Kina dhe Norvegjia zotohen të mbrojnë multilateralizmin dhe tregtinë e lirë
2024-02-06 15:09:03

Foto nga MPJ

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të hënën me homologun e vet norvegjez Espen Barth Eide në Pekin. Të dy palët që u zotuan të mbrojnë multilateralizmin dhe tregtinë e lirë. 

Duke vënë në dukje se Eide është kryediplomati i parë evropian që viziton Kinën sivjet, Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), tha se kjo vizitë tregon rëndësinë që Norvegjia i kushton Kinës dhe faktin se marrëdhëniet midis të dy vendeve po ruajnë hovin e zhvillimit.

Sipas tij, Norvegjia është një vend evropian me ndikim unik dhe një nga vendet e para perëndimore që vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re. 

Ky vit shënon 70-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Norvegjisë. Wang u shpreh se pas 70 vjetësh zhvillimi, marrëdhëniet kino-norvegjeze janë bërë më të pjekura e më të qëndrueshme dhe kanë ruajtur një impuls të fortë. 

Pekini vlerëson vështrimin objektiv, racional dhe miqësor të qeverisë norvegjeze për zhvillimin e Kinës, respektimin prej saj të parimit të "Një Kine" dhe miqësinë e saj me Kinën, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm kinez vuri në dukje se bota ka hyrë në një periudhë të re turbullirash e ndryshimesh dhe gjendja globale politike, ekonomike dhe e sigurisë është plot me paqartësi. 

Kina beson se drejtimi i përgjithshëm i synimit të paqes dhe zhvillimit nuk do të ndryshojë, qytetërimi njerëzor do të ecë përpara dhe prirja e përgjithshme e një të ardhmeje të përbashkët për komunitetin ndërkombëtar nuk do të ndryshojë, tha Wang. 

Për nxitjen e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve kino-norvegjeze, ministri i Jashtëm i Kinës theksoi rëndësinë e ruajtjes së mënyrës së duhur për të pasur marrëdhënie të mira, duke respektuar zgjedhjet e popujve të të dy vendeve dhe duke u kujdesur për interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit.

Ai nxiti gjithashtu përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin praktik e për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh, për të mbrojtur multilateralizmin, për të promovuar hapjen e përfshirjen dhe për të nxitur së bashku paqen dhe lulëzimin në botë. 

Eide, nga ana e tij, tha se pas 70 vjetësh zhvillimi, marrëdhëniet kino-norvegjeze kanë hyrë në një fazë pjekurie. 

Foto nga MPJ

Pala norvegjeze ndjek vendosmërisht politikën e "Një Kine" dhe promovon respektin e ndërsjellë e dialogun konstruktiv, për të nxitur zhvillimin më të madh të marrëdhënieve midis të dy vendeve, duke ndërtuar së bashku një botë universale dhe përfshirëse, paqësore dhe të begatë, vuri në dukje kryediplomati norvegjez.

Ai theksoi përkushtimin e Norvegjisë për të nxitur tregtinë e lirë, hapjen e bashkëpunimin, dhe për të mbrojtur rregullat e OBT-së.