Kinë, përcaktohen përparësitë vjetore për rigjallërimin rural
2024-02-05 12:16:34

Foto nga VCG

Zyrtarët kinezë thanë në një konferencë shtypi të dielën në Pekin se garantimi i sigurisë ushqimore kombëtare, përmirësimi i zhvillimit të industrive rurale, forcimi i ndërtimit rural e thellimi i reformës rurale janë disa prej përparësive kryesore për 2024-n. 

Konferenca e shtypit u zhvillua një ditë pasi Kina publikoi "Dokumentin qendror nr. 1" për vitin 2024, i cili përshkruan përparësitë vjetore për arritjen e rigjallërimit rural. 

Han Wenxiu, zv.drejtori ekzekutiv i Zyrës së Komisionit Qendror të Çështjeve Financiare e Ekonomike, theksoi se "Dokumenti qendror nr. 1" për sivjet përfshin objektivin e fuqizimit të Kinës në sektorin e bujqësisë, përqendrohet në nxitjen e rigjallërimit të gjithanshëm rural dhe drejtohet nga përvoja e projektit "Demonstrimi i mijëra fshatrave dhe rinovimi i dhjetë mijë fshatrave".

Duke vënë në dukje se "Dokumenti qendror nr. 1" shpjegon se çfarë dhe si duhet promovuar lidhur me rigjallërimin rural, Han, që është gjithashtu drejtori i Zyrës së Grupit Drejtues Qendror të Punës Rurale, i përmblodhi tri pikat kryesore të dokumentit si "dy sigurimet", "tri përmirësimet" dhe "dy forcimet".

 Dokumenti thekson përpjekjen për të garantuar sigurinë ushqimore të vendit dhe moskthimin masiv në varfëri, tha Han, duke shtuar se Kina do të sigurojë që prodhimi vjetor i drithërave të mbetet mbi 650 miliardë kilogramë. 

"Çelësi për të shmangur një kthim në shkallë të gjerë në varfëri është zbatimi i mbikëqyrjes e ndihmës për të parandaluar kthimin në varfëri, forcimin e industrisë e të ndihmës për punësimin dhe përpjekjet për të forcuar hovin e brendshëm të zhvillimit të zonave të prekura nga varfëria së bashku me njerëzit që janë nxjerrë nga varfëria," vuri në dukje ai. 

Në konferencën e shtypit, Zhu Weidong, zv.drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror të Çështjeve Financiare e Ekonomike dhe zv.drejtor i Zyrës së Grupit Drejtues Qendror të Punës Rurale, shtjelloi vendimet e dokumentit mbi thellimin e reformës rurale.