Viti i Ri Kinez, festimet dhe simbolika e tyre
2024-02-09 10:07:27

Festimet e Vitit të Ri Kinez

Viti i Ri Kinez quhet dhe Festa e Pranverës, e cila zgjat 16 ditë, por vetëm 10 ditët e para të tij konsiderohen festë publike nga 10 deri më 16 shkurt. Sipas zodiakut kinez, sivjet është Viti i Dragoit, simbol i forcës, begatisë dhe paqes. Sipas kalendarit tradicional kinez bujqësor, sipas rrotullimeve të Hënës rreth Tokës, në natën e 9/10 shkurtit bota do të hyjë në Vitin e Dragoit të Drurit (10 shkurt 2024/28 janar 2025). një shenjë zodiaku që shpreh  aftësinë për të ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera ndërpersonale, por edhe një shenjë e orientuar drejt familjes.

Kina feston Vitin e Ri, Festën e Pranverës, një ngjarje tradicionale në shumicën e vendeve të Azisë Qendrore, Jugore dhe Lindore dhe e vlerësuar gjithnjë e më shumë në vendet perëndimore ku jetojnë komunitetet kineze. Në Kinë, ngjarja është një fenomen me jehonë të thellë kulturo-historike-ekonomike, me efekte të brendshme dhe globale, nisur nga numri i madh i udhëtimeve dhe konsumit.

Në mitologjinë kineze dhe aziatike, dragoi është një krijesë madhështore, me fat, që simbolizon guximin, kreativitetin dhe inovacionin, prandaj viti 2024 mund të jetë një nga potencialet dhe mundësitë për zhvillim, sukses personal dhe social.

Me sinologun Iljaz Spahiu në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flasim për Vitin e Ri Kinez, këtë festë popullore me një histori 3 mijë vjeçare

CMG: Flasim për Vitin e Ri Kinez. Pse nuk ka kjo festë një datë të caktuar, por çdo vit festohet në data të ndryshme?

Iljaz Spahiu:Viti i Ri Kinez quhet dhe Festa e Pranverës festohet solemnisht jo vetëm në Kinë, por në të gjithë Azinë, Kjo është festa më e madhe tradicionale e kinezëve në radhë të parë, por dhe festë e rëndësishme e të gjithë aziatikëve. Kjo festë quhet Viti Hënor ose Viti Bujqësor, sipas Kalendarit Hënor.

CMG: Për këtë arsye nuk festohet çdo vit në të njejtën datë?

Iljaz Spahiu: Pikërisht për këtë arsye ndryshon nga Kalendari Gregorian, sepse është 10-15 ditë më i shkurtër dhe llogaritet me ciklin e Hënës, por kryesisht dhe me Kalendarin Bujqësor. Prej mijëra vjetësh kinezët kanë përpunuar një kalendar sipas fazave të punëve bujqësore. Kinezët prej 3 mijë vjetësh kanë përdorur Kalendarin Hënor,  ndërsa Kalendari Gregorian ka filluar të përdoret nga viti 1911 kur u zhvillua revolucioni që u dha fund sundimit të dinastive në Kinë, duke shënuar themelimin e Republikës së Kinës. Vetëm pas kësaj kohe Kina ka filluar të përdorë zyrtarisht Kalendarin Gregorian, që përdoret nga e gjithë bota. Kjo nuk do të thotë që kinezët kanë hequr dorë nga kalendari i tyre tradicional hënor, i cili vazhdon të përdoret jo vetëm zyrtarisht,  por dhe nga qytetarët në përgjithësi. Ata vazhdojnë të festojnë ditëlindjet sipas Kalendarit Hënor.

CMG: Në Kinë jetojnë 56 kombësi. A e festojnë të gjitha etnitë njësoj Vitin e Ri Kinez, apo kanë tradita të ndryshme kulturore?

Iljaz Spahiu: Viti i Ri Kinez është festë jo vetëm e kombësisë Han, por është një festë kombëtare, që festohet nga të gjithë. Sigurisht që ata kanë festat e tyre tradicionale, por festohet dhe Viti i Ri Kinez nga të gjithë.

CMG: Është një festë e gjatë Viti i Ri Kinez, nëse e krahasojmë me Vitin e Ri tonin, që zgjat vetëm dy ditë. Viti i Ri Kinez fillon më 10 shkurt dhe zgjat 16 ditë, nga të cilat 7 ditë konsiderohen si festë publike, nga 10 deri më 16 shkurt. Por festa vazhdon

Iljaz Spahiu: Festa vazhdon thuajse një muaj. Zyrtarisht vazhdon rreth 15 ditë deri në Festën e Fenerëve, por Kina duke qenë një vend i madh edhe festën e ka me kohëzgjatje.

CMG: Sepse në qendër të kësaj feste është bashkimi familjar

Iljaz Spahiu: Pikërisht. Karakteristika më e rëndësishme e kësaj feste është se kinezët nga të katër cepat e Kinës, por dhe të botës mblidhen në familje për ta festuar pranë familjes. Për këtë arsye quhet dhe festa e bashkimit familjar.

CMG: Nëse e krahasojmë Festën e Pranverës me festimet e kulturës perëndimore do të ngjante me Thanksgiving, ndoshta, apo edhe Krishtlindjen

Iljaz Spahiu: Kjo është një festë e ngjashme me festat perëndimore të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

CMG: Le të mësojmë si është atmosfera festive në Pekin! Në lidhje video nga Pekini, gazetari i seksionit shqip të Grupit Mediatik të Kinës Jiang Lei (Zamiri)

Jiang Lei (Zamiri): Përshëndetje Tirana! Tani jam në Wukesong në perëndim të Pekinit. Sot është 30 dhjetor sipas Kalendarit Hënor Kinez dhe na ndan një ditë nga 1 janari i Festës së Pranverës, Vitit të Ri Kinez, që sivjet është Viti i Loong-ut (Dragoit) 2024.  Atmosfera është e ngrohtë edhe pse moti është i ftohtë dhe këtë mund ta shikoni nga veshja ime me xhup dhe doreza. Megjithatë atmosfera është e ngrohtë sepse presim Festën e Pranverës, një festë tradicionale me rëndësi të madhe për të gjithë kinezët

Lidhje video nga Pekini me gazetarin Jiang Lei (Zamiri)

CMG: Kjo është një festë e bashkimit familjar dhe çdo vit në këtë periudhë shënohen shifra rekord të kinezëve që mblidhen për të festuar me familjet e tyre. Çfarë shënon 2024 përsa i përket udhëtimeve të festës së bashkimit familjar?

Jiang Lei (Zamir): Kina ka popullsi të madhe dhe tani jemi një ditë para Festës së Pranverës të Vitit të Dragoit (Loong). Mund ta shikoni që nuk ka shumë njerëz rreth meje, sepse njerëzit janë grumbulluar në stacionet hekurudhore, në aeroporte, në autostrada duke krijuar një fluks gjigant në rrugën për bashkim familjar. Ky është një takim me rëndësi të madhe, të veçantë për çdo familje kineze sepse ky bashkim me rastin e Festës së Pranverës simbolizon bashkimin e fuqisë familjare si dhe lumturi për të gjithë familjen.

CMG: Është Viti i Ri i Dragoit që ka një simbolikë të fuqishme të paqes, lumturisë, begatisë. Mesazhi juaj për Vitin e Ri të Dragoit jo vetëm për bashkëkombasit tuaj, por edhe për të gjithë qytetarët e botës

Jiang Lei (Zamir): Mesazhi i urimit në gjuhën kineze është Xi Nian Kuaile, apo Loong Nian Kuaile, që do të thotë “Gëzuar Vitin e Loong-ut(Dragoit!). Urime sa më të ngrohta dhe të sinqerta me rastin e festës tradicionale të Vitit të Dragoit. Në gjuhën kineze urimet bëhen për sukses në biznes në rritje, në lulëzim, por edhe urimi që të kemi shëndet dhe shpirt të fortë si Dragoi.

CMG: Faleminderit Zamir për informacionin nga Pekini. Urime për Vitin e Ri të gjithë stafit të seksionit shqip të Grupit Mediatik të Kinës. Shëndet, mbarësi dhe begati!

Iljaz Spahiu, jeni një sinolog i njohur në Shqipëri për shkak të historisë personale dhe lidhjes së gjatë me Kinën dhe gjuhën dhe kulturën kineze. Sa herë e keni festuar Vitin e Ri Kinez në Kinë?

Iljaz Spahiu: Pamjet që përcolli Zamiri tani më ngjallën shumë nostalgji sepse kam filluar ta festoj Vitin e Ri Kinez qysh student, 18 vjeç dhe bëhet fjalë për vitet 70-të, ku studiova për 4 vjet. Pastaj jam rikthyer dhe e kam festuar pa ndërprerje nga viti 2002 deri në vitin 2012 kur u largova nga Kina.

CMG: Zodiaku kinez ka 12 shenja kafshësh, por që ndryshojnë nga zodiaku perëndimor. Përveç ndryshimit të këtyre shenjave, që mban emrin Viti i Ri Kinez i çdo viti, çfarë i dallonte festimet e kësaj feste tradicionale, sipas kujtimeve tuaja?

Iljaz Spahiu: Atmosfera është krejt e ndryshme. Nuk mund të krahasohet festimi i viteve 70-të me tani. Sepse në vitet 70-të Kina ishte e varfër, por Viti i Ri festohej me solemnitet, ku nuk mungonin fishekzjarret, por as zbukurimet festive të shtëpive dhe ambjenteve të tjera. Ndryshojnë tavolinat sipas mirëqenies, sepse atëhere ushqim kryesor ishte jiaozi (ravioli kineze), që nuk mungonte për këtë festë. Kurse tani në tavolinat e festës së Vitit të Ri Kinez ze vend peshku dhe sipas një shprehjeje kineze kjo traditë ka lidhje me shtimin e mirëqenies.

CMG: Ju si shqiptarë në Kinë, si e festonit?

Iljaz Spahiu:Ne e festonim me miqtë tanë kinezë. Kur ishim studentë mbaj mend që na mblidhnin profesorët tanë në shtëpitë e tyre të thjeshta, por shumë të dashura dhe miqësore dhe bashkë me ta përgatisnim darkën e Vitit të Ri. Kurse pas viteve 2000 duke qenë një festë familjare kinezët e festonin me familjet e tyre, por e e kemi festuar si miq të afërt në familjet kineze. Ajo që mbaj mend nga festimet e Vitit të Ri Kinez ishte dhe Pekini i boshatisur për disa ditë, gjë që nuk ndodh në ditë të tjera të vitit

CMG: Të dalësh në Tiranë më 1 janar dhe ta shohësh të boshatisur nga njerëzit dhe makinat të duket çudi, imagjinoni Pekinin!

Iljaz Spahiu: Pekini i zbukuruar për festën e Vitit të Ri Kinez. Atmosfera tradicionale e kësaj feste në Kinë më shumë ndjehet në fshat se sa në qytetet e mëdha. Në fshat përcillet tradita e festës dhe e festojnë me të gjitha ritualet.Festa e Pranverës zyrtarisht apo dhe për kinezët e thjeshtë përfaqëson fundin e vitit kur bëhen bilancet, shlyhen të gjitha detyrimet dhe borxhet. Bëhen bilancet e bizneseve në kompani të ndryshme si dhe bilancet qeveritare, të cilat llogariten sipas Vitit të Ri Kinez, pavarësisht se përdoret Kalendari Gregorian.

CMG: Pas Vitit të Ri Kinez, muaji mars sjell në Kinë dhe nisjen e punimeve të dy sesioneve, duke startuar një vit të ri me plane të reja për vendin.

Në një lidhje video nga Instituti “Konfuci” pranë Universitetit të Tiranës, pedagogu i gjuhës dhe kulturës kineze Glendi Xhani, i cili ka studiuar dhe jetuar në Kinë  na tregon historinë e lidhjes së tij me festimet e Vitit të Ri Kinez

Glendi Xhani: Tradita kryesore e Vitit të Ri Kinez është bashkimi familjar. Kudo që ndodhen kinezët mblidhen në familje për të festuar Vitin e Ri. Mua më kanë bërë përshtypje tradita të tilla që çdo gjë duhet të nisë nga fillimi. Shtëpia duhet të pastrohet, fëmijët duhet të kenë veshje të reja, të hiqen nga shtëpitë sendet që nuk përdoren më, duke bërë një rifreskim total të jetës së tyre. Në zodiakun kinez unë i përkas shenjës së gjarprit që vjen pas dragoit. Do të doja t’u përcillja një urim të veçantë atyre që i përkasin shenjës së Dragoit, por jo vetëm atyre me një urim tl të thjeshtë në gjuhën kineze “Loong Nian Kuaile” (Gëzuar Vitin e Ri të Dragoit!)

Pedagogu i Institutit Konfuci Tiranë Glendi Xhani në intervistë për CMG

CMG: Ka shumë për të folur për traditën mijëvjeare të Vitit të Ri Kinez

Iljaz Spahiu: Sidomos ata që kanë jetuar në Kinë kanë përjetime të ndryshme. Përmendi Zamiri lëvizjet me trena, avionë për të shkuar në familje për festë. Sivjet udhëtojnë me trena për t’u bashkuar me familjet me rastin e Festës së Pranverës rreth 500 milionë kinezë, me avion mbi 80 milionë. Duke llogaritur lëvizjet e njerëzve me mjete të ndryshme të transportit do të jenë disa miliardë kinezë në këto udhëtime të festës.

CMG:Një karakteristikë e festës është dhe dekorimi me të kuqe, një ngjyrë fatsjellëse që shihet kudo në zbukurimin e shtëpive dhe mjediseve të tjera. Kinezët ashtu si ne shqiptarët në prag të Vitit të Ri pastrojnë shtëpitë, i zbukurojnë ato me dekorime të kuqe si abazhurë me prerje letre, në dy anët e dyerve vendosen dy shirita të kuq me simbole të fatit të mirë dhe lumturisë. Në festimet e Vitit të Ri Kinez një element tjetër është dhe zarfi i kuq, i quajtur hongbao.

Iljaz Spahiu: Zarfi i kuq nuk duhet të mungojë në këtë festë. Janë zarfe të vegjël të kuq në të cilët futen para brenda, që kryesisht u dhurohen fëmijëve dhe të moshuarve.

CMG: Në sajë të teknologjisë zarfi i kuq shpërndahet me celularë. Vallja e dragoit po ashtu pritet që këtë vit të jetë në kulmin e festimeve. Tryeza e Vitit të Ri Kinez nëpërmjet secilit ushqim shpreh një simbolikë të veçantë.

Iljaz Spahiu: Kuzhina kineze ka një pasuri të madhe dhe tryeza festive e Vitit të Ri ndryshon çdo ditë. Madje në çdo vaft në tryezë shtrohen disa lloje gatimesh tradicionale, tek të cilat dominojnë peshku dhe prodhimet e detit, jiaozi (ravioli të mbushura me mish apo perime), ëmbëlsira të ndryshme. Gjatë festës është traditë që të gatuajnë të gjithë pjesëtarët e familjes dhe kjo bëhet për të ndarë sa më shumë momente së bashku. Kjo është shumë e rëndësishme për anëtarë të familjes që mblidhen së bashku një herë në vit. Këto ditë shfrytëzohen dhe për pushime të gjata, sepse kinezët gjatë vitit nuk bëjnë shumë pushime, kryesisht fabrikat dhe uzinat.

CMG: Mesazhi juaj për këtë festë

Iljaz Spahiu: Ky është Viti i Dragoit, që është një kafshë e zodiakut kinez, i vetmi joreal, por i përket mitologjisë. Ai është simbol i forcës, i fuqisë dhe pushtetit, ndaj është ndër vitet më të preferuara për kinezët. Madje mendohet që sivjet të ketë bum lindjesh që fëmijët t’i përkasin shenjës së dragoit. Gjithashtu Dragoi konsiderohet si simbol i paqes, begatisë prandaj mendohet se ky vit do të jetë më i paqtë, më i begatë për kinezët dhe për botën.

Unë u uroj miqve të mi të shumtë kinezë Gëzuar Vitin e Ri! Shpresoj që Viti i Dragoit të sjellë sa më shumë fat, mbarësi për ta dhe familjet e tyre, duke shpresuar që të takohemi së shpejti.

CMG: Festa e Vitit të Ri Kinez kulmon me mbrëmjen Gala të transmetuar nga Televizioni Qendror i Kinës CCTV, një investim gjigant mediatik dhe një shfaqje tepër e ndjekur jo vetëm brenda territorit të Kinës, por dhe jashtë saj kudo ku jetojnë komunitete kineze në botë. Kjo Gala është pasqyrim i gëzimit të kësaj feste kaq popullore të Kinës.

Intervistoi Eda Merepeza