Foto nga Xinhua
Gjatë një klase arti në shkollën “HuZ” në distriktin Tiexi, që ndodhet në qytetin Shenyang të Kinës verilindore, nxënësit e klasës së tetë ishin të zënë me realizimin e një pikture gjigante dekorative 3D që përshkruan Vitin e Dragoit, të udhëhequr nga mësuesi i tyre i artit Yang Huanhuan.
“Ndërsa Viti i Ri Hënor i Dragoit po afron, është një përpjekje interesante dhe kuptimplotë të punosh me nxënësit për të krijuar një pikturë dekorative. Kjo do t'u sigurojë atyre një kuptim më të thellë të kulturës tradicionale kineze dhe do t'i zhytë ata në atmosferën festive të Festivalit kinez të Pranverës”, tha Yang.
“HuZ School” është një institucion gjerman jashtë shtetit i autorizuar nga Ministria gjermane e Arsimit, duke shërbyer si një shkollë ndërkombëtare e qëndrueshme. Ajo u ofron nxënësve përvoja shumëdisiplinore dhe gjithëpërfshirëse të të mësuarit në klasë. Aktualisht, këtu studiojnë më shumë se 200 nxënës nga Gjermania, Franca, Kina dhe vende të tjera.
“Ndërthurja e kulturave dhe zhvillimi i kurseve të ndryshme është filozofia edukative e shkollës sonë, e cila u mundëson nxënësve nga vende të ndryshme të kalojnë në çdo departament që duan të studiojnë në kushte të caktuara mësimi”,- tha Li Yuehan, mësues në “HuZ School”.
“Nxënësit gjermanë nuk kufizohen vetëm në studimet në departamentin gjerman, por gjithashtu mund të zgjedhin të studiojnë në departamentin ndërkombëtar. Shkolla ka departamente gjermane, ndërkombëtare dhe frënge. Nxënësit e shkollave të mesme mund të vendosin se në cilin departament do të studiojnë dhe ku do të japin provimin e pranimit në kolegj”,- theksoi Li.
Hans Friedrich Lausmann, një nxënës i klasës së njëmbëdhjetë nga Brandenburgu i Gjermanisë, u transferua në Shenyang dy vjet më parë pasi prindërit e tij nisën punën në Kinë. Duke folur për përvojën e tij, nxënësi tha: “Ka vetëm 200 njerëz që jetojnë në qytetin tim, por Shenyang ka miliona njerëz. Ajo që më tërhoqi më shumë është se qyteti është kaq i gjallë dhe njerëzit janë tepër të ngrohtë dhe miqësorë”,- tha ai.
Foto nga Xinhua
Nxënësit beson se studimi në Shenyang nuk është shumë i ndryshëm nga ai në Gjermani. Dallimi qëndron në mundësinë për të gërmuar më thellë në zakonet kineze dhe kulturën rajonale, vuri në dukje ai, duke shtuar se pas përfundimit të shkollës së mesme, ai planifikon të marrë direkt provimin pranues të kolegjit gjerman dhe më pas të kthehet në Gjermani për studimet universitare.
Sipas mësuesit gjerman Stefan Sander, i cili jep lëndën e kimisë dhe matematikës në shkollë, shumë punonjës gjermanë që kanë punuar në Shenyang për një ose dy vjet, tani mund t'i sjellin fëmijët e tyre me besim këtu për arsim.
“Hapja e shkollës “HuZ” jo vetëm që ka trajtuar shqetësimet e punonjësve të huaj në lidhje me arsimimin e fëmijëve të tyre, por gjithashtu ka tërhequr më shumë mësues dhe nxënës të huaj që të vijnë në Shenyang”,- tha Stefan Sander.
Me kompanitë gjermane si “BMW” dhe “ZF Friedrichshafen AG” që kanë përshpejtuar planin e tyre të investimeve në Shenyang vitet e fundit, ka posur një rritje të të huajve që kanë shkuar në këtë qytet, i cili ka ndërtuar gjithashtu një sërë objektesh mbështetëse, duke përfshirë objekte arsimore dhe mjekësore.
“Ne shpresojmë të forcojmë marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Kinës përmes hartimit të kurrikulës dhe aktiviteteve të rregullta kulturore të mbajtura në shkollë”,- tha Lawrence Hübschmann, drejtori ekzekutiv i “HuZ Group”.
Liu Xixi, një nxënëse kineze e klasës së katërt, e cila ka jetuar në Shenyang që nga fëmijëria, tha se ka bërë shumë miq të huaj në shkollë dhe ka mësuar shumë për kulturën gjermane.
“Ne shpesh kemi shokë klase nga vende të ndryshme që studiojnë së bashku në klasat tona. Më pëlqen të bashkohem me fëmijët gjermanë. Ndonjëherë u mësoj edhe kinezisht”,- tha ajo.
Klima e ngjashme dhe preferencat ushqimore kanë lejuar gjermanët që jetojnë në Shenyang të integrohen shpejt me stilin e jetës lokale.
“Lakra turshi dhe salsiçet kineze në Kinën verilindore janë mjaft të ngjashme me ato gjermane. Por, të preferuarat e mia janë nudëllsat me mish viçi”,- tha Hans Friedrich Lausmann.
Vitin e kaluar, ai e kaloi Vitin e Ri Kinez në Kinë dhe i bëri shumë përshtypje atmosfera e fortë tradicionale festive. “Pashë fishekzjarrë verbues gjatë Festivalit të Pranverës të vitit të kaluar dhe madje shkova në ski me miqtë”, tha Lausmann, duke shtuar se mezi po e pret festivalin e këtij viti.
“Brenda pak ditësh, pikturat 3D dekorative të bëra nga nxënësit do të ekspozohen në godinën e shkollës, duke lejuar të gjithë të ndjejnë entuziazmin festiv të Vitit të Dragoit”, tha Yang Huanhuan.