Ulja e ekonomisë “cash” në Shqipëri
2024-02-06 10:38:34

Ulja e përdorimit të parasë Cash (Foto Java News)

Ulja e përdorimit të parasë Cash (Foto Java News)

Më 1 shkurt Kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Ervin Mete dhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit  Delina Ibrahimaj   organizuan ne Shtepine e Biznesit një tryezë me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech, për një ritëm të ri në digjitalizimin e shërbimeve financiare dhe  ne modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve të shtetit ndaj qytetarëve në industrinë bankare.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë te vitit 2023, individët dhe bizneset kanë kryer rreth 18.7 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 17.6 përqind,  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve ne Shqiperi vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 61 perqind të totalit. Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS, ne makinerite qe ne hotele, dyqane,  supermarkete, etj., pranojne kartat e kreditit dhe debitit, pra pagesat pa pranine e parase fizike, po rriten me ritme të shpejta në 2-3 vitet e fundit.

Sektori bankar duhet të përshpejtojë dhe nxisë më fort përdorimin nga qytetarët të kanaleve bankare, pa praninë e parasë “cash”, për pagesat që ata kryejnë. Kryeministri Edi Rama theksoi ne takim se “Besoj që është koha për t’u kuptuar mirë së bashku që ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar, nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës sesi është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar dhe mënyrës si është ndërtuar dhe funksionon sistemi financiar i ekonomisë familjare dhe nuk mund të jemi një vend që vazhdon me një volum “cash-i” të papranueshëm në qarkullim, duke pasur në ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë.

Nuk mund të jemi, natyrisht, një vend që vazhdon e kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pasuksesshme dhe nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë, kur vjen puna tek shpejtësia dhe tek efiçienca e transaksioneve, që për ta thënë me një fjalë të vetme, edhe pagesat direkte janë në të shumtën e herës, me metoda tradicionale.

Takimi për Shtëpinë e Biznesit (Foto Apel Media)

Takimi për Shtëpinë e Biznesit (Foto Apel Media)

Shqipëria duhet të fokusohet dhe qeveria është shumë e fokusuar për hir të vërtetës, por kjo nuk është vetëm një sfidë dhe një çështje e qeverisë  tek inovacioni

Shpresoj që bankat ta kuptojnë këtë, që kjo është një çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë, të një prioriteti strategjik të Shqipërisë dhe ne duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, duam të shikojmë ndryshim të thellë, duam të shikojmë ndryshim real dhe duam të shikojmë, jo pas disa vitesh, por duam të shikojmë këtë vit, pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja. 

Duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, duam të shikojmë rritje reale të transparencës së parasë dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe”. 

Grupi i dytë më i madh, brenda pagesave në rrugë bankare, pa praninë e parasë letër,  janë transfertat e kreditimit, të nisura nga klientët. Këto përfshijnë pagesat e nisura nga klientët në degët e bankave, ose nëpërmjet kanaleve bankare në distancë. Pra, kryesisht, bankimi përmes internetit.

Risia më e rëndësishme e vitit 2023 ishte se tashmë, transfertat bankare po dominohen nga veprimet në kanalet e elektronike. Rreth 56 përqind e numrit total të këtyre transfertave u kryen në formë jo-letër, nëpërmjet kanaleve elektronike.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66% të totalit. Kjo tregon se përdorimi i shërbimeve bankare ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, por ende nuk jemi në nivelin e vendeve përreth nesh, të ngjashme me ne, për nga niveli i fuqisë blerëse.

 

Përdorimi i parasë Cash (Foto BoldNews)

Përdorimi i parasë Cash (Foto BoldNews)

Në janar 2024, qeveria miratoi projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Shërbimet bazë nga ana e bankave tregtare janë tërheqja e pensionit nga llogaria bankare e hapur, depozitimi i parave në një llogari rrjedhëse, marrja e parave nga asistenca sociale, etj.

Ky projektligj, i hartuar nga Banka e Shqipërisë, përfaqëson një hap ndër më të rëndësishmit, në drejtim të futjes në shërbimet bankare të të gjithë atyre që janë mbi 18 vjeç dhe nuk kanë ende një llogari bankare. Ata janë fermerët dhe gratë e tyre që punojnë në bujqësi dhe që nuk kanë NIPT, shumica e pensionistëve dhe mbi 160 mijë qytetarë që marrin ndihmë sociale.

Fatos Çoçoli