Pritshmëritë për bumin turistik gjatë sezonit 2024
2024-02-01 11:05:33

Promo e Shqipërisë në Panairin e Turizmit në  Madrid (Foto Tv Klan)

Pamje nga Berati(Foto fax.al)

Shqipëria vijon të renditet edhe gjatë këtij viti si një ndër destinacionet kryesore në shumë revista prestigjoze. Tur Operatorët kanë pritshmëri pozitive se kjo tendencë do të vijojë pasi 2023-shi tregoi menaxhim të suksesshëm. Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar ka bërë të ditur për mediat se:

“2024 parashikohet të jetë më i mirë se 2023 dhe këtë e them me kompetencë të plotë. Për çfarë bazohem dhe ku? E para, bazohem sepse ne në një farë mënyre e menaxhuam mirë edhe pse me sforco 2023. Arritëm të  përpunojmë gjithë këtë numër të madh turistësh dhe review-të e këqija janë shumë pak krahasuar me raportin sasior, me përshtypjet e mira për turizmin në Shqipëri. Kjo sjell detyrimisht rritje të numrit të turistëve, sepse njerëzit që ishin përhapin fjalën e mirë dhe padyshim që ka një impakt shumë pozitiv që e bën të padiskutueshëm rritjen.  Një tjetër bazë, të cilës unë i referohem  janë kontratat. Ne që punojmë në turizmin e organizuar kemi kontratat që kemi tashmë të lidhura me partnerët ndërkombëtarë, me tur operatorët e famshëm që operojnë në Shqipëri. Ne kemi parashikuar 35 deri në 40% rritje, flas për turizmin e organizuar që është një pikë e referuar sepse ato faktet që ne duhet t’u referohemi. Kemi dhe një impakt tjetër që është kërkesa nga turistët individualë nëpër hotele, të cilët janë marrë nga kolegët e mi nga hotelet që kanë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka më shumë rezervime. Të gjitha këto çojnë në mendimin se do të ketë një rritje dhe zakonisht nga llogaritjet që unë kam bërë ka dalë pak a shumë ajo rritje që kemi tek turizmi i organizuar”

Rrahman Kasa (Foto Gazeta Sot)

Sfidë mbetet cështja e strehimit, nëse do të garantohet maksimalisht për t’ju përgjigjur ofertës. Rritja e turisteve pritet në disa dhjetra shifra.

“Maksimumi 40, minimumi 30%, pritet të kemi rritje për vitin 2024. Problemi tjetër që shtrohet është se a do të arrijmë ne të menaxhojmë këtë numër. Le të marrim një shifër prej 13 milionësh, pra 3 milionë plus, ndoshta dhe 4 milionë plus, kështu që do jetë shumë e vështirë me infrastrukturën dhe kapacitetin që kemi të menaxhojmë situatën. Ndërkohë kemi dhe një problem tjetër akoma më të madh që e shohim si sfidë dhe që është fuqia punëtore dhe sidomos ajo e specializuar, por edhe e pa specializuar sepse kemi nevojë për të dyja këto lloj kategorish. Ky është një problem shumë i madh që ne akoma jemi në dilemë dhe nuk kemi zgjidhur asgjë.”- tha Kasa.

Cështja e fuqisë punëtore kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe për këtë qeveria po jep ndihmë për të kapërcyer këtë sfidë.

“E vetmja mundësi reale që unë shoh që mund të jetë zgjidhja është sjellja e punëtorëve nga jashtë, nga vende që kanë eksperiencë. Për fat të keq ka edhe nga ato vende që e shohin Shqipërinë si tranzit për në perëndim, por ne jemi në tratativa me dy ose tre prej vendeve që kanë eksperiencë, vendeve të Azisë që kanë eksperiencë në turizëm.”- tha Kasa.

Shpresë janë punonjësit e huaj për të plotësuar kërkesat.

“Ne kemi nevoja, do dalim gradualisht sepse kërkesat nuk i kemi mbajtur shënim sesa do ketë. Nga të gjitha bisedat apo takimet që unë kam me kolegët e Unionit dhe jo vetëm, të gjithë kanë kërkesa, kanë nevoja për fuqi punëtore. Kështu që besoj që do ketë një kërkesë të konsiderueshme dhe ne jemi në diskutime me disa vende  si me Tajlandën, Indonezinë, që kanë një eksperiencë të mirë në turizëm.”

Kryeministri Edi Rama në Panairin e Turizmit në Madrid (Foto fax.al)

Ministrja Mirela Kumbaro në Panairin e Turizmit në Madrid (Foto ATSH)

Bizneset turistike do t’i përshtaten nivelit profesional të punonjësve për t’ju përgjigjur me paga.

“Pagat janë pothuajse në një nivel, padyshim që konkurrenca është e madhe sepse ne shohim konkurrencën në Shqipëri kur ato punonjës janë më të specializuar, që kanë krijuar një emër apo cv të mirë që janë tek një subjekt tjetër. Ata  marrin oferta nga subjekti afër tyre apo një subjekt ndoshta dhe më larg që të japin një pagë më të madhe dhe ikin. Punonjësit e specializuar me një eksperiencë në turizëm do kenë paga më të mira sepse kjo është pjesë e konkurrencës, që secili mendon për biznesin e vet. Pozitive këtu është se nuk do të ketë shumë kosto shtesë për t’i sjellë për shkak se po merret dhe agjencia qeveritare me këtë punë, si dhe ne si komuniteti sektorial i mikpritjes së turizmit që do na kryesojë dhe jemi në diskutim, jemi në një harmoni bisedimesh.”- tha Kasa.

Ndërkohë Shqipëria ka nisur promovimin ndërkombëtar të industrisë së turizmit. Një delegacion i nivelit të lartë  mori pjesë në Panairin Global FITUR i cili u mbajt në Madrid, të Spanjës. Ky panair zbulon tendencat dhe ndryshimet më të fundit në industrinë e turizmit në mbarë botën. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se delegacioni shqiptar që kryesohej nga kryeministri Edi Rama, ka patur takime shumë të rëndësishme me firmat e njohura Ibero Star dhe Catalonia Group, që i përkasin turizmit elitar me 4 dhe 5 yje. Gjatë vitit 2024 pritet që Shqipëria të prezantohet në Panairin e Berlinit, i cili është sfidues për turizmin shqiptar.