Futbollisti shkodran Belajdi Pusi ka një vit që është pjesë e kampionatit të futbollit në Azerbajhan, ku luan me ekipin e Turan Tovuzi. Transferimi nga ekipi i Skënderbeut në futbollin azer ka ndikuar për mirë te sulmuesi shkodran, Ai e ka nisur karrierën sportive në moshë të vogël, duke u aktivizuar me Akademinë e Vllaznisë si fillim dhe më vonë me ekipin e parë të Vllaznisë. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e tij si futbollist, karrierën futbollistike në Superligën shqiptare dhe eksperiencën e tij në një kampionat të huaj.
CMG: Si lindi pasioni për futbollin dhe fillimet tuaja në këtë sport?
Belajdi Pusi gjatë ndeshjes (Facebook)
Belajdi Pusi: Unë nuk e mbaj mend veten pa futboll, sepse që kur kam qenë i vogël më merrte babai me vete te fusha e sportit afër shtëpisë dhe bëja stërvitje me top. Pastaj fillova të ndiqja ndeshjet në televizor, ku më pëlqenin lojtarët e famshëm që luanin në atë kohë, si fenomeni Ronaldo, Shevçenko, Ronaldinjo dhe Zidane. Kisha dhe bluzat e tyre dhe më inspironin shumë ata, ku si fëmijë mundohesha për t’i kopjuar në mënyrën sesi luanin. Kështu mu shtua dëshira për ditë që të bëhem futbollist profesionist, por kryesori ka qenë babai që unë kam nisur futbollin.
CMG: Cili ka qenë ekipi i parë që je aktivizuar si futbollist në fushën e blertë?
Belajdi Pusi: Unë e kam nisur shumë i vogël me ekipin ku ishte trajner babai im. Federimin e parë e kam bërë në ekip kur isha gjashtë vjeç, ku aktivizohesha me ekipin e 11 vjeçarëve sepse nuk kishte ekip U-6 në atë periudhë. Nuk luaja rregullisht, por që u aktivizohesha në fund disa minuta sepse isha shumë i vogël për të luajtur në gjithë ndeshjen.
CMG: Sporti ka qenë një traditë në familjen tuaj?
Belajdi Pusi: Në familjen tonë flitej vetëm për sport, ku gjyshi ka qenë shumë i apasionuar pas futbollit si tifoz “i çmendur”. Ndërkohë që babain e kam trajner, por ka luajtur edhe futboll në njëfarë moshe. Kështu që ma kanë injektuar dhe mua futbollin, prandaj dhe unë jam marrë që i vogël me këtë sport.
CMG: Si vijoi më vonë karriera futbollistike?
Belajdi Pusi: Unë më vonë kam shkuar për një provë te Akademia e Vllaznisë, ku më përzgjodhën të isha pjesë e saj. Aty jam aktivizuar për katër vjet, ku për dy vjet kam qenë kapiten, duke fituar dhe disa tituj. Pastaj kam kaluar në ekipin e parë të Vllaznisë për dy vite e gjysmë, në Korçë te ekipi i Skënderbeut për tre sezone dhe tani së fundmi në Azerbajxhan.
CMG: Cilat kanë qenë sfidat dhe vështirësitë gjatë këtij rrugëtimi?
Belajdi Pusi gjatë stërvitjes (Facebook)
Belajdi Pusi: Mendoj se sfida dhe vështirësi kanë të gjithë futbollistët, dhe nuk jam ndoshta i vetmi që i kam kaluar, por e rëndësishme është të bëhesh i fortë dhe mos të shikosh vështirësitë, por qëllimin për të arritur më lart. Kështu që mundesh t’i kalosh dhe kur të ndodh diçka, kur ke vështirësi duhet të bësh stërvitje dy ose tre herë më shumë sepse vetëm ashtu mundesh t’ja dalësh.
CMG: Çfarë të ka dhënë skuadra e Vllaznisë dhe çfarë i ke dhënë ti kësaj skuadre gjatë viteve kur ke luajtur aty?
Belajdi Pusi: Jam rritur duke parë Vllazninë dhe kam dashur të bëhem pjesë e saj një ditë, por vetëm ato katër vite që kam kaluar në akademi dhe pjesa tjetër nuk ka diçka për t’u mbajtur mend. Gjithësesi një ditë do luaj dhe do t’i shijoj tifozat dhe fanellën e Vllaznisë, ashtu siç kisha dëshirë kur isha i vogël.
CMG: Si ka qenë për ty eksperienca futbollistike njëvjeçare në Azerbajxhan?
Belajdi Pusi: Në Azerbajxhan kam një vit që luaj, dhe jam shumë i kënaqur sepse kushtet janë shumë të mira, futbolli është në nivel të mirë. Këta janë shumë korrekt dhe dëshirojnë ta zhvillojnë futbollin dhe kjo gjë më pëlqen shumë. Ka lojtarë cilësorë dhe mundesh që të rritesh shumë, duke luajtur me ekipe të forta që luajnë në Europa Ligë për çdo javë. Pra këtu është mundësia që të rritesh si lojtar, ke se çfarë mëson dhe besoj se më ka shërbyer shumë kjo eksperiencë.
CMG: Përveç futbollit, çfarë ke mësuar tjetër nga eksperienca jetësore në Azerbajxhan?
Belajdi Pusi: Në Azerbajxhan njerëzit janë me tradita, janë besimtarë, njerëz të kulturuar dhe të mirë. Mua më kanë mikpritur shumë mirë dhe ma kanë bërë shumë të lehtë për t’u ambjentuar. Baku është kryeqyteti, një qytet shumë i zhvilluar, ku ka shumë turista sepse është qytet i bukur dhe ke mundësi të kalosh kohën e lirë pa u mërzitur.
CMG: Cili mendon se ka qenë kulmi juaj në karrierë si futbollist?
Belajdi Pusi: Nuk mund të them se e kam kaluar kulmin tim, por mendoj se një hap shumë i mirë ka qenë kalimi nga ekipi i Skënderbeut në Azerbajxhan, një kampionat të huaj, që mendoj se ishte gjëja më pozitive që kam bërë deri tani. Besoj se kulmi në karrierë do jetë së shpejti, sepse akoma nuk e kam arritur atë që dua.
CMG: Cili është pikësynimi juaj për këtë sezon në Azerbajxhan?
Belajdi Pusi: Unë gjithmonë i marr gjërat hap pas hapi dhe synimi im është që çdo ditë të rris nivelin tim, duke mësuar çdo ditë nga gabimet e mia dhe të jem profesionist në punën time. E rëndësishme është që të bëj punën time sa më mirë dhe sa më i përqëndruar.
Belajdi Pusi gjatë në aksioni në fushë (Facebook)
CMG: Përveç futbollit a ke të tjera pasione në jetë?
Belajdi Pusi: Kam disa pasione, ku më pëlqen të dal dhe të shkoj nëpër vende të qeta, të kaloj kohën e lirë me shokët. Gjithashtu më pëlqen shumë të luaj playstation dhe video lojëra.
CMG: Cili është mendimi juaj për Superlingën e Shqipërisë?
Belajdi Pusi: Mundohem t’i ndjek ndeshjet e Superligës shqiptare, sidomos Vllazninë dhe Skënderbeun. Ka lojtarë cilësorë në Superligë, ku besoj se kanë mundësi të luajnë nëpër kampionate të forta dhe e kanë treguar shumë lojtarë që mund të luajnë. Uroj të kenë fat të gjithë në rrugën e tyre, sepse është një sport shumë i vështirë.
CMG: Kush të ka mbështetur më shumë në rrugën sportive?
Belajdi Pusi: Mbështetësi im më i flaktë nuk jeton më. Ai ishte gjyshi im dhe më mungojnë shumë këshillat dhe kritika e tij para ndeshjeve. Mundohem ta kujtoj gjithmonë dhe më jep forcë edhe atje ku është, sepse prapë është një motiv për mua.
CMG: Mund të ketë së shpejti ndonjë rikthim tuajin te Vllaznia apo ndonjë ekip tjetër në Superligën shqiptare?
Belajdi Pusi: Unë deri në fund të sezonit kam kontratën me ekipin aktual në Azerbajxhan dhe më vonë do shikoj sesi do të shkojnë gjërat. Jam i bindur se një ditë do të kthehem në Shkodër për të shijuar ekipin e qytetit tim, tifozët e mi dhe fanellën e veshur.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me lojtarët e tjerë të ekipit ku luan në Azerbajxhan?
Belajdi Pusi: Unë shkoj mirë dhe me vendasit këtu në Azerbajxhan, por më shumë kohën e kaloj me të huajt si portugezët, brazilianët, spanjollët dhe të tjerë nga disa vende të ndryshme. Shumicën e kohës e kaloj me ta dhe shkojmë shumë mirë. Gjithashtu shumë kohë kaloj dhe me Redon Xhixhën, i cili luan këtu, ku kemi shtëpitë afër dhe kalojmë shumë kohë të lirë bashkë.
Belajdi Pusi në një emision televiziv (Facebook)
CMG: Çfarë të mungon nga Shqipëria?
Belajdi Pusi: Më mungojnë më shumë njerëzit e afërt dhe familjarët, por më mungon dhe qyteti im Shkodra. Gjithashtu më mungon shumë të flas shqip, sepse këtu nuk ka shumë shqiptarë përveç kolegut Xhixha kur takohemi, dhe nuk kam mundësi të flas shqip. Kjo pjesë më mungon vërtetë shumë.
Intervistoi: Gazmend Agaj