OECD-ja: Ekonomia kineze pritet të ketë rimëkëmbje të butë me rritjen modeste globale
2024-02-07 15:32:55

foto nga

foto nga CGTN

Ekonomia e Kinës pritet të ketë një rimëkëmbje të butë këtë vit, teksa vendet e mbarë globit vazhdojnë të gjejnë rrugët e rigjallërimit, sipas parashikimit të fundit të përkohshëm të publikuar të hënën nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD).

Pavarësisht nga ritmi i pabarabartë i rritjes së vendeve e rajoneve të ndryshme dhe nga normat e larta të vazhdueshme të inflacionit, në raportin e OECD-së thuhet se rritja globale është "ruajtur".

OECD-ja parashikon një rritje të PBB-së globale 2.9 për qind në vitin 2024, 0.2 pikë përqindjeje më të lartë se parashikimi i saj në nëntor. Rritja globale pritet të përmirësohet lehtë në vitin 2025, duke arritur në 3 për qind.

Azia pritet të vazhdojë të kontribuojë për shumicën e rritjes globale më 2024 dhe 2025, ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar, sipas OECD-së. Lidhur me normën e rritjes të parashikuar nga OECD-ja, Kina pritet të jetë ndër tre vendet kryesore në botë në vitet 2024 dhe 2025.

Ndërkohë, ekonomia e dytë më e madhe në botë pritet të rritet me 4.7 për qind këtë vit, ndërsa do të ngadalësohet pak me një normë rritjeje prej 4.2 për qind vitin e ardhshëm.

Në këtë raport të OECD-së, Shtetet e Bashkuara parashikohet të kenë një rritje prej 2.1 për qind sivjet dhe 1.7 për qind vitin e ardhshëm, falë konsumatorëve që do të vazhdojnë të shpenzojnë kursimet gjatë pandemisë së COVID-19, si edhe kushteve më të lehta financiare.

Zona e euros pritet të ketë veprimtari të ulët në një periudhë afatshkurtër, me rritje  0.6 për qind në vitin 2024 dhe 1.3 për qind më 2025, në kushtet e shtrëngimit të kreditimit, por me një parashikim për përmirësim me forcimin e të ardhurave reale.

Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së Mathias Korman theksoi qëndresën e ekonomisë globale në mes të sfidave të inflacionit të lartë dhe shtrëngimit të politikave monetare gjatë dy vjetëve të fundit. Ai vuri në dukje po ashtu rëndësinë e politikave monetare të matura, duke sugjeruar që bankat qendrore mund të fillojnë uljen e normave të interesit këtë vit në qoftë se inflacioni vazhdon të bjerë. (Wang Lei/ Artan)