foto nga “ChinaDaily”
Vapa përvëluese e verës është e vështirë të imagjinohet tani në Parisin e mesit të dimrit, por pas gjashtë muajsh, kur atletët e botës të mbërrijnë për Lojërat Olimpike, një tjetër valë e nxehtë e fortë mund të sjellë telashe për organizatorët. Një studim i ri, që paraqet simulimet klimaterike për të parashikuar valët më të këqija të të nxehtit gjatë Olimpiadës Paris 2024, paralajmëroi se kryeqyteti francez përballet me një rrezik jo të vogël të temperaturave rekord të verës.
Hulumtimi, i botuar në dhjetor në revistën “Npj Climate and Atmospheric Science”, shqyrtoi rrezikun e një vale të nxehti dyjavore që do të kapërcejë periudhën e nxehtë rekord të të gjitha kohërave të parë në Paris në vitin 2003.
“Në 20 vjet, klima ka ndryshuar. Ideja ishte të paralajmëroheshin politikëbërësit se diçka edhe më e keqe se 2003-shi mund të ndodhte. Në shekullin e 20-të, nuk ishte e mundur të shkohej përtej këtij rekordi, por tani ne nuk mendohet ta barazojmë atë, por ta tejkalojmë me një probabilitet që në fund të fundit është mjaft i lartë”,- tha për “AFP” autori kryesor i studimit, Pascal Yiou.
Një studim i veçantë në revistën “Lancet Planet Health”, majin e kaluar, zbuloi se Parisi kishte normat më të larta të vdekjeve nga nxehtësia në 854 qytete evropiane, pjesërisht për shkak të mungesës së hapësirave të gjelbra dhe popullsisë së dendur. Statistikat ishin më larta nga ngjarjet e vitit 2003, kur vdiqën rreth 15.000 persona, shumica e tyre të pambrojtur, të moshuar që jetonin vetë, duke sjellë dhe nevojën e kërkimeve kombëtare.
Qendra e sporteve ujore për Olimpiadën 2024 në Paris / foto nga CFP
Testimi i ambienteve
Në pesë vitet e fundit, Parisi ka qenë dëshmitar i disa stinëve të nxehta të verës që kanë parë vendosjen e disa rekordeve të nxehtësisë. Një kulm i ri i të gjitha kohërave u regjistrua në korrik 2019, kur shërbimi i motit “Meteo-France” dha temperaturën 42.6 gradë në kryeqytetin francez.
Organizatorët e Lojërave Olimpike Paris 2024, të cilat do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht, dhe të Lojërave Paraolimpike, të cilat fillojnë në fund të gushtit, thonë se janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet që lidhen me klimën.
“Valët e të nxehtit dhe ngjarjet ekstreme të motit janë faktorë që ne i marrim parasysh dhe që po përgatitemi për to sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndërmarrim veprimet e nevojshme”,- tha një zëdhënës për “AFP”.
Ekipet operative po shikojnë mundësinë e zhvendosjes së orareve të garave në natyrë, për të shmangur vapën e mesditës. Ngjarjet e atletikës, veçanërisht maratona, si dhe tenisi apo volejbolli në plazh, shihen të gjitha si të prekshme ndaj efekteve të diellit dhe temperaturave të larta.
Atletët e rinj dhe në formë mund të rezultojnë gjithashtu më rezistent se spektatorët, të cilët ka të ngjarë të përballen me radhë të gjata për të hyrë në mjedise dhe mundësisht orë pa hije në stadiume të hapura.
Kreu i agjencisë franceze përgjegjëse për ndërtimin e objekteve të Lojërave Olimpike, Nicolas Ferrand, deklaroi në një seancë dëgjimore në Senat se të gjitha objektet e brendshme ishin ndërtuar duke pasur parasysh ngrohjen globale.
“Ne parashikojmë që të gjitha ndërtesat tona të jenë të rehatshme në verën e vitit 2050”,- tha ai muajin e kaluar, duke theksuar se Zyra kombëtare e Motit dhe firma e konsulencës “IT Dassault Systemes” kishin ndihmuar me modelimin.
foto nga CFP
Çështja e ajrit të kondicionuar
Një tjetër zonë me shqetësim të vazhdueshëm është fshati i atletëve në Parisin verior, i cili është ndërtuar pa ajër të kondicionuar si pjesë e përpjekjeve për të vendosur standarde të reja mjedisore për Lojërat e Parisit. Në vend të kësaj, blloqet e kullave buzë lumit kanë sisteme natyrore të ftohjes gjeotermale, si dhe mbulesa kundër diellit, zona të gjelbëruara dhe ajrim përmes erës. Ato garantojnë një temperaturë të brendshme të paktën 6 gradë më të ulët se jashtë, diçka që shihet si e pamjaftueshme nga disa vende pjesëmarrëse.
“Ajri i kondicionuar në fshatin e atletëve ka qenë një problem”,- deklaroi në kushte anonimiteti për “AFP” një diplomat evropian i përfshirë në koordinimin e Olimpiadës. Si një kompromis, organizatorët francezë tani po shikojnë mundësinë t'u ofrojnë delegacioneve vizitore kondicionerë portativë me shpenzimet e tyre.
Tokioja i zjarrtë
Lojërat Olimpike Verore në Tokio mendohet se kanë qenë më të nxehtat e regjistruara, me temperatura rregullisht mbi 30 gradë celsius, shoqëruar me një lagështi prej 80 për qind.
Organizatorët e Tokio 2020 i zhvendosën disa gara në natyrë në vende 800 kilometra në veri të kryeqytetit me shpresën për të gjetur mot më të freskët, i cili, për fat të keq, nuk u materializua vërtet.
Pavarësisht nga një sërë masash për menaxhimin e nxehtësisë, shumë atletë luftuan me vapën e madhe, duke përfshirë dhe tenistin rus Daniil Medvedev, i cili e shprehu me zë të lartë vuajtjen nga i nxehti mbytës.
Shumë atletë po përshtaten me ndryshimet klimaterike duke bërë më shumë stërvitje në mot të nxehtë, qoftë në kampe jashtë shtetit ose në ambiente të krijuara posaçërisht që mund të rrisin artificialisht nxehtësinë dhe lagështinë.
Duke folur pas Olimapiadës së Tokios, presidenti i Atletikës Botërore Sebastian Coe paralajmëroi se normalja e re tashmë parashikon gara në kushte vërtet të vështira klimaterike.