Mishel Pili: Sporti për mua është ushqim për shpirtin
2024-02-01 10:56:23

Mishel Pili ( foto personale)

Ishte viti 1999 kur profesori i sportit Mishel Pili u zhvendos me punë në fshatin Lekas. Deri në ato vite ai ishte ende i përfshirë në ekipin e volejbollit të qytetit të Korçës, por emërimi në një fshat të largët e bëri atë të tërhiqej pa dëshirë nga veprimtaria në ekipin sportive. U rikthye edhe njëherë pas shumë vitesh shkëputjeje,  por nuk e gjeti veten pjesë të ekipit dhe që nga ai moment Misheli e mbajti të shenjtë dashurinë për sportin, duke e foksuar të gjithë energjinë e tij në mësimdhënie.

Aktualisht Misheli jep mësim në një shkollë private dhe  para pak kohësh ka themeluar ekipin e  badmintonit, duke e sjellë këtë sport më pranë qytetarëve të Korçës.

CMG:Mishel kur e keni nisur kontaktin me sportin ?

Mishel Pili: Unë i përkas një brezi, i cili me një dashuri shumë të madhe për jetën bënte të pamundurën të mundur, jam i atij brezi ku është shijuar çdo gjë dhe mbi të gjitha sporti.  Volejbolli ka nisur si një pasion i hershëm i një grupi të rinjsh të lagjes numër dy në Korçë, pasi unë atje kam jetuar. Ne mblidheshim dhe luanim, jepnim maksimumin tonë për shkak se e dashuronim këtë sport.

Më është dashur për arsye personale të shkëputem në një moment dhe më pas rikthimi ka qenë i vështirë në grup, por megjithatë e kisha kuptuar prej kohësh që e doja këtë qytezë dhe doja që kontributi im të ishte t’i mësoja të rinjte me sportin dhe vlerat që ka .

CMG: Kush ju ka mbështetur në rrugëtimin tuaj, pasi asnjë rrugëtim nuk mund të bëhet i vetëm ?

Mishel Pili: Për fatin tim të mirë kam pasur një familje, e cila më ka suportuar gjithnjë dhe kanë qenë aty për të suportuar vlerat sportive. Ndoshta kjo më ka bërë edhe më të fortë edhe më afër këtij sporti, sepse ata më jepnin mundësinë ta doja dhe ta vlerësoja këtë sport . Në çdo vendimmarrje apo dëshirë familja duhet të jetë një ndër ato të cilat duhet të të mbështesin pa kushte dhe kritere.

CMG: A jeni ju pararendës i sportistëve të njohur korçarë?

Mishel Pili: Unë jam një njeri shumë modest dhe mendoj se përpara atyre sportistëve të njohur, të mëdhenj në Korçë ndihem shumë i vogël.

Mishel Pili dhe grupi i volejbollit ( foto personale)

CMG: A ka pasur fëmijëria juaj nuanca të bukura, ku sporti ka qenë prezent?

Mishel Pili: Fëmijëria është periudha më e pastër e një njeriu, një periudhë ku njeriu është përherë i gëzuar dhe aktiv. Kujtoj rrugërt e Korçës, të cilat kanë qenë përherë plot dhe ka pasur gjithmonë aktivitete si në stinën e dimrit ashtu edhe në verë. E shijonim jetën bashkë me sportin.

Mardhënia me prindërit ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe më kanë kultivuar shumë dije. Kisha fatin që gjyshërit t’i kisha në shtëpi dhe familja ime është një lagje e vjetër korçare ku është trashëguar tradita. Dashuria dhe ndihmesa që kemi pasur prej tyre ka qenë përhërë me mua. Fati im ka qenë që gjyshërit kanë qenë në pararojë të arsimit, shumë të arsimuar. Ndaj si për arsimin ashtu edhe për sportin, ata kanë qenë dashamirës.

CMG: Cila ka qenë vlera e sporteve të vjetër ?

Mishel Pili: Të parët kanë rritur breza jo përmes fjalës, por veprave. Nuk kanë pasur orar për të punuar, por kanë pasur një disiplinë shumë të madhe. Ne duhet të përpiqemi t’i nderojmë dhe t’i bëjmë ata të ndihen mirë për punën që kanë bërë me ne si prind, qytetarë apo sportistë.

CMG: Çfarë ka ndryshuar nga lagjia ku jeni rritur?

Mishel  Pili: Në lagjen numër dy nuk ka ndryshuar asgjë. Shoku im i ngushtë dhe të gjithë shokët e mi janë në kujtesën time. Ende edhe sot kur takoj mësuesit e mi ju them “Si jeni professor?”. Në Korçë ne gjithmonë jemi futur në shtepinë e shokëve si në shtëpinë tonë. Mbajmë kontakte edhe kësaj dite.

CMG: Si  i keni marrëdhëniet me nxënësit tuaj?

Mishel Pili: Ndihem shumë i privilegjuar që nxënësit e mi më vlerësojnë. Kam afërsisht 30 vite në arsim dhe kjo më emocionon. Më shumë se titull unë këtë e kam një privilegj dhe mision

Mishel Pili ( foto personale) 

CMG: Cila ka qenë shkolla e parë ku keni dhënë mësim?

Mishel Pili: Shkolla e parë ku kam dhënë mësim ka qenë në fshatin Lekas të qytetit të Korcës.

Ka qenë shumë emocionuese. Atje shkuam si mësues, pasi në atë kohë detyra të caktohej, por unë kohë kam lënë sportin e volejbollit dhe për këtë ndjeva një keqardhje të madhe. Kjo gjë më shkëputi edhe nga ekipi ku isha dhe ky ka qenë momenti më i veshtirë i jetës. Viti 1999  vijon të jetë ende viti më i trishtë i jetës sime. Asokohe dëshiroja t’i kthehesha grupit tim. Por çdo e keqe e ka një të mirë, sepse unë u fokusova në mësimdhënie dhe ja ku jemi sot. Unë atje mësova edhe gjuhën frënge dhe angleze dhe kjo më dha mundësinë më pas që të jap mësim në një shkollë me staf të huaj. Shkolla e Maltës në qytetin e Korçës është shkolla ku unë punoj dhe kjo falë shumë sfidave.

CMG: A keni tentuar te ktheheni në grupin e volejbollit?

Mishel Pili: Kam tentuar të kthehem në volejboll, por nuk ishte më ndjesia njësoj. Unë jam kthyer shumë rishtazi sërish sepse një nga lojtarët në vitin 1998 u dëmtua dhe u ktheva për të lujatur në vendin e tij pas tetë vite shkeputjeje. Por ishte një ngarkesë shumë e madhe, pas asaj kohe nuk isha më në të njëjetën gjendje, kisha humbur shumë kohë.

CMG: Në periudhën më të vështirë kush ju qëndroi më pranë ?

Mishel Pili: Një nga njerëzit që më ka motivuar gjatë gjithë jetës sime ka qenë vëllai im. Ai ka pasur një dashuri shumë të madhe për gjithçka që unë bëja.

 CMG: Sot ju jeni edhe drejtues i ekipit sportiv të badmintonit, a keni një mesazh për të rinjtë ?

Mishel Pili: Si president i grupit të sportit të badmintonit, ndihem i lumtur që ky grup ka marrë karakter në qytetin e Korcës. Unë jap kontributin tim dhe po e shfrytëzoj këtë bisedë që të gjithë prindërit që kanë dëshirë për rryma të reja sportive ta shohin këtë grup si  një mundësi të mirë zhvillimi.

Intervistoi: Megi Latifi