Iva Lulashi do të prezantojë Shqipërinë në Bienalen e 60 të Venecias
Në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Shqipëria do të përfaqësohet nga artistja Iva Lulashi. Me projektidenë “Love as a Glass of Water”, Lulashi do të marrë pjesë në një prej ngjarjeve më të mëdha artistike në arenën ndërkombëtare, mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Makrotema e këtij edicioni është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa. Me një karrierë mes Shqipërisë dhe Italisë, Iva Lulashi është një artiste, që eksploron në terrene të guximshme. E tillë do të jetë edhe prekja e saj në pavijonin shqiptar, që do të kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli.
Tema që ajo trajton merr shkas nga teoria e “gotës së ujit”, që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai (1872 –1952). Bëhet fjalë për një teori që lidhet me idenë sipas së cilës impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore, që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Me një influencë shumë të madhe në qarqet artistike dhe letrare ruse, këto ide nisën të pengohen dhe përndiqen nga aparati politik revolucionar.
Foto nga Bienalia e Venezias - foto faqja zyrtare ne Facebook
“Ndonëse metafora e gotës me ujë lidhet me lehtësinë e të pirit, nuk duhet harruar se uji është ai element jetësor, krejt si dashura. Dhe, është absurde që tema si dashuria të zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sot dhe ato asnjëherë nuk janë në qendër të aktiviteteve të mëdha apo të vogla, sikur të flitej për tabu për të cilat nuk flitet, apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”, shprehet kuratori Antonio Grulli.
Pyetja që ngre artistja përmes veprës së saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?
Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj.
“Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës “që lëviz diellin dhe yjet”, shton Grulli.
Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e Bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë. “Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”.
Artisja Iva Lulashi - foto personale ne facebook
Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia.
Iva Lulashi ka lindur në Tiranë në vitin 1988 dhe është një artiste që jeton dhe punon në Milano. Në vitin 2016 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Venezia. Ka organizuar shumë ekspozita personale si dhe ka qenë pjesë e ekspozitave kolektive.
Neritana Kraja