë pjesë e grupit rrok/metal ‘Crossbones’, me të cilin ka realizuar disa albume muzikore, si edhe shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1998  Olsi Ballta u ngjit për herë të parë në skenën e festivalit, ku së bashku me kantautorin Kristi Popa performuan këngën “Egnatia 8“.

Kur studionte në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’, rrethi i tij shoqëror merrej me muzikë.  Kjo ndikoi që në vitin 1996 ai të bëhej pjesë e grupit të rrokut ‘Crossbones’, me të cilin ka marrë pjesë në shumë festivale muzikore, duke u nominuar si ‘Best Rock’, por ka realizuar edhe disa albume muzikore, si edhe shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1997, “Crossbones” publikuan albumin e prodhuar në Zvicër, "Days Of Rage". ‘Crossbones’ kanë hyrë në historinë e rock-ut shqiptar si grupi i parë që ka realizuar një album të plotë prej 9 këngësh në cd, për të vijuar më pas me albume të tjera muzikore. Shumica e këngëve të tyre janë në anglisht, por ka edhe shumë këngë në gjuhën shqipe si “I vetmi”, “Përsëri”, “Mos luaj me zjrrin”, etj.

Në vitin 1998  Olsi Ballta u ngjit për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, ku së bashku me kantautorin Kristi Popa, performuan këngën “Egnatia 8“. Olsi u rikthye pas 25 vitesh në këtë festival, ku në edicionin e tij të 62-të, konkurroi si solist me këngën “Unë” me tekst dhe kompozim nga Bledar Gramo dhe orkestrim nga Genti Lako. Në intervistë për Radio Ejani, ai na tregon emocionet e festivalit, por edhe planet e tij për të  ardhmen.

Olsi Ballta në intervistë për Radio Ejani

CMG: Olti, more pjesë në festivalin e RTSH-së pas dy dekadash, na trego për emocionet e rikthimit. Si u ndjeve në këtë prezantim?

Olsi Ballta: Eksperienca ishte e gjitha fantastike. Më shumë sesa vetë dalja në skenë, ishte gjithë rrugëtimi për përgatitjen deri përpara një publiku me audiencë aq të gjerë edhe jashtë kufirit të Shqipërisë. U ndjeva shumë mirë,  ishte një eksperiencë mjaft mbresëlënëse.

CMG: Ti ke qenë pjesë e festivalit në vitin 1998 me këngën “Egnatia 8”, një bashkëpunim me këngëtarin Kristi Popa. Çfarë kujton nga festivali dikur dhe si do e krahasoje me festivalin sot?

Olsi Ballta: Ka qenë kënga “Egnatia 8” e Kristi Popës, i cili më bëri ftesën. Kemi qenë tre këngëtarë në skenë, vetë Kristi, Foel Grillo dhe unë. Sigurisht që ka shumë ndryshime, skena, teknologjia gjithashtu edhe komunikimi, ajo që komunikohet sot përreth festivalit, përveç televizionit, rrjeteve sociale, celularëve,që janë  një mbulim shumë më i shpejtë.

CMG: Sa i takon materialeve muzikore dikur dhe sot, sheh ndryshime?

Olsi Ballta: Unë mendoj se ka shumë vend për të përmirësuar cilësinë e këngëve si nga niveli i teksteve ashtu dhe nga muzika. Vitet e fundit muzika është bërë paksa më e shpejtë e më komerciale, megjithatë qëllimi i këtij festivali ishte rikthimi i vëmendjes tek muzika e sidomos tek teksti. Madje në juri këtë vit kishte edhe poetë, të cilët merreshin konkretisht me vlerësimin e tekstit nga ana artistike. Ishte një përpjekje e mirë për të rivendosur një standard, mbi të cilin duhet të vazhdojmë të ecim dhe ta përmirësojmë vit pas viti.

Olsi Ballta  në Fest 62 

CMG: Këtë herë i ke dhënë më shumë rëndësi tekstit, muzikës apo interpretimit?

Olsi Ballta: Unë këtë herë isha thjesht i ftuar dhe interpretues sepse kompozitor dhe tekstshkrues i këngës është Bledar Gramo, një miku im i cili është jo vetëm piktor, por edhe muzikant dhe baterist. Ishte e rastësishme, ai më ofroi një këngë e më tha se mund ta këndoja vetëm unë e askush tjetër, duke njohur karakterin tim përsa i përket muzikës. E dëgjova materialin dhe kështu nisi puna. Genti Lako është orkestruesi i këngës dhe e ka ngritur atë në një nivel të shkëlqyer ku edhe e meriton të jetë. Gjej rastin ti falenderoj që të dy.

CMG: Cila është fabula e këngës “Unë”?

Olsi Ballta: Kënga është sa e thjeshtë, aq dhe ekzistenciale. Një personazh, i cili gjatë gjithë rrugëtimit të tij rrëzohet, ngrihet, përballet me sfida të ndryshme të jetës e përsëri vazhdon përpara, duke luftuar me demonët e tij që përpiqen ta nxjerrin nga një rrugë e caktuar.

CMG: Pas luftës me demonët ia del të triumfojë në fund?

Olsi Ballta: Nëse ia del apo jo ngelet për t’u pare, pasi kthimi i personazhit nuk ka mbaruar ende, gjithësesi ai e ka mision që pavarësisht gjithçkaje, çdo sfidë e pengesë të ecë përpara e ta presë jetën krahëhapur.

CMG: Ti ke qenë në skenën e festivalit me xhinse, kanotjere dhe i lyer me bojë të kuqe… E kujt ishte ideja për atë paraqitje skenike?

Olsi Ballta: Pjesën vizuale përsa i përket paraqitjes e kam ideuar vetë, ndërsa ngjyrosjen e ka ideuar autori i këngës. Kjo shërbente si një amplifikim i gjithë atyre sfidave që personazhi i këngës kishte, sa herë ishte rrezuar kishte marrë nga një shenjë.

CMG: Olsi, çfarë i dhe,  apo çfarë i more këtij festivali?

Olsi Ballta: Unë i dhashë një performancë shumë të mirë, kënga ishte një material që i kishte të gjitha parametrat jo vetëm për të dalë në finale, por edhe për t’u vlerësuar me çmim. Pavarësisht se nuk mori një çmim u shpall në vendin e pestë në bazë të votave të publikut në natën finale.

CMG: Kjo do të thotë që e ke marrë përqafimin e publikut.

Olsi Ballta: Po, madje masivisht sepse të arrish në klasifikimin e pesë më të mirëve është intrigues shumë i mirë për këngën, e cila pavarësisht se ishte një rrymë që nuk para përqafohet nga masa, shqiptarëve iu ka pëlqyer.

CMG: Kjo të bën të rikthehesh sërish në skenën e festivalit dhe nëse po, do të të shohim me të njëjtën rrymë muzikore?

Olsi Ballta: Patjetër që do të jetë rrok përsëri dhe me shumë mundësi do jem bashkë me grupin tim.

CMG: Pse dole këtë herë pa grupin? A pati hatërmbetje mes grupit?

Olsi Ballta: Absolutisht jo. Këtë herë ftesa ishte personale, ishte një material që unë e kisha përgatitur, por nuk patëm kohën e mjaftueshme për ta zhvilluar dhe prezantuar, për ta çuar deri në fazën e pranimit të këngëve për në festival. Por është një projekt i hapur dhe viti kalon shumë shpejt.

CMG: Dikur  kur ke kënduar me Kristi Popën ke qenë me flokë të gjatë dhe këtë herë në festivalin e 62-të, ishe pa flokë fare, dy ekstreme. Kur ndiheshe më mirë dhe më rrok me flokë apo pa flokë?

Olsi Ballta: Atëherë mendoja se ishin flokët e gjata ato që duheshin, tani nuk e mendoj kështu. Jam shumë rehat dhe komod me look-un dhe gjithsesi është prapë ‘rrok’.

CMG: Me grupin muzikor ke marrë pjesë në shumë festivale të muzikës ‘rrok’, në të cilat  je nominuar po me çmimin “Best Rock”, në “Top Fest”, etj.

Olsi Ballta: Po kemi qenë pjesë e nominimeve ndër vite për këtë çmim, por s’kemi marrë çmim. Kemi marrë pjesë rreth pesë herë dhe hera e fundit ka qenë në “Top Fest 12”,  ku jemi nominuar për çmimin “Best Rock”.

CMG: Ndërkohë si grup muzikor keni realizuar disa albume muzikore.  Flasim për këto bashkëpunime, si kanë qenë ato, a janë në gjuhën shqipe apo edhe në gjuhë të tjera?

Olsi Ballta: Ky  ka qenë albumi ynë i parë i publikuar në vitin 1997 dhe për hir të së vërtetës është pjesë e historisë së rrokut shqiptar dhe është albumi i parë i publikuar në formatin CD, sepse deri më përpara kanë qenë vetëm në formën e kasetave. Albumi është regjistruar në Tiranë, ndërsa produksioni, shumëfishimi dhe pjesa tjetër pas profuksionit është bërë në Zvicër. Këngët e albumit të parë janë të gjitha në anglisht ndërsa të tjerat, të cilat në total janë pesë, janë edhe në shqip.

Olsi Ballta   në Fest 62

CMG: Cila ka qenë shitja më e mirë e këtyre albumeve, i pari apo i atyre që kanë ardhur pas tij?

Olsi Ballta: Përsa i përket cilësisë ka ardhur duke u rritur sepse eksperienca, teknologjia kanë bërë të vetën. Shitje edhe me albumin e parë ka patur shumë sepse ishte i pari që erdhi në formë cd-je, ku janë shitur shumë kopje fizike. Janë prodhuar rreth dy mijë kopje dhe sot pas rreth 27 viteve na ka mbetur ndonjë kopje tek- tuk, që do të thotë në harkun e këtyre janë shitur vërtetë shumë. Ajo që është më e rëndësishme, është të jesh prezent dhe të prezantohesh me muzikën që  e krijon vetë. Ky ka qenë synimi ynë kryesor që në momentin e parë që është themeluar grupi.

CMG: Olsi së bashku me grupin “CrossBones”, përveç pjesëmarrjeve në festival  keni qenë pjesë e shumë koncerteve edhe në Kosovë e Ballkan. A ka qenë e vështirë për të depërtuar në këto tregje muzikore?

Olsi Ballta: E vështirë, por jo e pamundur. Ne me grupin tonë kemi përfaqësuar gjithmonë rrokun në skenat jashtë vendit, dhe shpresoj që dhe grupe të tjera ta përfaqësojnë Shqipërinë sa më idealisht në skenat e rrokut ndërkombëtar. Ndërsa përsa i përket festivaleve. edhe ato janë shumë të rëndësishme pasi në vendin tonë nuk ofrohen shumë mundësi për muzikën rrok, skena është e vogël dhe jashtë saj nuk njihemi për këtë lloj muzike dhe për këtë e mira është që ta eksportojmë jashtë Shqipërisë.

Sot  kontaktet e shumta na i  mundëson zhvillimi i teknologjisë, një pjesë të mirë po ashtu unë e kam pasur edhe me rekomandime nga miqtë e mi që janë pjesë e industrisë së muzikës, ku kemi siguruar këto performanca jashtë. Prezantimi ynë si grup muzikor në Prishtinë ka qenë parvjet në “SpitFire Festival”, ku kemi pasur shumë performanca me këngë të ndryshme dhe ka zgjatur tre ditë. Aty kanë marrë pjesë artistë të ndryshëm të trojeve shqiptare. I fundit ka qenë vitin e kaluar në muajin gusht në Kroaci, ku kemi marrë një ftesë nga festivali. Ishte një pritje e mrekullueshme nga i gjithë stafi organiztor i këtij festivali, e që na ka lënë shumë mbresa. Kroatët kishin një dashamirësi organike për shqiptarët.

CMG: Po ndonjë koncertet tjetër që të ka mbetur në mendje?

Olsi Ballta: Kanë qenë të gjitha të mira, mbresë të veçantë na ka lënë shumë koncerti në Prishtinë sepse ishim dhe për herë të parë në një koncert aty dhe u ndjemë si në shtëpinë tonë. Por përveç koncerteve kemi realizuar edhe ture në vendet balltike dhe në Ukrainë, Rumani, Bosnje-Hercergovinë, Itali, Greqi e Mal të Zi. Gjithashtu  po tentojmë të kemi një shtrirje edhe më tepër në Evropën veriore, por edhe në Evropën perëndimore si në Gjermani, Austri, Francë.

Në fakt edhe ndonjë tur  koncertesh në Kinë do më pëlqente shumë, do ishte shumë i bukur dhe emocionues, përveç faktit që kam një histori personale të familjes me këtë vend. Gjyshi im në vitet ‘60 ka jetuar dhe ka punuar në Kinë. Ai i kujton me shumë nostalgji ato vite, e për më tepër unë e kam ditëlindjen në datën 1 tetor, që është festë kombëtare në Kinë, kështu që paskemi jo pak të përbashkëta me Kinën, e në një të ardhme përse jo, bashkë me grupin tim ‘Crossbones’ të këndojmë edhe në Kinë.

CMG: Përsa i takon muzikës, do të interpetoni të njëjtat materiale apo po punoni edhe për materiale të reja muzikore?

Olsi Ballta: Një plan tjetër i rradhës është shkrimi i një albumi të ri, me të cilin kemi filluar dhe jemi në hapat e parë. Me kohën do të shohim se kur do të përfundojë, e si do të prezantohet.

CMG: Paralelisht me muzikën, duke qenë se ke studiuar për pikturë, puna jote me ‘Graphic design’ ku fokusohet?

Olsi Ballta: Punoj prej 20 vitesh si ‘Graphic designer’, ku i kam ngjitur gradualisht shkallët brenda një departamenti kreativ. Aktualisht jam drejtor kreativ në një agjensi komunikimi këtu në Tiranë prej gjashtë vitesh dhe puna është shumë e bukur. Për një student të Akademisë së Arteve puna si ‘Graphic designer’, ishte rruga më e shkurtër për t’u punësuar dhe jetuar, pasi me pikturën është më e vështirë.

CMG: Për cilën është dashuria më e madhe, për muzikën apo pikturën?

Olsi Ballta: Janë dashuri të ndara sepse muzika është ajo që ta jep emocionin e menjëhershëm dhe shumë të fortë, ku e sheh reagimin e njerëzve. Ndërsa piktura është më e heshtur, pak më intime e personale, pra ka një proces tjetër të krijimit e të ndjesive. E vetmja ndarje që mund të bëj është nga emocioni sesi e transmetojnë secila, ndarje tjetër nuk mund të bëj dot. Do vazhdoj të eci pralelisht me të dyja, me muzikën dhe artet figurative.

CMG: Çfarë planesh ke për vitin 2024?

Olsi Ballta: Festivali është sërish një nga planet, kënga është në proces pune dhe ka një strukturë deri diku të zhvilluar dhe është e sigurt që të paktën do tentojmë të jemi pjesëmarrës sërish, pse jo të shkojmë edhe në Eurovision. Objektivi tjetër është krijimi i një albumi të ri, si dhe do presim jetën ashtu si do të na vijë.

Intervistoi: Sava Lena