foto nga Xinhua
Një ekspozitë u hap në Muzeun e Shkencës në Londër të enjten, me 23 orë mekanike, të quajtura “zimingzhong”, të huazuara nga Muzeu i Pallatit në Pekin, i njohur dhe si Qyteti i Ndaluar.
Ekspozita, e titulluar "Zimingzhong: Thesaret e orëve nga Qyteti i Ndaluar i Kinës", do të zgjasë deri më 2 qershor. Ajo fton vizitorët të zbulojnë bukurinë e jashtme dhe funksionimin e brendshëm të këtyre orëve shekullore, si dhe rolin e tyre historik në shkëmbimet e hershme kulturore midis Britanisë së Madhe dhe Kinës.
foto nga Xinhua
Në vitet 1580, orët perëndimore hynë në brendësi të Kinës nga bregu i saj jugor dhe kështu filloi historia e vendit për mbledhjen dhe prodhimin e orëve.
Sipas organizatorit të ekspozitës, orët mekanike në këtë ekspozitë ishin të njohura për perandorët e Kinës si "zimingzhong", që do të thotë "këmbanat që tingëllojnë vetë", ose "këmbanat që bien vetë". Shumica e zimingzhong-ve tregonin kohën, lëviznin dhe luanin muzikë.
foto nga Xinhua
Muzeu i Pallatit ka një koleksion prej më shumë se 1600 orësh kineze dhe të huaja, që datojnë nga shekulli i 18-të deri në fillim të shekullit të 20-të. Këto orë mblidheshin në Pallatin Qing përmes tregtisë, dhuratave të bëra nga misione apo organizata të huaja dhe të prodhuara nga punishtja e pallatit, etj.
Punime delikate nga Britania, Franca, Zvicra, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe disa vende të tjera janë të përfshira në koleksion. Orët britanike zenë pjesën më të madhe të koleksionit të orëve në Muzeun e Pallatit.
foto nga Xinhua
23 orë, duke përfshirë vepra të prodhuara në Britani dhe Kinë, shfaqen ekskluzivisht së bashku në Londër për herë të parë.
Me të hyrë në ekspozitë, vizitorët do të takojnë Pagodën Lëvizëse Zimingzhong, e cila daton nga vitet 1700 dhe është bërë në Londër gjatë Dinastisë Qing në Kinë. Mekanizmi kompleks lëvizës është sjellë në jetë në një video shoqëruese, që tregon se nëntë nivelet delikate ngrihen dhe bien ngadalë.
foto nga Xinhua
Një tjetër pjesë është Tempulli Zimingzhong, i bërë nga orabërësi britanik, James Upjohn, në vitet 1760. Kujtimet e tij të ekspozuara japin një pasqyrë të punës së përfshirë në krijimin e figurinave të saj të zbukuruara dhe filigranëve delikate prej ari.
Vizitorët mund të eksplorojnë gjithashtu se si dizajnet dhe mekanizmat e detajuar në zemër të zimingzhong përfaqësojnë një shkëmbim unik kulturor të ideve dhe aftësive.
foto nga Xinhua
Sipas Jane Desborough, mbajtëse e koleksioneve shkencore në Muzeun e Shkencës, orë si Zimingzhong përfaqësojnë një takim shumë të veçantë të kulturave dhe teknologjisë.
"Mekanizmi i tij i ndërlikuar është bërë nga prodhuesi dhe shitësi britanik, James Cox, por veshja e jashtme delikate dhe dekorimet e bukura janë bërë pothuajse me siguri në Kinë."
foto nga Xinhua
“Koleksioni i pasur i orëve në Qytetin e Ndaluar shërben jo vetëm si një mjet kontakti midis Kinës dhe botës perëndimore, por edhe si një mjet i diversitetit kulturor: përmes një këndi historik unik, ai shfaq mbi tre shekuj komunikim, shkëmbim dhe integrimi midis Kinës dhe botës më të gjerë”, tha Wang Xudong, drejtor i Muzeut të Pallatit.
Ian Blatchford, drejtor dhe shefi ekzekutiv i Grupit të Muzeut të Shkencës, tha se "kombinimi i shkëlqyeshëm i stilit të dizajnit dhe saktësisë mekanike, të ilustruar në këto orë 300-vjeçare duhet të shihet për t'u besuar. Ne i jemi thellësisht mirënjohës Muzeut të Pallatit në Pekin që na besoi këto thesare të rralla nga Qyteti i Ndaluar”, tha ai.