Adelina Theodhori është një grua plot pasion, e lindur dhe e rritur në Berat - qyteti i trashëgimisë kulturore të UNESCOs - i njohur për historinë e lashtë dhe zejet tradicionale. E rritur në një familje artizanësh beratas, në moshën 10 vjeçare ajo mësoi nga gjyshja artin e qëndisjes dhe filloi të kombinonte gjilpërat me fijet shumëngjyrëshe në realizimin e motiveve mbi pëlhurë. Në vetëm disa vjet, qendismat e Adelinës morën famë në Berat dhe ajo nisi të marrë porositë e para.
E nxitur nga mendimi se puna e dorës duhet të promovohet, të njihet e të ruhet, Adelina trokiti në çdo portë të Mangalemit për të njohur historinë e zanatçinjve të Beratit. Ajo prej 12 vitesh ka krijuar organizatën “Margarita”, me të cilën ka marrë pjesë në panaire të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar vlerat artistike dhe kulturore të qytetit të saj. Në një intevistë për Radio Ejani Adelina tregon për pasionin për qëndistarinë dhe artizanatin si dhe punë që bën me të rinjtë në përcjelljen ndër breza të artizanatit.
Adelina Theodhori duke pregatitur tavolinen per pashket (Foto personale)
CMG: Si lindi pasioni për qëndistarinë dhe artizanatin?
Adelina Theodhori: Fjala artizanat përfshin shumë zeje. Dikur Berati ka qenë me 150 zeje, ndërsa sot ekzistojnë gati 60 prej tyre. Pasioni për artizanatin lindi si një domosdoshmëri e kohës, sepse ishte një periudhë që ndërmarrjet e artizanatit u mbyllën dhe ne dolëm të papunë. Prandaj kjo gjë lindi si një domosdoshmëri e kohës për një zhvillim të qëllimit të caktuar për qytetin tonë, duke parë dhe zhvillimin e turizmit.
CMG: E ke trashëguar këtë pasion nga familjarët?
Adelina Theodhori: Baza kryesore e imja është qëndistaria, por mora përsipër të bëj një menaxhim të disa fushave të zejtarisë. Qëndistaria lindi si mësim nga nëna ime dhe pastaj nga gjyshja. Ndërkohë që më vonë u martova dhe kisha vjerrën qëndistare. Ky pasion nuk u venit asnjëherë, por gati për 50 vjet, që nga mosha 10 vjeç deri sot u shtrua sistematikisht.
CMG: Pra ke gati 50 vite që merresh më qëndistarinë dhe artizanatin?
Adelina Theodhori gjate nje konkursi kombetar (Foto personale)
Adelina Theodhori: Si qëndistare kam 50 vjet, ndërsa në fushën e menaxhimit kam gati 12 vjet që punoj menaxhere në fushën e artizanatit.
CMG: Si qëndistare, cilat janë punimet më të veçanta që ke bërë?
Adelina Theodhori: Kryesisht jam e fokusuar tek qëndisja me dorë. Qëndisja me dorë dhe çdolloj pune tjetër me dorë futet në fushën e artizanatit. Qëndisja ime është fokusuar kryesisht në qëndistarinë e objekteve kulturore, duke i dhënë dritë një arti, kulture, një dere të vjetër, një shtëpie karakteristike dhe një ulliri, që përfaqëson kodrat me ullinj në Berat. Kryesisht në këto ka lëvruar pjesa ime e qëndistarisë, por në kohën kur po shteronte gjithçka mendova që të dilja në qytet për t’i njohur nga afër artizanët për të krijuar një lëvizje, që unë atëhere e quajta “Tradita në qytetin tim”.
Fillimisht gjeta shoqet e mia që punonin, por nuk ishte gjithçka vetëm puna me grep dhe me shtiza. Ajo që mua më interesonte ishte që të gjeja zanatçinjtë e punimit të gurit dhe drurit, sepse këto janë elemente që mbajnë qytetin tonë turistik. E veçanta e kësaj kohe ishte sepse mua më kuptuan shumë mirë zejtarët e vjetër të moshës 60-80 vjeç, sepse kishin punuar dhe e kuptonin shumë mirë zhdukjen e këtyre zanateve. Më vonë kjo lëvizje mori trajtën e një organizate, sepse nuk mund të endeshe rrugëve të qytetit dhe bëmë një grupim të vogël që e quajtëm qendra e artizanatit “Margarita”.
Adelina Theodhori gjate nje ore qwndistarie me vajzat (Foto personale)
CMG: Si e ke lidhur profesionin si ekonomiste me fushën e artizanatit?
Adelina Theodhori: Mendoj se çdo grua është një menaxhere e mirë në familje ose një nikoqire dhe vetvetiu është një ekonomiste dhe pa qenë e shkolluar në këtë profil. E veçanta tjetër qëndron sepse unë e kam lidhur edhe me zanatin e zooteknisë apo veterinarisë. Nëse ne flasim për qilimat, atëhere ne kemi të bëjmë me bagëtitë, ku duke u endur me punën time të përditshme shoh që gjithë ky prodhim leshi pse duhet të shkojë dëm. Duhet të ketë një rregullator midis artizanatit prodhues dhe grumbullimit të materialit bazë. Duke i parë të dyja këto, zhvillimin dhe ecurinë, për të siguruar të ardhura për familjen është kjo llogaria e përditshme që dalim dhe ekonomistë.
CMG: Flasim për eksperiencën 12 vjeçare me organizatën tuaj në promovimin e vlerave artistike dhe kulturore të qytetit të Beratit. Çfarë aktivitetesh keni organizuar?
Adelina Theodhori: Si fillim ka qenë një panair në Gjirokastër në vitin 2011, ku shikoja që Berati nuk përfaqësohej dhe pse kishte një larmi artizanësh dhe zeje. Berati ka shumë vlera, kostumin popullor, doket dhe zakonet. Kështu filluam ta promovojmë qytetin tonë në sajë të organizimeve të qendrës “Margarita” në shumë qytete të Shqipërisë.
Kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Kulturës, me Drejtorinë e Monumenteve të Kulturave në Berat, me Bashkinë e Beratit dhe me artizanë të thjeshtë, por dhe me biznese të ndryshme që punojë në drejtimin turistik. Kështu që pamë se kjo lëvizje ja vlejti dhe filluam të shtojmë radhët tona. Morëm pjesë në panaire të ndryshme në të gjithë Shqipërinë dhe më vonë filluam ta promovojmë Beratin edhe në panairet ndërkombëtare. Në Venecia para tre vitesh për herë të parë mori pjesë Shqipëria, ku Berati prezantoi punimet e veta. Kjo ishte arritje sepse një organizatë civile vazhdoi t’i japë dritë dhe emër qytetit.
CMG: Sa e përmbushur je në një qytet të lashtë si Berati?
Adelina Theodhori gjate nje panairi (Foto personale)
Adelina Theodhori: Puna jonë ka qenë e kënaqshme për arritjet që kemi pasur, por njëkohësisht me shumë detyra. Qëllimi kryesor nuk ka qenë shitja e produkteve turistike, por organizimi i artizanatit të vjetër dhe mundësimi i të rinjve për t’u shkolluar në zanatet profesionale në fushën e turizmit.
CMG: Të rinjtë në qytetin tuaj po e trashëgojnë këtë traditë?
Adelina Theodhori: Ne kemi të rinj që i pëlqejnë shumë zanatet e dorës, dhe në organizatën tonë kemi ofruar të rinjtë e shkollave gjatë promovimit të punëve në panair. Kemi patur të rinj të punimit të drurit, të fillimeve të para të gurgdhëndjes, ku shumica e tyre janë shoqërues të ustallarëve në banesat karakteristike që restaurohen. Ka interes nga të rinjtë, por duhet të jetë rregullator shteti që të mund të investojë për t’i hapur këto klasa.
Këta mjeshtra që japin mësim, që shumë herë kanë dhënë mësim dhe falas në periudha të caktuara, por duke bërë llogari që të gjithë në fund të ditës janë familjarë dhe duan të çojnë të ardhura në shtëpi. Atëhere ne na duhet që të investohet për të mësuar brezat e rinj. Djem dhe vajza punëtore ka dhe çuditërisht unë kam spikatur vajza të reja që punojnë shumë mirë baltën dhe gurin gjatë këtyre periudhave në punime me nxënësit.
CMG: Ke menduar ndonjëherë ta braktisësh Beratin për të jetuar në Tiranë?
Adelina Theodhori: Nuk e kam menduar kurrë ta braktis Beratin sepse qyteti im më pëlqen nga mëngjesi deri në mbrëmje. Puna që bëj është jashtë territorit të Beratit dhe çdo ditë që kthehem në Berat e dua njësoj çdo ditë. Mundohem që vizitorëve që vijnë në qytet t’u shpjegoj qytetin, që ta duan po aq sa unë. Është e sigurtë që ka patur dhe rikthime të vizitorëve. Kjo tregon se është gjë e mirë dhe unë Beratin nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër.
CMG: Si i kanë rezistuar kohës zejet beratase?
Adelina Theodhori gjate nje panairi nderkombwtar (Foto personale)
Adelina Theodhori: Zejet beratase i kanë rezistuar kohës me dashuri nga njerëzit, me një dashuri fanatike për qytetin, me një domosdoshmëri për të ushqyer dhe mbajtur familjet për të siguruar të ardhura. Prandaj dhe këto zanate kanë rezistuar, dhe shumë pak të ndihmuara dhe investuara. Kohët e fundit ka filluar të tregohet një vëmendje në fushën e turizmit dhe shumë pak tek artizanati.
Mendoj se në një hap të dytë shteti do të jetë vigjilent për të investuar për këto klasa të artizanatit, për të siguruar zinxhirin e prodhuesve zejtarë, sepse një mjeshtër i punimit të baltës në moshën 80 vjeç ofrohet të japë mësim falas. Nëse ai largohet nga jeta, ky zinxhir me punimin e baltës shkëputet në qytetin e Beratit. Pra duhet të investohet te brezi i ri, aq më tepër suveniret që koha i kërkon dhe Berati ka pasur një rrjet të gjerë të vizitorëve të huaj. Berati vitet e fundit ka ndryshuar, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe duhet të punohet akoma.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Adelina Theodhori: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, kryesisht artizanët dhe partnerët që më kanë mbështetur shumë.
Intervistoi: Gazmend Agaj