Foto CFP
Këtë dimër, "vala e akullit dhe e dëborës" në Kinën Verilindore, si në qytetin Harbin etj., ka tërhequr turistë të panumërt vendës e të huaj. Ditët e fundit, 22 ambasadorë, diplomatë e përfaqësues të 18 vendeve e organizatave ndërkombëtare në Kinë vizituan me ftesë Heilongjiang-un për të njohur gjendjen e zhvillimit të turizmit, sporteve e sektorit të akullit e dëborës në këtë provincë.
Ambasadori i Zvicrës në Kinë Juerg Burri është i mendimit që kushtet klimatike janë të domosdoshme për zhvillimin e turizmit dimëror. Ashtu si Zvicra, pas hyrjes në dimër, edhe provinca Heilongjiang bëhet një "botë e bardhë". Sipas tij, edhe infrastruktura e mirë ka rëndësi të madhe, si për shembull transporti i përshtatshëm dhe instalimet e pajisjet e përsosura në pistat e skive. Juerg Burri shtoi se, krahas këtyre, nevojiten edhe aktivitete të pasura. Në Zvicër, krahas skive, njerëzit mund të blejnë mallra në pistat e skive. Kurse në Harbin, sportet e akullit e të dëborës kanë ndërthurur zakonet popullore, ushqimet e shijshme etj. për të tërhequr turistët. "Kur bashkohen të gjithë këta faktorë, atëherë krijohet një destinacion tërheqës turistik në dimër,” tha ambasadori Burri.
Sipas statistikave, gjatë pushimeve të Vitit të Ri 2024, vetëm në qytetin Harbin pati mbi 3 milionë turistë dhe të ardhurat turistike i kaluan 5.9 miliardë juanët (rreth 820 milionë dollarë). Në "Raportin mbi turizmin e akullit dhe dëborës të Kinës 2024" parashikohet se në stinën e akullit dhe dëborës 2023-2024, numri i turistëve do t'i kalojë 400 milionët dhe të ardhurat turistike do të arrijnë në 550 miliardë juanë (rreth 76.4 miliardë dollarë).
Foto nga Xinhua
Krahas turizmit të akullit e dëborës, diplomatët e huaj u njohën edhe me zhvillimin e sporteve dimërore. Në vitin 2025, do të zhvillohen në Harbin Lojërat e 9-ta Dimërore Aziatike. Diplomatët e huaj vizituan pistat e skive e të patinazhit etj. për të mësuar për gjendjen e përgatitjes së këtyre lojërave. Para kësaj, Harbini ka grumbulluar përvojën e organizimit të veprimtarive të sporteve dimërore, duke organizuar Lojërat e 3-ta Dimërore Aziatike dhe Universiadën e 24-t Dimërore Botërore.
Ambasadori i Austrisë në Kinë Andreas Riecken pa me kënaqësi se shumë instalime e pajisje në pistën e skive për Lojërat Dimërore Aziatike të Harbinit janë prodhuar nga kompani austriake. Ai shprehu pritshmëritë për bashkëpunimin dypalësh në këtë fushë: “Në Austri ka një traditë shumëvjeçare të sporteve dimërore dhe shumë kompani merren me këtë sektor. Unë shpresoj që të shtohen fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e akullit dhe dëborës, duke përfshirë infrakstrukturën, veshjet, pajisjet etj.," vuri në dukje ai.
Nga ana e tij, ambasadori i Sllovakisë në Kinë Peter Lizak u shpreh se Lojërat Dimërore Aziatike janë një rast shumë i mirë për nxitjen e sporteve dimërore. Instalimet dhe pajisjet me cilësi të lartë në Harbin do të tërheqin më shumë njerëz të marrin pjesë në sportet e akullit dhe dëborës. "Jam i bindur se, me përvojën e organizimit me sukses të Lojërave Dimërore Olimpike të Pekinit, Lojërat Dimërore Aziatike të Harbinit patjetër do të jenë të suksesshme," tha Peter Lizak. (Fani)