Foto nga OKB
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se bota po hyn në një "epokë kaosi" dhe se paqja mbetet elementi që mungon në sfondin e përshkallëzimit të konflikteve, shtimit të ndasive dhe intensifikimit të polarizimit.
Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB me një listë fushash përparësore veprimi, kreu i OKB-së theksoi se kjo organizatë u themelua me synimin e paqes.
"Paqja është arsyeja e qenies sonë, megjithatë, kur shikoj peizazhin e botës së sotme, vërej se gjëja që mungon më shumë është paqja," u shpreh ai.
Guterres-i tha se paqja është "filli që përshkon pëlhurën e përbashkët të botës" dhe është "rruga për të dalë nga këto kriza të ndërlidhura; është një kushtrim... dhe një thirrje për veprim."
Numri një i OKB-së pohoi që, në qoftë se të gjitha vendet përmbushin detyrimet e tyre sipas Kartës së OKB-së, do të garantohet e drejta e çdo njeriu për një jetë me paqe dhe dinjitet.
"Por qeveritë po shpërfillin dhe minojnë parimet themelore të multilateralizmit me mungesën e plotë të përgjegjësisë," tha ai.
Për të trajtuar kompleksitetet e botës së sotme shumëpolare, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi nevojën për të forcuar dhe përtërirë kornizat e paqes dhe sigurisë globale. Ai përmendi Agjendën e Re për Paqen, të shpallur në mes të vitit 2023, që bën thirrje për reformën e Këshillit të Sigurimit dhe rithekson përkushtimin për eleminimin e armëve bërthamore, intensifikimin e përpjekjeve për parandalimin e konflikteve dhe marrjen e masave për të zbutur ndikimin e konkurrencës gjeopolitike mbi rregullat e tregtisë globale, zinxhirët e furnizimit, monedhat dhe internetin.
Kreu i OKB-së u kërkoi udhëheqësve botërorë të shfrytëzojnë mundësinë e "Samitit të së ardhmes" që do të mbahet në shtator në Nju-Jork në kuadër të mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme, për të "formësuar multilateralizmin për vitet e ardhshme".