Çmimi prestigjioz "Best Female Singer" nga "The OPER! Awards 2024" zhvilluar në Gjermani iu dha artistes shiptare me famë botërore Ermonela Jaho për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm në operën "La Rondine" në "Zürich Opera House". Ndërsa pak ditë më parë në Spanjë ajo fitoi çmimin "Artistja më e mirë e huaj për vitin 2023" për interpretimin e saj në "Suor Angelica", në Barcelonë. Arritjet e saj na bëjnë krenarë të gjithëve, pasi Ermonela Jaho na përfaqëson denjësisht në skenat më prestigjioze botërore, duke fituar çmimet më të rëndësishme botërore. Edhe pse me një karrierë të spikatur, Ermonela e ka treguar gjithmonë se nga vjen, duke e përmendur me krenari Shqipërinë, por edhe duke i kushtuar kohë në agjendën e saj të ngarkuar për të kontribuar në shtëpinë e saj, në TKOB.
Ermonela përgjatë vitit 2023 ka zhvilluar dy masterclass-e me të rinjtë shqiptarë e ata të huaj, ndërsa këtë vit do ta shohim në një tjetër bashkëpunim, me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, për 100-vjetorin e Butrintit.
Ermonela Jaho në momentin e ndarjes së ‘Oscar-it’ gjerman, si “Këngëtarja më e mirë femër në Opera Awards 2024”, foli për Shqipërinë. Në ceremoninë gala të mbajtur javën që shkoi në Amsterdam, Ermonela tregoi se ëndrra nisi në moshën 14-vjeçare në Shqipëri dhe tani muzika është kthyer në një rrugëtim shpirtëror për të.
“Është bërë e ditur tashmë se një karrierë në opera kërkon më shumë se sa një zë të bukur. Gjithashtu është e rrallë që një artist të shpërfaqë brendinë e tij tek publiku përmes këndimit dhe aktrimit njëkohësisht”, tha Jaho.
Ky është një nga çmimet e rëndësishme ndërkombëtare që jep Gjermania çdo vit, përgjatë një galaje ku paraqiten performancat e krijimet më të mira të skenës operistike, për artistët që punojnë para dhe pas kuintave.
“Është gjithmonë kaq emocionuese të ecësh në skenë, por para së gjithash dua të falënderoj jurinë e Opera Awards për këtë vlerësim, publikun tim, menaxherin tim, kolegët e mi, secilin, sepse mendoj që arti ynë, muzika, opera pa shpirtin tonë si artistë, që reflektohet në shpirtin tuaj si publik, nuk do të mbijetonte”, ka theksuar Ermonela Jaho, gjatë ceremonisë.
Ermonela Jaho gjate ndarjes se çmimit (Foto nga Instagrami)
Jaho tregoi me nostalgji momentin kur ajo pa për herë të parë një opera në Teatrin e Operas në Tiranë.
“Jam shumë e emocionuar, sepse duke shkuar pas në kohë, më vjen ndër mend që herën e parë që pashë një opera isha 14-vjeç në Shqipëri dhe rashë në dashuri menjëherë me të. Për mua ishte diçka magjike, diçka e mrekullueshme që mbase më bënte pak edhe melankolike njëkohësisht. I premtova vetes atë natë se do të bëhesha këngëtare opere dhe se nuk do të ikja nga kjo botë pa kënduar se paku një herë në jetën time në skenë. Dhe a e dini, të kthehesh pas në kohë në një kohë që jam duke marrë këtë vlerësim është kaq emocionuese. Udhëtimi ka qenë shumë i gjatë, i bukur, i mbushur me vështirësi, por mbi të gjitha magjik! Është i tillë ende sot. Faleminderit shumë! Opera do jetojë me ne, sepse është gjuha e shpirtit tonë. Për mua ky rrugëtim u shndërrua në një udhëtim shpirtëror”, tha sopranoja.
Çmimet “Opera Awards” prezantohen në 20 kategori nga një juri e përbërë nga gazetarë dhe muzikantë.
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Ermonela Jaho performoi për publikun e Operas Kombëtare të Holandës në Amsterdam ku edhe u mbajt ceremonia e vlerësimeve për ato që konsiderohen edhe si “Oscar” i Gjermanisë. Sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho një vit më parë, është vlerësuar në një aktivitet ndërkombëtar si, “Artistja e vitit 2023” nga “International Classical Music Awards - ICMA”. Çmimi iu delegua sopranos së njohur shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, me motivacionin: "Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, Ermonela Jaho mahnit me estetikën e saj të pastër vokale”.Urime Ermonela!
Sava Lena