Suksesi i bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe dhe sfidat
2024-02-08 10:21:31

Bimë mjekësore (Agroweb)

Bimë mjekësore (Agroweb)

Malësia e Madhe zë vendin e parë për sasinë e kultivimit dhe grumbullimit të bimëve mjekësore.  Këto bimë përcaktojnë  mirëqenien jo vetëm të banorëve të zonës për shkak të të ardhurave që sjellin, por edhe më tej. Kultivimi dhe rritja e bimëve  mjekësore kërkon përkushtim për të pasur sukses më vonë dhe garanci në jetëgjatësinë e saj. Në një intervistë për mediat nënkryetari i kësaj bashkie, Sytki Ndrecaj tha se gjatë vitit  të kaluar në Malësinë e Madhe është mbjellë afro 6000 ha më shumë sipërfaqe me bimë mjekësore, kryesisht sherebelë.

Ndrecaj sjell një panoramë të plotë të fillimeve të këtij aktiviteti në këtë zonë.

Sytki Ndrecaj nënkryetar I Bashkisë Malësi e Madhe (Foto Bashkia Malësi e Madhe)

Sytki Ndrecaj nënkryetar I Bashkisë Malësi e Madhe (Foto Bashkia Malësi e Madhe)

“Ndoshta nga një vështrim historik i shkurtër, kultivimi i bimëve aromatiko- mjekësore në territorin e Malësisë së Madhe nuk është i sotëm, por është një kohë që mund të variojë deri në 70 vite më pare. Në këtë territor të bashkisë së Malësisë së Madhe ka qenë e ngritur një ekonomi bujqësore, një ndërmarrje shtetërore që është marrë me kultivimin e këtyre bimëve nga ku janë shitur heterovajore dhe medicinale, por tani në kuadrin edhe të zgjerimit të aktivitetit të këtyre prodhimeve quhen aromatiko- mjekësore. Në Malësinë e Madhe aktualisht mbillen për vitin flasim për vitin 2023, pra janë mbjelle 5500 hektarë me bimë aromatiko- mjekësore ku vendin e parë e zë sherebela që është me mbi 4000 hektarë që mbillet në territorin e bashkisë së Malësisë së Madhe”, tha Ndrecaj

Bime mjekësore (Foto Bashkia Malësia e Madhe)

Bime mjekësore (Foto Bashkia Malësia e Madhe)

Puna e pandalur e fermerëve të kësaj zone e ka kthyer Malësinë e Madhe në një destinacion kryesor për eksportin e bimëve mjekësore në shtete të shumta

“Rreth 70 vite që është kultivuar bima heterovajore apo siç quhen tani me shtimin e gamës së prodhimeve, bimë- aromatiko mjekësore, pra rreth 70 vite ka që  në ekonominë bujqësore të Malësisë së Madhe prodhohen bimë mjekësore. Është një specialitet tashmë edhe në fushën e bujqësisë, por edhe vetë fermerët janë profilizuar në prodhimin e produkteve aromatiko- mjekësore”, vuri në dukje ai

Vendin e parë vazhdon ta zërë sherebela, aq shumë e kërkuar nga tregu ndërkombëtar, por nuk mbeten pas edhe bimë të tjera me shumë vlerë.  Kërkesat vijnë nga kompani të huaja, që prodhojnë sapunë natyralë, parfume, kremra, vajra esencialë

Fermerët në fushat me bimë mjekësore (Foto Konica.al)

Fermerët në fushat me bimë mjekësore (Foto Konica.al)

“Bimët e tjera janë  eliksirium, levando, trumzë etj. Gjithë fermerët e Malësisë së Madhe pothuajse 70% e tyre janë përqëndruar tek këto bimë aromatiko- mjekësore. Janë 4600 familje që janë destinuar kryesisht në  mbjelljen e prodhimit apo tregtimit të bimëve aromatiko- mjekësore.”

Deri tani në Malësi të Madhe janë mbështetur një numër i konsiderueshëm fermerësh dhe të tjerë premtohet të mbështeten nga qeveria në vijim me politikat nxitëse. Gjithësesi  në intervistën për Tv Scan, Sytki Ndrecaj  tha se ka ende shumë sfida në këtë sektor të bimëve aromatike dhe mjekësore.

“Të them të drejtën ka një sërë problematikash në lidhje edhe me prodhimin edhe tregtimin apo edhe më tepër me eksportimin e këtyre bimëve aromatiko -mjekësore në territorin e bashkisë së Malësisë së Madhe, siç është në të gjithë vendet ku kultivohen këto bimë. Një nga shkaqet kryesore  është këmbimi valutor që ka patur luhatjet e veta dhe ka ndikuar edhe në tregun e bimëve aromatiko- mjekësore, pasi eksportet bëhen në valutë dhe automatikisht ndikojnë në prodhimin, tregtimin dhe eksportimin e këtyre bimëve. Normalisht që ndikon drejtpërdrejtë tek fermeri, edhe kemi patur vërtetë problematika të kësaj fushë, por nuk është vetëm kjo problematikë e këmbimit valutor, por është një ndër to. Edhe prodhimi i madh i këtyre bimëve aromatiko -mjekësore të cilat kanë ndikuar dashje pa dashje edhe në një lloj staniacioni të këtij tregu apo eksporteve apo edhe tek të ardhurat familjare tek fermerët e malësisë së madhe.”

Tregu vazhdon të ketë sfidë standardet e grumbullimit dhe paketimit të bimëve, për të cilat komuniteti i biznesit të këtij sektori po bën përpjekje, i mbështetur edhe nga grantet që jep qeveria, për të përmirësuar teknologjinë e grumbullimit dhe përpunimit të tyre, duke zgjeruar tregjet eksportuese.

Shafrani (Foto Business Magazine Albania)

Shafrani (Foto Business Magazine Albania)

“Plus kësaj duhet të përmendim që duke u marrë me sasinë e prodhimit kemi harruar edhe cilësinë e prodhimit të këtyre bimëve aromatiko- mjekësore, të cilat kanë patur një cilësi të madhe. Por duke filluar shtimin e sasisë së prodhimit të këtyre bimëve, ndoshta kemi harruar cilësinë që është ndër kushtet kryesore për tregtimin ashtu edhe për eksportin.”-tha Ndrecaj.

Qeveria synon që të mbështesë fermerët e bimëve mjekësore dhe aromatike  në praktikat më të mira, duke garantuar cilësinë, por edhe duke i mbështetur në modernizim e fermave, gjetjen e tregjeve dhe lehtësmin e marrëdhënieve mes biznesit dhe fermerëve. Bimët aromatike dhe mjekësore në Shqipëri dallohen jo vetëm nga një variacion relativisht i gjerë i formave dhe llojeve, por edhe për përmbajtjen e lartë të lëndëve aromatizuese dhe farmakologjike.

 Qarku i Shkodrës renditet i pari për pjesën që zenë BMA-të në të ardhurat e fermave familjare, i ndjekur nga Kukësi dhe Kolonja. Sektori i BMA-ve, ka një potencial të madh zhvillimi, gjeneron punësim të qendrueshëm dhe është burim ekonomik për shumë familje në zonat rurale të vendit.