Gratë dhe qytetet e tyre
2024-02-09 10:05:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Midis viteve 2016 dhe 2019, artistja zvicerane Catherine Gfeller nisi një udhëtim në një sërë qytetesh kineze, duke përgatitur dhe një narrativë me historitë e grave me prejardhje të ndryshme.  Vizioni i saj për gratë, sfidat me të cilat përballen dhe shpirti i tyre spikatës do të ishin pikat kryesore të eksplorimeve të mëvonshme të artistes.

 

Në rrugët plot zhurmë të Guangzhou, në provincën Guangdong, Hong Kong, Pekin dhe Kunming në provincën Yunnan, Gfeller gjeti një mjet për të eksploruar thelbin e këtyre peizazheve urbane duke fokusuar synimin e saj te gratë.

 

Ambasada e Zvicrës në Pekin çeli një ekspozitë javën e kaluar, e cila vë në pah perspektivat dhe zërat e grave. Nëpërmjet objektivit të saj, Gfeller krijon me mjeshtëri një dialog dhe ndërton një urë mes rrëfimeve të grave dhe gjallërisë së qyteteve që ato banojnë.

Kalimi i qyteteve përmes objektivit të grave shfaqet në 30 punime, duke përfshirë fotografi, tekste dhe video.

 

Për Gfeller, zërat e grave janë shumë të rëndësishme në shoqërinë moderne kineze. Gjatë xhirimeve, ajo mësoi se si gratë i perceptojnë mënyrat e reja të jetës dhe se si gjejnë forcë për të ecur përpara në qytetet e tyre.

 

Foto nga Chinadaily

Foto nga Chinadaily

“Në momentin që fokusova objektivin, u ndjeva sikur u bëra pjesë e qytetit”, thotë Gfeller.

 

Ambasadori i Zvicrës në Kinë, Jurg Burri, tha në ceremoninë e hapjes së ekspozitës se Gfeller kujdeset shumë për njerëzit, veçanërisht për gratë në qytete. Ai theksoi se çështjet e grave janë një temë globale dhe shprehu besimin se zëri i tyre do të dëgjohet më shumë.

 

Ekspozita është e hapur për publikun deri në fund të muajit mars. Artistja 58-vjeçare njihet për interesin e saj në fotografinë e peizazhit. Duke përdorur teknika si montazh, kolazh dhe mbivendosje, ajo krijon vepra arti unike. Gjatë karrierës së saj prej tre dekadash në botën e artit, Gfeller ka eksploruar peizazhe dhe kultura të largëta, duke marrë frymëzim nga udhëtimet e saj.

 

Në vitin 2016, ajo filloi një projekt me fokus rolin e grave në qytetet e mëdha kineze. Kjo çoi në hapjen e një ekspozite të madhe në vitin 2018 në Muzeun e Artit të Guangdong në Guangzhou.

 

Gfeller thotë se përgjigjja pozitive nga një audiencë e gjerë e motivoi atë për të vazhduar projektin në qytete të tjera. “Fokusi im është në ndërthurjen e jetës së grave kineze dhe megaqyteteve ku ato jetojnë. Në çdo qytet, takova rreth 10 gra me profesione të ndryshme dhe biseduam gjatë përpara se t'i fotografoja dhe t'i filmoja”,- thotë ajo.  Gfeller i fokuson gratë në mjediset urbane dhe natyrore. Ajo i fotografon, i filmon dhe i regjistron bisedat e tyre ndërsa ecin.

 

“Secila më çoi në vende ku kanë kujtime nga fëmijëria, ose ku jeta e tyre e tanishme i çon çdo ditë. Kjo lidhje personale krijoi një atmosferë të veçantë. Me aparatin tim, u përpoqa të kap mendimet, ndjenjat, kujtimet, dëshirat, pranitë e tyre të gjalla dhe fantazitë”,- thotë ajo.

 

Foto nga Chinadaily

Foto nga Chinadaily

Në fotot dhe videot e saj, shikuesit shpesh hasin gra që shikojnë mendueshëm qytetin. Kamera e Gfeller fokuson gratë ndërsa ato nga ana e tyre soditin peizazhin e qytetit.

 

“Më pëlqen të takoj banorët dhe të përballem me përvojat e tyre me vizionin tim artistik. Po përpiqem të gjej bukurinë dhe ta transformoj anonimitetin dhe vetminë në diçka të gëzueshme”,- thotë ajo.

 

Objektivi i Gfeller nuk është i rrënjosur në raportimin dokumentar. Në vend të kësaj, ajo kërkon frymëzim nga realiteti i vëzhguar dhe e riinterpreton atë përmes një vizioni artistik që rindërtohet dhe herë pas here shndërrohet në trillim.

 

“Dua që historitë e tyre të interpretohen në një mënyrë poetike, shqisore në një lojë imazhesh të fiksuara në lëvizje, zhurmë urbane, tinguj natyrorë, zëra dhe ndërthurje të fjalëve dhe heshtjes”,- tha Gfeller.