Xi Jinping-u uron të gjithë kinezët për Festën e Pranverës
2024-02-08 18:07:39

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping, në emër të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe Këshillit të Shtetit, u shprehu urime për Festën e Pranverës të gjithë kinezëve në një pritje të enjten në Pekin.

Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, mbajti një fjalim në veprimtarinë e organizuar në Pallatin e Madh të Popullit, duke uruar popullin kinez të të gjitha kombësive, bashkatdhetarët në Hong-Kong, Makao e Tajvan dhe kinezët jashtë vendit. 

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Viti i Lepurit që po lëmë pas shënoi fillimin e zbatimit të plotë të parimeve drejtuese të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së në të gjitha frontet, tha Xi, duke vënë në dukje se Kina u përball me një mjedis jashtëzakonisht të komplikuar ndërkombëtar dhe me detyra të vështira të reformës, zhvillimit dhe ruajtjes së qëndrueshmërisë. 

"Gjatë vitit të kaluar, ne kemi zbatuar plotësisht konceptin e ri të zhvillimit, kemi ruajtur prirjen e përgjithshme të synimit të arritjes së përparimit duke ruajtur qëndrueshmërinë, kemi zbatuar me vendosmëri fazën kalimtare të punës për parandalimin e kontrollin e COVID-19 dhe kemi promovuar rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik," theksoi Xi Jinping në fjalimin e tij.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Vëllimi i përgjithshëm ekonomik i ka tejkaluar 126 trilionë juanët, prodhimi i drithërave ka arritur nivele të reja të larta dhe punësimi e çmimet janë përgjithësisht të qëndrueshme, u shpreh më tej ai. Inovacioni shkencor e teknologjik ka arritur përparime të reja dhe është përshpejtuar krijimi i forcave të reja prodhuese cilësore. Reforma dhe hapja vazhdojnë të thellohen dhe një raund i ri i reformës së institucioneve partiake dhe shtetërore ka përfunduar në thelb. Mjedisi ekologjik ka vazhduar të përmirësohet, ndërsa mbrojtja kombëtare dhe modernizimi ushtarak kanë hedhur hapa të rinj. U zhvilluan me sukses Universiada e Chengdu-së e Lojërat Aziatike të Hangzhou-t dhe sportistët kinezë arritën rezultate të mira. “Do të thellojmë qeverisjen e gjithanshme e të rreptë të Partisë dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe do të konsolidojmë në vazhdimësi një mjedis të mirë politik. Ne kemi ndjekur parimin e vendosjes së njerëzve në plan të parë, jemi përpjekur të mbrojmë dhe përmirësojmë jetesën e njerëzve, kemi vazhduar të konsolidojmë  e zgjerojmë rezultatet e zbutjes së varfërisë, kemi zgjidhur problemet më të ngutshme dhe më shqetësuese të njerëzve dhe kemi bërë gjithçka për t'iu përgjigjur fatkeqësive natyrore dhe për të promovuar mëkëmbjen  e ndërtimin pas fatkeqësive, dhe situata e përgjithshme shoqërore mbetet e qëndrueshme. Kemi mbështetur në mënyrë aktive Hong-Kongun dhe Makaon për t'u integruar më mirë në zhvillimin e përgjithshëm të Kinës, kemi kundërshtuar me vendosmëri veprimet separatiste të 'pavarësisë së Tajvanit' e ndërhyrjen nga forcat e jashtme dhe kemi mbrojtur me forcë sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit,”tha ai.

"Ne bashkuam forcat e modernizimit kinez, mbajtëm në mend detyrat e ngutshme të brendshme e ndërkombëtare, kapërcyem vështirësi e sfida të shumta dhe bëmë përparim të madh në udhëtimin e ri për ta bërë Kinën një vend modern socialist në të gjitha aspektet," theksoi Xi. 

Xi theksoi po ashtu se është e nevojshme të thellohen më tej reformat në mënyrë gjithëpërfshirëse, të bëhen përpjekje për të kapërcyer pengesat e thella institucionale dhe kontradiktat strukturore, të stimulohet plotësisht gjallëria sipërmarrëse, inovative e krijuese e të gjithë shoqërisë dhe t'i jepet një shtysë e fortë promovimit të modernizimit të stilit kinez.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Ai vuri në dukje se loong-u është totemi i kombit kinez, i cili ka një pamje të fortë dhe madhështore, një shpirt të guximshëm dhe të patrembur, një ndjenjë bekimi ndaj botës dhe një fuqi të pakrahasueshme. Loong-u jo vetëm që simbolizon shpirtin e kombit kinez të vetëpërmirësimit, përpjekjeve dhe kërkimit të përparimit përgjatë pesë mijë vjetëve, por gjithashtu mbart vullnetin e fortë dhe dëshirat e mira të mbi një miliard kinezëve në epokën e re dhe udhëtimin e ri për të promovuar ndërtimin e një vendi të fortë dhe kauzën e madhe të rilindjes kombëtare. "Në Vitin e Loong-ut, shpresoj që njerëzit në mbarë Kinën të frymëzohen nga shpirti i loong-ut, të kenë frymë pionere e inovacioni dhe të punojnë fort për të shkruar një kapitull të ri në rrugën e modernizimit kinez", shtoi presidenti Xi. 

Pritja u kryesua nga Li Qiang-u. Në veprimtari ishin të pranishëm gjithashtu Zhao Leji, Wang Huning, Cai Qi, Ding Xuexiang, Li Xi dhe Han Zheng.

Festa e Pranverës, ose Viti i Ri Hënor Kinez, këtë vit bie më 10 shkurt. (Fang Xiaoyu/Artan)