Bilbilat e Vrionit ne Kalane e Gjirokastres
“Bilbilat e Vrionit” është një grup i muzikës popullore të Shqipërisë së jugut, me një karrierë muzikore disavjeçare në ruajtjen e folklorit shqiptar. Pjesë e grupit janë vëllezërit Hoxha nga Vrioni i Beratit, të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha edicionet e Festivalit Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës. Ata kanë përfaqësuar trevën e tyre në koncerte dhe festivale jashtë vendit. Gëzim Hoxha, në një intervistë për Radio Ejani tregon për traditën e muzikës popullore në familje, pjesëmarrjet në koncerte dhe festivale si dhe karrierën muzikore.
CMG: Flasim për historinë e traditës së këngës popullore në familjen tuaj.
Gëzim Hoxha: Ne kemi filluar ta lëvrojmë muzikën popullore rreth viteve 50-të ndoshta dhe më përpara, sepse babai ynë Fejzi Hoxha ka kënduar, po ashtu dhe vëllezërit e mëdhenj, Kodheli, Veliu dhe Petriti. Kodheli ka qenë dajrexhi, këngëtar dhe valltar, po ashtu dhe Veliu i binte klarinetës dhe ishte valltar e këngëtar si dhe vëllai tjetër Petriti ishte fizarmoniçist, këngëtar dhe valltar. Mbas disa viteve filluam dhe ne dy vëllezërit e tjerë, ku Behari e ka nisur me fizarmonikë fillimisht dhe pastaj me klarinetë, dhe unë si dajrexhi, fizarmonikë dhe këngëtar deri sot.
Kemi marrë pjesë në shumë evente, festivale brenda dhe jashtë vendit. Para viteve 90-të kemi marrë pjesë në të gjitha Festivalet Kombëtare të Gjirokastrës. Ndërkohë që në festivalin e parë të kooperativave, zhvilluar në Elbasan në vitin 1956 ka marrë pjesë babai ynë dhe tre vëllezërit e tjerë. Pastaj filluan festivalet kombëtare, ku në vitin 1968 morën pjesë tre vëllezërit e mëdhenj dhe vëllait që i binte klarinetës, Veliut iu dhurua një klarinetë. Në vitin 1973 kemi filluar karrierën unë dhe vëllai tjetër Behari dhe kemi marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike deri në festivalin e fundit.
Bilbilat e Vrionit gjate nje koncerti
CMG: Grupi juaj njihej si “Vëllezërit Hoxha”, ngaqë jeni familje muzikantësh ?
Gëzim Hoxha: Populli na ka quajtur “Vëllezërit Hoxha”, sepse merrnim pjesë në shumë dasma, madje deri në Tiranë kemi qenë nëpër dasma. Pas viteve 90-të unë, Gëzimi dhe Behari erdhëm për të jetuar në Tiranë.
CMG: Pse e ndërruat emrin e grupit kur erdhët në Tiranë?
Gëzim Hoxha: Kur shkonim nëpër dasma dhe këtu në Tiranë na njihnin shumë njerëz. Kështu që realizuam albumin e parë si “Vëllezërit Hoxha”, por njerëzit na thonin gjithmonë “bilbilat”. Presidenti i Shtëpisë diskografike Elrodi na tha që ta ndërrojmë emrin e grupit në “Bilbilat e Vrionit”. Ne punuam disa vjet me Elrodi music, sepse atje i realizonim albumet e plota me 10 këngë.
CMG: Sa albume muzikore apo këngë popullore numëroni në repretorin tuaj si grup?
Gëzim Hoxha: Këngët në repertorin tonë janë të panumërta. Unë kam kënduar vetëm këngët e popullit, që i dëgjoja kur shkoja nëpër dasma. Këngët e mia janë pëlqyer shumë dhe dua që këngët e mia t’i këndojnë të gjithë.
Bilbilat e Vrionit ne koncert
CMG: Si e kujtoni pjesëmarrjen në festivalet folklorike?
Gëzim Hoxha: Ne si grup jemi përfaqësuar gjithmonë në festivalet folklorike me tre pjesë të ndryshme, sepse në repertor kemi patur pjesë orkestrale, këngë dhe valle, ku gati gjysma e programit ishte e ndërthurur me repertorin tonë. Kemi patur sukses si grup dhe unë si më i vogëli kam marrë dhe dekorata në festivalet folklorike. Gjithashtu kemi marrë pjesë dhe në festivale të tjera si Takimi i Sazeve në Ersekë dhe Korçë. Në Lushnje nga 150 këngëtarë që ishin pjesëmarrës mua më dhanë çmimin e parë si këngëtar dhe “ Mikrofonin e artë”. Jam 68 vjeç dhe ndjehem i kënaqur me karrierën time muzikore, por do të vazhdoj të këndoj sa të kem mundësi.
CMG: Cila është e veçanta e folklorit beratas, që e dallon nga trevat e tjera të jugut?
Gëzim Hoxha: Fshati ynë Vrion është shumë afër qytetit të Beratit dhe siç kanë thënë disa specialistë të folklorit grupi ynë ka një specifikë të veçantë. Fshati ynë bën pjesë në Myzeqe, por ne kemi një të kënduar ndryshe nga zona e Myzeqesë, Gramshit apo Skraparit. Pra kemi një të veçantë që dallohemi si grup, prandaj dhe këngët tona pëlqehen nga populli.
CMG: Disa këngë të repertorit tuaj janë me karakter humoristik. Flasim për këto krijime që janë bërë hite muzikore.
Bilbilat e Vrionit ne skene
Gëzim Hoxha: Njëra nga këngët humoristike që kemi realizuar është “Na martoi babai në fshat”, e kënduar nga vëllai i madh Kodheli në Festivalin e parë folklorik të Gjirokastrës në vitin 1968. Këtë këngë e kam sjellë dhe unë për publikun dhe është pëlqyer shumë. Gjithashtu kam bërë këngën tjetër humoristike “Tut, tuj, tuj pulat e detit”, që e këndojnë gratë e fshtatit. Kur isha i vogël dhe shkoja nëpër dasma, dëgjoja gratë që tirrnin lesh dhe këndonin këtë këngë. Unë e fiksova këtë këngë dhe erdhi koha që ta realizoja si material muzikor. Kjo këngë u bë hit dhe në çdo koncert që merrnim pjesë ne na identifikonin me këtë këngë. Kam një këngë tjetër humoristike që do ta nxjerr së shpejti, sepse ma kanë kërkuar njërëzit.
CMG: Si jeni ndjerë kur keni veshur kostumin popullor gjatë eventeve muzikore?
Gëzim Hoxha: Kostumin popullor unë e ruaj në shtëpi. Ne kemi këpucë me xhufka, tirqe që janë dy rripa të kuq që i lidhin. Pastaj fustanella, këmishë e bardhë, jelek i qendisur dhe me takije ose me qylaf është kostumi ynë tradicional.
Gezim Hoxha me Irma
CMG: Mendon se brezi i ri po e ruan traditën e këngës popullore sikur e keni ruajtur dhe vazhdoni ta ruani ju?
Gëzim Hoxha: Mua më vjen keq si këngëtar që nuk po le një trashëgimtar që të këndojë këngën myzeqare shtruar. Unë nuk i shaj si zë këngëtarët e rinj, por e keqja është se disa këngëtarë kanë marrë melodi të huaja dhe i kanë futur në këngët tona. Nuk mund t’i ndalosh dot këto huazime, por mua më vjen keq si këngëtar i vjetër me një karrierë gati 55 vjeçare nëpër skena. Gjithashtu më vjen keq për këngën labe, që po i heqin ison dhe po fusin muzikën.
CMG: Jeni i kënaqur me karrierën tuaj muzikore të deritanishme?
Gëzim Hoxha: Unë jam i kënaqur sepse kam qenë në mjaft koncerte në vende të ndryshme të Europës dhe akoma më ftojnë. Deri në Angli kam arritur të shkoj në koncerte. Unë si këngëtar nuk kënaqem kurrë me këngët e mia, por kur kënaqet populli që më kërkon jam vërtetë i lumtur.
CMG: Një mesazh për këngëtarët e rinj të muzikës popullore.
Gëzim Hoxha: Mesazhi im për këngëtarët e rinj është që mos ta prishin folklorin.
Intervistoi: Gazmend Agaj