Martina Serreqi është këngëtare e re mjaft e talentuar. Ajo e ka nisur muzikën që në fëmijëri, duke u angazhuar në shumë aktivitete, konkurse muzikore, festivale, etj prej të cilave shpesh është vlerësuar me çmime. Martina ka marrë pjesë edhe në spektaklin e talenteve “The Voice Kids Albania”. Ndonëse 18 vjeçare, ajo ka marrë pjesë në disa festivale të rëndësishme në vend si Kënga Magjike 2021, “Luleborë”,e së fundi në Festivalin e 62-të të këngës në Rtsh, me këngën "Vetëm Ty", duke u vlerësuar me çmimin e Kritikës. Martina është studente në Universitetin e Shkodrës për Pedagogji Muzikore. Në intervistë për Radio Ejani, ajo tregon për arritjet e saj muzikore, si edhe planet për vitin 2024.
Martina Serreqi Në Festivalin Luleborë (Foto nga instagrami)
CMG: Si ishte për ty pjesëmarrja në Festivalin e 62-të të Këngës në RTSH dhe fitorja e një çmimi që në prezantimin tënd të parë?
Martina Serreqi: Pjesëmarrja ime në festivalin e Rtsh-së ishte e paramenduar shumë kohë më parë. Kënga është punuar rreth dy vite më parë, por thjesht po prisja që mosha ime të plotësohej dhe të isha sa më e fortë për atë konkurrim të rëndësishëm. Prisja vetëm që kënga ime të vlerësohej në mënyrë sa më dinjitoze, të përfaqësoja në rradhë të parë veten, por edhe vendin ku jetoj. Dhe u ndjeva vërtetë shumë mirë.
CMG: Fitoja e Çmimit të Kritikës, ishtë diçka që e prisje?
Martina Serreqi: Ishte diçka që nuk e prisja, fare. Në momentin që prezantuan emrin tim dhe më vlerësuan me Çmimin e Kritikës, jam ndjerë shumë e gëzuar dhe e privilegjuar, sepse ajo për të cilën kisha punuar fort, më në fund u shpërblye.
Martina Serreqi (Foto instagrami)
CMG: Na trego për fabulën e këngës dhe se si erdhi ky bashkëpunim me Markelian Kapidanin?
Martina Serreqi: Unë e njoh prej shumë kohësh kompozitorin Markilian Kapedanin, nuk është hera e parë që kemi bashkëpunuar. Kemi bërë edhe 2-3 këngë të tjera, si edhe kemi qenë pjesë e koncerteve të ndryshme. E kisha menduar që profesor Markelian Kapidani do ishte i vetmi person tipik për festivalin e Rtsh-së, ndoshta një prej këngëve më të mira që mund të jenë prezantuar ndonjëherë, që siç e thotë edhe ai vetë, është një nga baladat më të mira që mund të ketë krijuar. Kjo këngë u krijua vetëm për mua, me tekst nga Andi Krroqi, me muzikë e orkestrim nga Markelian Kapidani. I falenderoj që më besuan mua një këngë kaq të bukur. Kënga “Vetëm ty” flet për dashurinë, për frikën e humbjes së një personi të dashur, por më shumë flet për dashurinë. Ajo është një baladë, që ka brenda edhe stilin xhaz, pop, ka një rrymë të miksuar, por që e përshkruan zërin tim shumë mirë.
Martina Serreqi prag Fest 62 (Foto nga instagrami)
CMG: Si do e përshkruaje pjesëmarrjen tënde në këtë festival, në krahasim me pjesëmarrjet në festivale të tjera?
Martina Serreqi: Pjesëmarrjen time në këtë festival, e quaj si një nga më dinjitozet e mia. Në çdo festival ku unë kam konkurruar, jam munduar që të sjell më dinjitozen time, por këtë herë besoj se ja kam arritur qëllimit. Kjo është hera e parë që unë ndihem sikur kam dhënë me të vërtetë maksimumin që mund të kisha dhënë ndonjëherë në çdo pjesëmarrje.
CMG: Ti je një artiste e re, por më shumë pjesëmarrje në kompeticione të ndryshme, si edhe festivale të tjera rëndësishme si "Luleborë", "Kënga Magjike", etj. Sa të kanë ndikuar këto kompeticione në anën profesionale?
Martina Serreqi: Muzika është një prej gjërave më të mira që ka ndodhur në jetën time. Kam që në kopësht që merrem me muzikë, vazhdoj dhe të merrem me muzikë, ku studioj momentalisht në vitin e parë në Universitet për Pedagogji Muzikore. Kam marrë pjesë në shumë kompeticione dhe kjo gjë ka ardhur nga pasioni që kam për muzikën. Kam marrë pjesë në “Luleborë”, në “Kënga Magjike”, në Festivalin e Rtsh-së, por edhe në festvale të ndryshme që janë bërë brenda Shkodrës, në Tiranë edhe jashtë vendit, ku në përgjithësi jam përfaqësuar shumë mirë dhe kam marrë edhe çmime.
Martina Serreqi në Radio Shkodra (Foto nga instagrami)
Çdo festival apo kompeticion ka magjinë e vet, ndoshta ka edhe ato karakteristikat e veta. Në festivalin “Kënga Magjike” jam prezantuar me një këngë komerciale të cilën e kisha shkruar vetë, kam qenë 15 apo 16 vjeçe, por me orkestrim të Adrian Hilës, të cilin e falenderoj shumë, pasi kënga “Hana” ka dalë shumë e lezeçme. Kurse në Fest’62 erdha me një baladë të miksuar me xhaz e pop. Në festivalin “Luleborë” kam marrë pjesë katër here dhe çdo dalje e imja ka pasur tematika të ndryshme. Jam munduar të paraqitem sa më mirë në të gjitha këto festivale, por edhe në festivalin “Prandverë me kangë”, një festival pak më modern, sepse në “Luleborë” marrin pjesë këngëtarët me këngë popullore qytetare Shkodrane.
CMG: Së fundi je bërë pjesë e programit "E diela jonë" në Tvsh. Si të duket kjo eksperiencë?
Martina Serreqi: Së fundi unë jam bërë pjesë e programit “E diela jonë” në Tvsh, dhe jam shumë e lumtur. Doja të falenderoja stafin e Rtsh-së, muzikantët që janë aty, por specifikisht do doja të falenderoja Bojken Lakon, Izy Lekaj, që kanë besuar tek unë. Bojken Lako është një prej personave që ka besuar tek unë, më ka dhënë shtysë, më ka vlerësuar shumë dhe kjo është një gjë shumë e madhe, që ndoshta nuk e kam gjetur as në vendin tim, në Shkodër. Do të jetë një episod shumë i bukur, do të ketë këngë shqiptare, por edhe këngë të huaja.
CMG: Ti e ke nisur muzikën që në moshë të vogël... Si ishin fillimet e tua në muzikë?
Martina Serreqi: Që në moshën 6 vjeçare merrem me muzikë. Që nga këngët e fëmijëve si “Qingj i vogël rri mendueshëm”, por ka vazhduar bukur më pas, sepse jam fokusuar tek muzika. Në Rtsh Shkodër jam spikere lajmesh. Edhe me moderimin jam shumë e përfshirë. Shpresoj të kem mundësi që ta zhvilloj edhe këtë talent që e kam të fshehur.
Martina Serreqi në Luleborë (Foto nga instagrami)
CMG: Si e sheh veten pas një dekade?
Martina Serreqi: Shpresoj që të jem e suksesshme dhe të mbërrij aty, për të cilën po punoj fort.
CMG: Cilat janë planet e tua për vitin 2024?
Martina Serreqi: Për vitin 2024 do kem shumë surpriza. Do të kemi patjetër këngë të reja, videoklipe, ndoshta dhe shumë gjëra të reja, që mund të dalin papritur gjatë rrugës. Çdo gjë do të prezantohet përpara publikut dhe shpresoj që të kem përfaqësime sa më të mira përgjatë këtij viti.
CMG: Falemiderit dhe suksese!
Martina Serreqi: Faleminderit shumë për intervistën! Doja të jepja një mesazh për të gjithë ata të rinj që po na ndjekin, duke i thënë; Ëndrrat tuaja mos i lini kurrë përgjysmë dhe besoni fort për t’i mbrojtur ato!
Intervistoi: Sava Lena