Emine Hasimi me artiste te tjere (Foto personale)
Emine Hasimi është këngëtare e njohur e muzikës së mirëfilltë popullore, e cila rrugën e këngës e nisi që fëmijë në festivalin "Akordet e Kosovës", për të vijuar interpretimet në këtë festival ku u vlerësua me vendin e parë në kategorinë për të rritur. Tri herë radhazi Hasimi është vlerësuar në festivalin "Kosovarja këndon". Ajo jeton prej vitesh me familjen në SHBA ku shpesh është pranë publikut me këngët e saj të bukura.
Emine Hasimi përveçse këngëve solistike që ka interpretuar ndër vite, ka realizuar mjaft duete me këngëtarë të tjerë të njohur të muzikës popullore. Vitin e kaluar ajo ishte e ftuar për të regjistruar disa këngë në programin muzikor të TV 21 në Kosovë. Në një intervistë për Radio Ejani Emine Hasimi flet për karrierën e saj muzikore, bashkëpunimet dhe projektet.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me këngën popullore?
Emine Hasimi: Unë që në moshën 6 vjeçare kam filluar të këndoj dhe në moshën 16 vjeç mësuesja ime Pranvera Badivuku, e cila gjithmonë ka qenë me mua më tha që të provoja dhe me këngën popullore. Bëra një audicion me këngën “Vetë më the të dua” dhe që atë ditë fillova të merresha me këngën popullore.
CMG: Keni interpretuar mjaft këngë popullore ndër vite, por cilën prej tyre do të veçonit si më të dashurën për ju dhe publikun?
Emine Hasimi: Unë kam kënduar shumë këngë popullore me shpirt, por do të veçoja këngën “Festa e nënës”, që e kam interpretuar në festivalin “Kosovarja këndon”, dedikuar të gjitha nënave, kudo ku janë në botë. Kjo këngë më ka lënë mbresa në shpirt dhe mundohem ta këndoj për çdo vit duke ia dedikuar nënave, sepse mua nëna më ka ndërruar jetë, por këtë këngë e kam kujtim dhe është nga më të veçantat për mua.
CMG: Si ndjeheni kur dëgjoni këngëtarët e tjerë të këndojnë këngët tuaja, hite të muzikës popullore?
Emine Hasimi: Është kënaqësi kur t’i këndon ndonjë koleg apo kolege këngët e tua, me të cilat kam arritur sukses. Mua më bëhet zemra mal kur këndojnë këngët e mia. Kushdo që i pëlqen ato le t’i këndojë, sikurse ne që këndojmë këngët e vjetra popullore të shumë këngëtarëve të mirëfilltë shqiptarë.
CMG: Si keni mundur ta ruani të pastër në interpretim këngën e mirëfilltë popullore?
Emine Hasimi: Unë e kam patur pasion muzikën gjithë jetën time dhe jam munduar që t’i këndoj këngët e pastra shqipe me shumë dëshirë. Unë kam realizuar një material me këngë popullore të mirëfillta të trevës së Shqipërisë së mesme, por që nuk e bleu asnjë, sepse në atë album nuk kishte këngë tallava. Akoma dhe sot unë e kam atë album. Në vitin 1995 isha në Shqipëri ku mora pjesë në spektaklin “12 në Holliwood” dhe kam kënduar tre këngë popullore.
CMG: Si e kujtoni pjesëmarrjen tuaj në spektaklin “12 në Holliwood”?
Emine Hasimi: Ka qenë një ndjenjë e papërshkruar, sepse ishte hera e parë që kam kënduar në Shqipëri. Unë asnjëherë nuk kam qenë e ftuar për të kënduar në Shqipëri dhe ky spektakël më ka lënë shumë mbresa, që nga takimet me shumë këngëtarë të muzikës së mirëfilltë dhe shumë të suksesshëm. Unë kam prapë dëshirë që të jem në mesin e tyre, por nuk më është dhënë mundësia.
Emine Hasimi me familjen (Foto personale)
CMG: Prej vitesh jetoni me familjen në SHBA. Keni qenë e angazhuar me koncerte në emigracion?
Emine Hasimi: Unë kam ardhur me familjen në SHBA në vitin 1999 dhe këtu jam munduar të jem pjesëmarrëse në aktivitete muzikore. Kur erdha në fillim organizohej një festival, ku më kanë ftuar vetëm një herë. Gjithashtu kam qenë e pranishme në ndonjë dasëm në fillim, por më vonë nuk kam patur oferta për të kënduar. Ndonjëherë kam qenë e ftuar për festën e Vitit të Ri. Jam munduar që të shkoj në Kosovë në periudhën e festave të fundvitit, ku kam bërë ndonjë këngë apo projekt të ri, që mos të humbas fare sepse më mungon shumë muzika dhe më vret zemra që nuk jam aty ku janë të gjithë.
Unë kam qenë e përkushtur dhe për familjen, me dëshirën që fëmijët të arrijnë diçka në jetë. Fatmirësisht të tre fëmijët e mi kanë arritur aty ku unë kam patur dëshirë, të edukohen, të shkollohen dhe jam shumë e kënaqur nga fëmijët. Mendoj se në vazhdim do të kem më shumë kohë të merrem me projektet e mia muzikore.
CMG: Fëmijët e kanë trashëguar këngën nga ju?
Emine Hasimi: Fëmijët e mi nuk e kanë trashëguar, por e duan shumë muzikën. Në fillim vajza dhe djali kanë luajtur në piano, vajza e dytë në violinë, por nuk e kanë atë dëshirën si unë. Vajza e madhe është stomatologe, vajza e dytë punon si terapiste dhe djali është në fakultet për shkenca mjedisore.
CMG: Ju ka ndodhur ndonjëherë të refuzoni ndonjë këngë për arsyje se nuk është përshtatur me zërin tuaj?
Emine Hasimi: Nuk kam patur ndonjëherë probleme të tilla, vetëm nëse nuk e kam ditur tekstin. Kur kam qenë në Kosovë kam kënduar nëpër dasma, por nuk kam patur fatmirësisht asnjë problem. Këngët e mia i dua dhe publiku i ka mësuar, por dhe këngët e vjetra të dasmave.
CMG: Keni realizuar bashkëpunime në duet me këngëtarë të tjerë gjatë karrierës tuaj?
Emine Hasimi: Kam patur shumë bashkëpunime që në fëmijëri kur kam kënduar me korin e fëmijëve. Në festivalin e fëmijëve jam vlerësuar me vendin e parë me një këngë ruse për fëmijë, unë në atë kohë isha 10 vjeçe. Pastaj kam kënduar këngë popullore me shumë këngëtarë si Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasalliu, Afrim Muçiqi, Violeta Kukaj, Shyrete Beluli, Shkurte Fejza, Miranda Hashanin dhe shumë të tjerë. Kohët e fundit kam realizuar një potpuri me Vjollca Buqaj, por dhe me Ramadan Krasniqin dhe Miranda Hashanin. Kam bërë këngë dhe me Ilir Shaqirin e Shkumbin Kryeziun.
Emine Hasimi gjate regjistrimit ne studio (Foto personale)
Emine Hasimi gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Keni ndonjë këngëtar apo këngëtare idhull në muzikën popullore?
Emine Hasimi: Unë i dua të gjithë këngëtarët e mirë, që këndojnë mirë, bukur, pastër dhe shqip. Për mua idhull ka qenë dhe do jetë gjithë jetën time Hafsa Zyberi. Pastaj Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela, që na kanë lënë shumë këngë të bukura dhe unë i dëgjoj me shumë dëshirë.
CMG: Cila trevë përshtatet më shumë me zërin tuaj?
Emine Hasimi: Këngët e trevës së Shqipërisë së mesme përshtaten më shumë me zërin tim. Pastaj këngët e jugut i kam shumë merak dhe i këndoj me plot dëshirë dhe qejf. Gjithashtu edhe këngët e muzikës së lehtë, apo seranatat i këndoj.
CMG: Cili është mendimi juaj për këngëtarët e rinj që këndojnë këngë popullore sot?
Emine Hasimi: Këto dy-tre vitet e fundit po dëgjoj këngëtarët e rinj, të cilët po këndojnë këngë popullore tonat të vjetra, dhe po më vjen mirë kur i shikoj. Në tetor të vitit të kaluar isha në Kosovë ku regjistrova tre këngë në programin e TV 21, dhe aty dëgjova këngëtarë të rinj, që këndonin bukur këngë popullore. Mendoj se këto vitet e fundit të rinjtë janë rikthyer te muzika e mirëfilltë popullore, por prapë këto këngët tallava janë shumë në trend sot.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Emine Hasimi: Për këtë vit kam realizuar tre këngë me Ilir Shaqirin dhe djalin e tij Korabin. Një këngë tjetër e kam realizuar me një djalë nga Shkupi, Sami Aliu, i cili ka bërë melodinë dhe tekstin e këngës, kurse orkestrimin e ka realizuar Ystret Hashani. Unë ju kam thënë se dua këngë shqipe të mirëfillta, dhe jo diçka orientale në këngët e mia. Dua çiftelinë, kavallin, defin, fyllin, këto më pqlejnë mua, sepse kemi shumë këngë shqiptare të bukura.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Emine Hasimi: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, duke ju uruar shëndet dhe lumturi. Ju uroj që jeta t’ju shkojë vetëm me muzikë dhe gëzime të gjithëve.
Intervistoi: Gazmend Agaj