Kalendari i shfaqjeve të TKOBAP në shkurt 2024
2024-02-08 11:24:39

TKOB (Foto nga instagrami)

TKOB (Foto nga instagrami)

Shkurti ka nisur  në Teatrin Kombëtar të Operas Baletit dhe Ansamblit Popullor me Korin e Filharmonisë së Kosovës që feston 20-vjetorin e krijimit të tij në Tiranë. Kjo festë do të vijojë në Prishtinë ku Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Ansambli “Shota” do të përcjellin për publikun  një koncert të përbashkët. Gjatë shkurtit publiku i këtij teatri do të ndjekë “Giselle”, një nga kryeveprat e baletit klasik botëror. E ku më bukur se në opera, mund të festohet Dita  e të dashuruarve, ku publiku mund të ndjekë tingujt e koncertit  “Puccini in Love”. Ky muaj do të mbyllet me  një premierë të produksionit të ri të “Il Trittico”, 3 opera në një natë.

Vihet re një larmi shfaqjesh gjatë këtij muaji, ku sezoni artistik për muajin shkurt nisi kalendari e tij artistic më  2 shkurt me një koncert vokal, ku Teatri Kombëtar i Operas Baletit dhe Ansamblit Popullor, solli  bashkëpunimin me Korin e Filarmonisë së Kosovës, në kuadër të 20- vjetorit të Filarmonisë së saj.

Rafet Rudi dirigjent (Foto nga instagrami)

Rafet Rudi dirigjent (Foto nga instagrami)

Rafet Rudi,  dirigjenti i këtij kori ka shkruar në Instagram lidhur me këtë koncert

“Jam i lumtur që pas një kohe reltivisht të gjatë, të takohesha me publikun e Tiranës. Ky ish një program mjaft atraktiv, përfshinte vepra të literaturës botërore të autorëve më në zë, që sot veprojnë. Mund të krahasohet një muzikë post moderne, por në kudër të programit do të jetë  vepër e autorit Aulon Naçi, me një vepër që ja ka kushtuar korit tonë.”   

Më 3 shkurt u vu në skenë baleti “Giselle”, Adolphe Adam Provë Gjenerale për Fëmijë, duke vijuar me rivënien në datat 5, 6, 7 shkurt 2024, me libret të  Théophile Gautier, koreografi nga Agron Aliaj, balet master Sabrina Bosco, në  interpretimin e  Orkestrës Simfonike dhe Trupës së Baletit të TKOB-së me dirigjente Renata Russo.

Rrëfimi i një dashurie të pa mundur, një zemreje që rreh aq fort, një dashurie të tradhëtuar dhe një princ mes dy vajzave. Ky është një nga baletet më të rëndësishëm të historisë së baletit klasik, që e solli sërish në skenë trupa e baletit të TKOB-së, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, bashkë me shumë balerinë italianë,  me koreografi të të madhit, Agron Aliaj, nën drejtimin e dirigjentes së baletit, Sabrina Bosco dhe dirigjentes së orkestrës Renata Russo.

Renata Russo dirigjente (Foto nga instagrami)

Renata Russo dirigjente (Foto nga instagrami)

Kjo shfaqje u mbajt për artdashësit më datat 5-6-7 shkurt. Në një prononcim për TKOB në Instagram, Dirigjentja Renata Russo është shprehur:

“Jam Renata Russo, drejtuesja e kësaj orkestre që prezantohet në Operan e Tiranës. Vij për herë të dytë në Shqipëri në bashkëpunim me teatrin. Këtë herë ndodhem në Tiranë për baletin “Giselle” dhe jam shumë e lumtur sepse këtu gjeta një orkestër të mrekullueshme”.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të verë në skenë një tjetër shfaqje më 10 dhe 11 shkurt, operën për familje dhe fëmijë “Il Maestro di capella”, nga Domenico Cimarosa në bashkëpunim me Orkestrën e Forcave të Armatosura.

(Foto nga instagrami).jpg

(Foto nga instagrami)

Në ditën e të dashuruarve më 14 shkurt  do të shfaqet koncerti  vokalo-simfonik “Puccini in love”. Më  16 shkurt, me koncertin “Ne jemi një”, publiku do të ndjekë në skenë koncertin e përbashkët të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore me Ansamblin “Shota” të Kosovës.  Më 28 shkurt do të ngjitet në skenë një produksion i ri i operas “Gianni Schicchi”, nga Giacomo Puccini, provë  gjenerale për familje dhe fëmijë.

TKOB në bashkëpunim me “Fondazione Festival Pucciniano” si dhe “Institutin Italian të Kulturës”, e mbyll muajin shkurt me produksionin e ri më 29 shkurt të operas  “Il Trittico” nga Giacomo Puccini sërish një bashkëpunim me “Fondazione Festival Pucciniano” dhe “Institutin Italian të Kulturës”, me libret nga Giovacchino Forzano, Giuseppe Adami, që do të interpretohet nga solistët, kori dhe orkestra simfonike e TKOB-së, me dirigjent, Jacopo Sipari di Pescasseroli, me regji nga Ada Gurra, skenogra­fia dhe kostumogra­fia nga Fondazione Festival Pucciniano, dirigjent kori Dritan Lumshi.

Sava Lena