Viti i Ri Kinez po afron dhe çdo familje ka filluar të përgatisë ushqimet për festën. Shumica e njerëzve përdorin lloje të ndryshme mishi dhe përbërësish të tjerë për të përgatitur gatimet, por banorët e fshatit Hongshan mund të përgatisin një tryezë të tërë vetëm me tofunë si përbërës kryesor.
Në këtë fshat, një banor i quajtur Zhang konsiderohet si një nga prodhuesit më të mirë të tofusë. Ai e ndan gjithmonë tofunë që bën me fqinjët e vet.
Zhang tha se në Hongshan është traditë bërja e tofusë. "Bluarja e kokrrave për të bërë tofu nuk është punë për një njeri. Kryerja e saj kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve, ku njëri ndihmon tjetrin," tregon ai.
Gazetari i CGTN përpiqet të bluajë sojë nën drejtimin e Zhang Guoren, banor i Langzhong, për të bërë tofu/CGTN Foto
Tofuja është një ushqim shumë i pasur dhe i shëndetshëm. Ajo konsiderohet si një gjellë me mish në pjesën veriore të provincës Sichuan, për shkak të përqindjes së lartë të proteinave. Tofuja e ka origjinën në Kinë dhe tani është një pjesë e rëndësishme e shumë kuzhinave aziatike. Tofuja e bërë nga banorët në fshatrat kineze ia vlen të provohet për shijen e vet të dallueshme dhe llojet e ndryshme.
Për banorët e fshatit Hongshan, tofuja është një pjesë thelbësore e festës së Vitit të Ri. Shqiptimi i saj është i ngjashëm me fjalën kineze "fu", që do të thotë lumturi. Kjo i jep një domethënie të veçantë këtij ushqimi.
Prodhimi i tofusë është bërë një sektor i vogël në vendlindjen e Zhang-ut. Ata përdorin degë pishe për të bërë tofu me fasule të kuqe dhe për të gatuar gjellë të ndryshme gjatë Festës së Pranverës. Sipas Zhang-ut, familjet në fshatin Hongshan mund ta fitojnë një pjesë të të ardhurave të tyre nëpërmjet bërjes së tofusë.
Fshatarët e Hongshanit mund të bëjnë një festë vetëm duke përdorur tofu si përbërësin kryesor/CGTN Foto
Banorët e Hongshan-it kanë bërë dhe ngrënë tofu për breza të tërë. Kjo është mënyra e tyre për të kremtuar Festën e Pranverës dhe për të mirëpritur mysafirët. Tofuja e shijshme përfaqëson "shijen e shtëpisë" për banorët vendas. (Xu Guang)