Bilali: Vemendja e qeverisë në sektorët prioritarë, në fokus të rinjtë
2024-02-07 10:57:02

Plan biznesi (Foto Revista Monitor)

Plan biznesi (Foto Revista Monitor)

Vazhdimi i mëtejshëm i reformave, konsolidimit fiskal dhe ndërmarrja e politikave nxitëse për biznesin vendas dhe të huaj janë disa nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Po ashtu në fokus të poltikbërësve janë sektorët prioritare që bazohen në  mbështetjen e të rinjëve për të zhvilluar bizneset e tyre. Në një intervistë për revistën “Monitor”, ish ministrja e sipërarrjes, aktualisht deputete në Kuvendin e Shqipërisë Edona Bilali ka folur për pritshmëritë e këtij viti.

“Qeveria ka zhvilluar një sërë politikash që i vijnë në ndihmë sipërmarrjes veçanërisht në ata sektorë që mendojmë që janë prioritarë ku një pjesë e madhe e rinisë mund të angazhohet, që janë dhe profesione të ditëve të sotme.  Konkretisht bëhet fjalë për teknologjinë e informacionit, një sektor shumë i gjerë jo vetëm për vendin tone, por për gjithë botën. Duke e nisur nga taksimi i lehtësuar për këtë sektor, duke vijuar më vonë me ligjin e miratuar për lehtësinë e nomadëve digjitalë dhe mund të jap një statistikë të konfirmuar me Ministrinë e Brendshme, ku 96 sipërmarrës të huaj kanë hyrë në këtë kategori vize në vitin 2023 për të ushtruar aktivitetin e tyre profesional në Shqipëri. Presim që 2024 të ketë akoma më shumë të tillë”

Deputetja Edona Bilali (Foto Ministria e Shtetit per Sipermarrjen)

Deputetja Edona Bilali (Foto Ministria e Shtetit per Sipermarrjen)

Politika të veçanta mbështetëse ka për fushën e  teknologjisë.

“Po vijohet ndërkohë për teknoparqet dhe aty ka shumë lehtësi për sipërmarrjet e reja të lidhura me sektorin e kërkim- zhvillimit në teknologjinë e informacionit apo teknologjitë e tjera të lidhura me ritmin e zhvillimit ekonomik shqiptar, por jo vetëm. Sa i përket të rinjve, aktualisht qeveria ka sjellë disa risi në bashkëpunim edhe me donatorë ndërkombëtarë. Kemi Tumo falas që ndihmon një target grup të rinisë së hershme, kurse shumë të mira dhe të njohura botërisht për sa i përket nivelit profesional të tyre dhe që aftësojnë këtë target grup. “-tha deputetja Bilali.

Sa i takon sfidave me të cilat sot përballen shumë sipërmarrje, si taksimi apo mungesa e fuqisë punëtore, Bilali tha se qeveria ka gati disa masa:

“Qeveria ka propozuar 4 masa. Ministrja aktuale e sipërmarrjes, klimës dhe biznesit është ulur vazhdimisht me përfaqësues të biznesit dhe praktikisht ajo çfarë po bëhet fillimisht nisi me një kanal të dedikuar për rimbursimin e TVSH-së, duhet të theksoj që ndër vite kjo ka qenë një ndër makthet kryesore të sektorit pasi rimbursimi i TVSH-së  zgjaste me muaj. U prit shumë që kjo periudhë u shkurtua në 30 ditë, ndërsa tashmë qeveria po synon diçka më ambicioze për këtë sektor për ta përshpejtuar akoma më shumë këtë afat, duke ruajtur dhe gjitha hapat e nevojshëm proceduralë dhe ligjorë. E dyta është një overdraft për kontratat që janë tashmë të lidhura mes kompanive vendase dhe klientëve të tyre, për të ndihmuar me likujditet subjektet shqiptare. E treta është një garanci sovrane për investimet në teknologji dhe inovacion. “

Ndërmarrje në Shqipëri (Foto Scan Tv)

Ndërmarrje në Shqipëri (Foto Scan Tv)

Sipërmarrjet e kanë të domosdoshme përshtatjen me teknologjitë e fundit të avancuara.

“Jam shumë e gëzuar që e shikoj veçanërisht këtë pikë, pasi ka qenë një premtim i qeverisë Rama në mandatin e tretë, ndërkohë që prej muajsh është diskutuar se cila do të ishte forma më e mirë në vetë ekosistemin e biznesit. Tashmë duke qene se teknologjia dhe inovacioni janë kryefjalë jo vetëm e këtij sektori apo e ekonomisë shqiptare, por edhe te gjithë botës, është i nevojshëm të bëhet një hap edhe më i madh për sa i përket përditësimit dhe rifreskimit të teknologjisë që këta sipërmarrje kanë, por edhe të menduarit në mënyrë inovative, për të larguar në post të ulët të fuqisë punëtore në një avantazh tjetër konkurrues siç është vlera e shtuar e produktit në vend dhe e fundit lidhet me kapacitetet teknike për trajnimet e stafit në kompani. Këtu bëhet fjalë për një trajnim jo për soft skills,  por në varësi të pozicioneve të punës brenda kësaj industrie apo sektori të kualifikohen më shumë”

Për Revistën Monitor, deputetja Bilali ndan sektorët prioritarë në  Shqipëri për investitorët e huaj dhe vendas.

“Këtë pyetje do ta ndaja në dy, theksoj fillimisht se kush janë prioritar dhe tepër me interes nga investitorët e huaj por edhe vendas, por edhe ku Shqipëria ka potencia. E para është energjia dhe e dyta turizmi. Tek e dyta nevojitet të theksoj një turizëm i cili theu një rekord të jashtëzakonshëm në vitin 2023, por më shumë punë duhet bërë për të lëvizur në segmentin e klientëve që presim. Praktikisht duhet të synojmë që nëpërmjet vendosjes së impianteve të burifikimit nëpërmjet rritjes së shërbimit në strukturat akomoduese dhe modernizimit të këtyre strukturave, ne të tërheqim një tjetër lloj turizmi që është me të ardhura të mesme dhe të larta. Ndërkohë që sa i përket industrive të cilat qeveria duhet të tregojë një vëmendje këtë vit janë industri që po hasen me vështirësi dhe që kanë specifika të caktuara dhe ato sigurisht që kanë nevojë të shtuar. I pari është regjimi i përpunimit aktiv, i cili pas 30 viteve duhet të hyjë tashmë në fazën e transformimit të tij, duke prodhuar produkte të bëra në Shqipëri, apo duke gjetur tregje të tjera të ndryshme nga ato ekzistuese.”

Të rinjtë në biznes (Foto Abc News)

Të rinjtë në biznes (Foto Abc News)

Bujqësia dhe turizmi po ashtu do të jenë në fokus të mbështetjes nga qeveria.

“Eksportuesit kryesisht në fushën e bujqësisë, kanë  përparuar shumë sa i përket nivelit të faturimit por edhe cilësisë së produktit për ato bujqësore dhe blegtorale të eskportuara në BE. Këtu për shkak të këtij trendi pozitiv dhe sensitivitetit dhe shumë parametrave që ndryshuan për shkak të pandemisë është një industri e brishtë dhe qeveria duhet të vazhdojë të ketë një sy, por edhe për shkak që është e lidhur me agroturizmin dhe turizmin. Janë bërë punë shumë të mira, më shumë se 100 subjekte janë mbështetur për të transformuar totalisht në struktura akomoduese që janë krejtësisht konkurruese jo vetëm me vendet e rajonit por edhe me vendet e alpeve perëndimorë. Prandaj duke qenë industri komplementare, bujqësia dhe siguraë ushqimore duhet të ketë një vëmendje të shtuar” theksoi deputetja Bilali