Nikolla Zoraqi në piano Foto nga top channel
I konsideruar si “Çajkovski shqiptar”, kompozitori Nikolla Zoraqi ka thënë : “Sado që të krijojmë, përsëri i mbetemi borxh kohës që jetojmë. Është i lumtur ai shkrimtar apo artist, që këtë borxh e pakëson sa më shumë. Kjo arrihet me punë këmbëngulëse e me pasion”. Këto ishin fjalët e tij, fjalë të vërteta për këdo që mendon se një jetë është pak për prodhimtari. Kompozitori Zoraqi dha shumë, për aq pak sa jetoi. Ai diti të vlerësonte dhe të shfrytëzonte në maksimum kohën për punën krijuese. Këtë dëshmon opusi i tij krijues, me përmbi njëqind vepra të të gjitha formave e gjinive të muzikës, përmes të cilave u bë një ndër zërat më të rëndësishëm të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX-të.
Me rastin e përkujtimit të 95 vjetorit të tij janë zhvilluar disa ngjarje artistike, si dhe do të vijonë të tjera përgjatë këtij viti. Me kërkesë nga Maestro Zhani Ciko, nipi i kompozitorit, pedagogia Zana Shuteriqi ia besoi detyrën për të realizuar një portetret të plotë për kompozitorin Nikolla Zoraqi, studentes së Muzikologjisë, Anisa Jaupaj. Në intervistë për Radio Ejani ajo flet për këtë angazhim të sajin, për këtë portret.
Anisa Jaupaj (Studente e Muzikologjisë)
CMG: Në kuadër të 95 vjetorit të lindjes së artistit Nikolla Zoraqi, ty si studente e Muzikologjisë, të është besuar që bësh portretin e tij muzikor. Si e prite këtë detyrë ?
Anisa Jaupaj: Sigurisht që e prita mjaft mirë dhe me përgjegjësi në të njëjtën kohë, realizimin e portretit të kompozitorit Nikolla Zoraqi. Përfitoj të falenderoj profesoreshën time Zana Shuteriqi dhe Mjeshtrin Zhani Ciko, që ma besuan mua këtë gjë.
CMG: I njihje kaq mirë veprat e tij muzikore edhe para se të merrje përsipër këtë punë?
Anisa Jaupaj: Kush nga ne nuk e ka dëgjuar një herë të vetme këngën “Dhuratë për ditëlindje”, me tekst të Fatos Arapit, një ndër arritjet më të shquara të këngës shqiptare! Apo mund të veçojmë atë më të famshmen mes gjashtë uverturave të tij, “Uverturën festive”, e papërsëritshme për harenë dhe energjinë që e përshkon, e luajtur me dhjetra herë si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Nikolla Zoraqi ka lënë një katalog të pasur të krijmtarisë së tij. Ai kompozoi nga të gjitha gjinitë muzikore, duke filluar që nga gjinia më e vogël që është kënga, e deri tek baleti e opera. Vlen të përmendim baletin “Cuca e Maleve” me libret të Loni Papës, apo baletet “Tokë e pamposhtur”, “Shote dhe Azem Galica”, “Joniada”, si dhe operat “Komisari” me libret të Dritëro Agollit, apo operan komike “Paja”, etj. Në të vërtetë Nikolla Zoraqi kishte kohë që kishte filluar të mendonte për përfaqësimin e tij si kompozitor operistik. Tentativën e tij të parë në këtë drejtim e gjejmë rreth mesit të viteve ’60-të, me operan “Teuta”. Teuta, që ishte dhe emri i vajzës së tij ish gjithashtu një vepër e cila mbeti e pa përfunduar. Si për ironi të fatit vepra e tij e kompozuar në vitin 1990 është “Koncertino” për violinë dhe orkestrër, përmes të cilës duket sikur kompozitori i rikthehet edhe një herë, evokon edhe një herë, pasionin e tij të hershëm, violinën.
CMG: Çfarë të ndihmoi në realizimin e portretit të tij?
Anisa Jaupaj: Falë kujtimeve të tij të hedhura në fletët e ditarit, apo korespondencës me të afërmit, veçoj këtu letërkëmbimin me tenorin e mirënjohur Mihal Ciko, që ishte bashkëshorti i motrës së tij, apo dhe me nipin Zhani Ciko, si dhe përmbledhjen e kujtimeve të miqve, të shokëve më të afërt, më shërbyen për ta sjellë portetin e kompozitorit Nikolla Zoraqi, sa më original dhe të vërtetë.
Nikolla Zoraqi në koncert (Foto RTSH)
Nikolla Zoraqi studioi në Liceun Artistik të Tiranës gjatë viteve (1946-1950), ku u dallua mes të tjerëve për eksigjencën dhe vullnetin në studim që, në saje edhe të talentit që i kishte falur natyra, u rrit dhe u zhvillua si violinist.
Sipas portretit të realizuar nga Anisa Jaupaj, Nikolla Zoraqi shfaqej herë si violinist e herë si dirigjent, duke kompozuar njëkohësisht edhe pjesë të vogla për violinë. Në sajë të arritjeve të spikatura, me përfundimin e studimeve të mesme Nikolla Zoraqi punoi për pak kohë si pedagog i shkollës “Jordan Misja”.
Nikolla Zoraqi me artistë të tjerë shqiptarë (Foto TKOB)
Në vitet 1950-51 Zoraqi kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, ku fillimisht luajti si violinë e parë (spalë) e orkestrës së drejtuar nga Gaqo Avrazi dhe më pas si asistent dirigjent i këtij të fundit. Në ansambël qëndroi deri më 1958, kur u bënë të njohura edhe krijimet e tij të para.
Në vitin 1955, Ansambli i Ushtrisë kishte shkuar në Kinë për një nga koncertet e rradhës. Atje, delegacionit shqiptar, iu kërkua një kantatë e shkruar për nder të miqësisë shqiptaro-kineze dhe krijimin e veprës ia propozuan Nikollës. Pa asnjë dilemë, ai iu përvesh punës dhe arriti ta shkruante veprën brenda ditës, të cilën e orkestroi vetë dhe e drejtoi po vetë. Pavarësisht punës këmbëngulëse dhe orëve të gjata të studimit në instrument, ëndrra për t’u bërë violinist iu pre në mes, pasi nuk iu dha e drejta e studimit për violinë, por për kompozicion në Konservatorin e Moskës “P.I. Çajkovski”. Me vajtjen në Moskë, për Nikollën nisi një etapë e re dhe e rëndësishme jetësore.
Kompozitori Nikolla Zoraqi (Foto nga Teksteshqip)
Pas kthimit në Tiranë, Nikolla Zoraqit iu besuan detyra të ndryshme, punoi si drejtues muzike në Shtëpinë Qendrore të Krijmtarisë Popullore (1961-64), si drejtues i redaksisë muzikore në Radio-Tirana (1966-71), dha kontributin e tij pranë ILA si pedagog i jashtëm (deri në vitin 1983) dhe që prej vitit 1971 e deri në fund të jetës ishte kompozitor në krijimtari të lirë.
Nikolla Zoraqi ka shkruar me qindra faqe muzikë, të cilat e përcaktojnë atë si një ndër kompozitorët më prodhimtarë të muzikës shqiptare. Në ato faqe të veprave të tij ai lëvroi të gjitha gjinitë muzikore, duke filluar nga kënga e thjeshtë, muzika e dhomës, te ajo koncertale, simfonike e deri tek gjinitë e mëdha skenike si opera dhe baleti. Vitet 1960-70 mund të thuhet se u bënë përcaktuese në zhvillimin e tij si kompozitor, tashmë të një faze pjekurie. Kësaj kohe i përkasin përafërsisht rreth 30 kompozime, këngë dhe romanca, gjithësecila me frymëzime të ndryshme poetike, nga tingëllimet e forta heroike apo marshuese e deri te lirizmi pasional apo prania e intonacioneve të muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së mesme.
Fragment nga baleti Cuca e Maleve e kompozitorit Nikolla Zoraqi (Foto Kult Plus)
Mes tyre dallohet një ndër arritjet e shquara të këngës shqiptare, “Dhuratë për ditëlindje”, me tekst të poetit Fatos Arapi. Ndër arritjet madhore të Zoraqit në këtë fazë të pjekurisë krijuese veçohen: më e famshmja mes gjashtë uverturave, “Uvertura Festive” (1968), Nikolla Zoraqi ndërroi jetë më 9 shtator të vititi 1991, duke lënë pas një krijimtari të pasur artistike, për të gjithë brezat e rinj të muzikatët që do vinin më pas.
Intervistoi: Sava Lena