Investimet e jashtme direkte jofinanciare patën rezultate të mira në vitin 2023
2024-02-09 10:01:14

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompanitë kineze po kërkojnë mundësi të reja për rritje jashtë shtetit mes ristrukturimit global të zinxhirit të furnizimit, me rritje të investimeve dhe një rritje të dukshme në aktivitetin e transaksioneve me vlerë të lartë jashtë shtetit, thanë ekspertët.

Duke u bazuar në investimet e vitit të kaluar, ekspertët nënvizuan rritjen e konsiderueshme të investimeve të jashtme direkte jofinanciare, me fokus në sektorë të tillë si teknologjia, energjia dhe automjetet me energji të re.

Një raport i fundit nga firma e kontabilitetit “Ernst & Young China” bën të ditur se investimet e jashtme direkte jofinanciare të Kinës në vitin 2023 u rritën me 11.4 për qind në 130.1 miliardë dollarë, ndër të cilat investimet në ekonomitë e përfshira në nismën “Një brez, një rrugë” arritën në 31.8 miliardë dollarë, 22.6 për qind më shumë në baza vjetore.

Investimet e jashtme direkte totale të vendit arritën në 147.9 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke u rritur me 0.9 për qind në baza vjetore, thuhet në raport.

Veçanërisht, projektet e saponënshkruara në fushën e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit jashtë Kinës arritën në 264.5 miliardë dollarë, duke shënuar një nivel më të lartë në pesë vjet, me një rritje prej 4.5 për qind në baza vjetore.

Qarkullimi i përfunduar arriti në 160.9 miliardë dollarë, duke treguar një rritje prej 3.8 për qind, me ekonomitë e “Një brez, një rrugë” që kontribuan me mbi 80 për qind, duke tejkaluar normën e përgjithshme të rritjes.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zhou Mi, studiues në Akademinë kineze të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit Ekonomik, tha se rritja e investimet e jashtme direkte jofinanciare ka nxitur drejtpërdrejt krijimin e shumë mundësive të reja të punës dhe ka rritur të ardhurat nga taksat, duke luajtur një rol kryesor në stimulimin e rritjes ekonomike në vendet përfituese.

“Investimi i jashtëm i Kinës në sektorët e prodhimit dhe tregtisë ka dëshmuar një rritje të jashtëzakonshme. Gjatë një ose dy viteve të fundit, investimet në energjinë e gjelbër dhe automjetet elektrike janë rritur. Për më tepër, ka pasur rritje të shpejtë në investimet e jashtme në shërbime, sidomos në shërbimet logjistike për tregtinë elektronike”,- tha Zhou.

Sipas raportit të “Ernst & Young”, teknologjia, media dhe telekomi, prodhimi i avancuar dhe sektorët e lëvizshmërisë dominuan transaksionet jashtë vendit për sa i përket vlerës së marrëveshjes.

Sektori i energjisë dhe shërbimeve komunale ishte i vetmi që dëshmoi rritje në vlerën dhe vëllimin e transaksioneve, thuhet në raport.

Në të gjithë sektorët, kompanitë kineze raportuan një rritje prej 20.3 për qind në baza vjetore në vlerën e marrëveshjeve jashtë shtetit, duke arritur në 39.8 miliardë dollarë, thuhet në raportin e “Ernst & Young”.

Pavarësisht një rënie në numrin e marrëveshjeve në 457 - një rënie prej 16.3 për qind në baza vjetore - prania e transaksioneve të mëdha, vlerat e të cilave tejkalojnë 500 milionë dollarë, u rrit qartë, thuhet në raport.

Investimet dhe marrëveshjet në vendet e “Një brez, një rrugë” u rritën me 32.4 për qind në baza vjetore, duke tejkaluar normën e përgjithshme të rritjes.

“Për momentin, ndërmarrjet kineze kanë hyrë në një fazë të re të zgjerimit global, me teknologjinë dhe markat e Kinës duke rritur praninë e tyre jashtë shtetit dhe duke u zhytur në mundësi të reja rritjeje. Njëkohësisht, transformimi industrial i Kinës përputhet me tendencat globale si digjitalizimi, ekonomia e gjelbër dhe riformësimi i zinxhirit të vlerës industriale”,- deklaroi Loletta Chow, drejtuese e rrjetit të investimeve jashtë shtetit në “Ernst & Young China”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zhou nga Akademia kineze e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit Ekonomik tha se ristrukturimi i vazhdueshëm i zinxhirit të furnizimit global u ofron ndërmarrjeve kineze mundësi për të lidhur pikat e tyre të forta me nevojat në zhvillim të tregut.

Firmat kineze po demonstrojnë konkurrencë të fortë globale në sektorë të ndryshëm të prodhimit. Shumë vende po përqafojnë në mënyrë aktive pjesëmarrjen e firmave kineze. Shfaqja e industrive të reja ka hapur mundësi të shumta për sipërmarrjet që dalin jashtë vendit.

Sipas Zhou, ka sfida nga pasiguritë ekonomike globale, tensionet gjeopolitike dhe rregulloret ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare në zhvillim.

“Këtë vit, peizazhi gjeopolitik global mund të përballet me më shumë sfida, por Kina mbetet e përkushtuar ndaj politikës së saj të nivelit të lartë të hapjes. E nxitur nga angazhimi i fortë për zhvillim midis ndërmarrjeve, parashikohet që hapja globale do të vazhdojë të jetë një strategji kryesore e rritjes për shumë kompani kineze”,- tha Chow.